
Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për përjashtimin e treshes gjykuese të përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni, nga shqyrtimi i rekursit të tij për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Vendimi është marrë nga gjyqtari Enton Dhimitri, i cili ka konfirmuar përbërjen aktuale të trupës gjykuese për çështjen në fjalë.
Çështja lidhet me rekursin që Berisha ka paraqitur ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë.
Berisha dhe Malltezi janë nën hetim për aferën e njohur si “Partizani”, ku pretendohet se gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv në Tiranë, janë kryer shkelje dhe janë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme nga dhëndri i ish-kryeministrit.



