
Nga Enver Robelli-
Është e kuptueshme që kur vjen një ftesë a një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht nga Shtëpia e Bardhë, Kosova e ka shumë të vështirë të thotë jo. Zor të thuhet jo edhe kur ftesa ka të bëjë me nisma apo klube personale të presidentit aktual amerikan ku NUK marrin pjesë gati 160 shtete të botës, mes tyre edhe shtete mike si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Austria… Është një dilemë e madhe dhe arsyen e dimë të gjithë: roli historik i SHBA-së në çlirimin e Kosovës. Deri këtu jemi në rregull.
Problemet fillojnë kur opinioni bombardohet paturpësisht me kopalla, rrena e propagandë.
Po thuhet, për shembull, se në të ashtuquajturin “Bord i Paqes” të Donald Trumpit, nuk kanë të drejtë vetoje Rusia dhe Kina. E vërteta është: as Rusia, as Kina nuk janë anëtare të kësaj trupe (së paku deri tani). Pse kjo rrenë?
Hyrja e Kosovës në këtë organ apo klub po krahasohet pa pikë turpi me shpalljen e pavarësisë (2008) dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi vlefshmërinë e deklaratës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës (2010).
Këto krahasime janë të paqëndrueshme. Edhe më keq: janë mashtrim i opinionit. Nuk ka nevojë për rrena, nga asnjë zyrë shteti, as nga ndonjë vartëse në zyrën e kryetares së vendit.
Duhet vetëm sinqeritet në komunikim me opinionin, i cili nuk është naiv. Përndryshe kjo seri rrenash i ngjan një personazhi të romanit “Mali magjik” të Thomas Mannit, i cili thotë: “E di që po flas marrëzi, por po vazhdoj të llomotit…”.
Aktualisht nuk dimë pothuaj asgjë lidhur me rrethanat dhe kushtet e hyrjes së Kosovës në këtë klub. Cilat janë obligimet? A pati koordinim ndërinstitucional dhe ndërpartiak? Cilat janë përfitimet? A do të jetë Kosova pjesë e këtij klubi edhe pas tri vitesh kur shpikësi i bordit kërkon 1 miliard dollarë si taksë anëtarësimi? A duhet të pyetet parlamenti për këtë anëtarësim? A duhet të votohet ky anëtarësim në parlament? Kur do të votohet? Pse Shqipëria i iku ceremonisë? Nëse sundimtari i saj ishte i zënë duke bredhur nëpër ngastra të Zvërnecit, pse nuk u dërgua presidenti i Shqipërisë në Davos? Apo ministrja e Jashtme? Apo ndonjë ambasador? A i iku Tirana kësaj ceremonie për të mos zemëruar partnerët në Bruksel ku dëshiron të anëtarësohet më 2030?
Poshtërsia më e madhe që mund të bëhet ndaj qytetarëve në Kosovë është mashtrimi e propaganda për interesa të ulëta personale e egoiste. Politika e brendshme nuk duhet të shndërrohet në politikë të jashtme. Modelet e rrenave nga e kaluara nuk duhet të përsëriten. As tentimet qesharake për të përdorur topuze morale. As analizat e nivelit të kafehaneve mbi rendin e ri botëror që tani Kosova po e ndërtuaka bashkë me shefin e ri dhe të përjetshëm të “Bordit të Paqes”. I ngjan asaj barcoletes kur elefanti e miu kalonin një urë dhe miu i thoshte elefantit: “E sheh si po e dridhim urën?”



