BlogKryesoreOpinions

Korrupsioni si kuçedra me shumë krerë

Nga Çapajev Gjokutaj-
Korrupsioni nuk është thjesht një shkelje ligjore apo një shmangie ekonomike, përkundrazi është dukuri me rrënjë të shumta që ndërthururen mes politikës, ligjit, ekonomisë, kulturës etj. Thenë figurshëm është një kuçedër me shumë krerë.
Kjo shumësi faktorësh shfaqet qartë edhe në jetën tonë: ligjet ekzistojnë, por shpesh mbeten në letër; institucionet funksionojnë, por shpesh kapen nga pushteti; ekonomia e tregut zhvillohet, por tenderat publikë shpesh shkojnë tek të njëjtët firma; shoqëria e dënon korrupsionin me fjalë, por e pranon dhe e legjitimon në veprime të jetës së përditshme.
Në planin politik, korrupsioni ushqehet nga mungesa e transparencës dhe kapja e shtetit prej interesash partiake. Në planin juridik, mbijeton përmes zbatimit selektiv të ligjit dhe përmes praktikash gjyqësore të komprometuara, siç e tregoi qartë procesi i vettingut. Në planin ekonomik, varfëria dhe monopoli i kontratave publike krijojnë terren për abuzim. Ndërsa në planin kulturor, mentaliteti i qëmotshëm “pa e lyer rrotën nuk bën dot gjë” e normalizon korrupsionin si rregull loje.
Në këtë kontekst merr kuptim dhe prononcimi i Marta Kos gjatë intervistës së saj për Politico, kur theksoi se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse ai pranohet gjerësisht në vend, del një problem tjetër.Mesazhi ishte i qartë: ligjet nuk mjaftojnë pa një ndryshim të mendësisë shoqërore.
Parë kështu korrupsioni është një dialektikë e kundërtave: ligji kundër mentalitetit, meritokracia kundër klientelizmit, transparenca kundër kapjes së shtetit. Vetëm kur këto kundërshti të menaxhohen në vazhdimësi, mund të kalojmë një shoqëri ku korrupsioni nuk pranohet si pjesë e natyrshme e jetës, por refuzohet si pengesë për zhvillim dhe dinjitet njerëzor.

Artikuj të lidhur

Back to top button