Aktualitet/LajmeBotaKryesoreNdodhi

“Ju kërkoj falje, por duhej eliminuar ky parazit…” – Çfarë dihet për vrasësin që tronditi SHBA?

 

Gjëja e parë që bën një vrasës në arrati është të heqë qafe çdo të dhënë që e lidh atë me vrasjen. Luigi Mangione, i arrestuar dje nga policia në një McDonald’s në Altoona të Pensilvanisë, 400 kilometra nga Hilton në Nju Jork ku të mërkurën e kaluar vrau kreun e United HealthCare, Brian Thompson, e mbante armën dhe silenciatorin e përdorur në vrasje me vete.

Ai gjithashtu kishte dokumente false me 4 emra të ndryshëm, përfshirë atë që ishte regjistruar në hotelin ku flinte para se të vriste CEO-n Brian Thompson dhe gjithashtu një deklaratë politike antikapitalisti, ku pranon vrasjen.

“Ju kërkoj falje, por duhej eliminuar ky parazit…”.

Vrasësi i Thompson nuk ishte një vrasës profesionist, por një ekstremist i motivuar politikisht, një inxhinier me një arritje të shkëlqyer akademike. Ai kishte një dashuri të madhe për teknologjinë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ai goditi viktimën e tij me një armë të bërë me një printer 3D. Ai nuk u përpoq të ikte jashtë vendit siç do të kishte qenë e arsyeshme.

26-vjeçari me origjinë italiane i lindur në Maryland, i diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë, i cili punoi deri në vitin 2023 si inxhinier në TrueCar, një kompani në Santa Monica, Kaliforni, e dinte se herët a vonë do ta arrestonin, ndaj nuk bëri asgjë për t’u fshehur.

Në deklaratën që kishte me vete, Mangione u tregua i kujdesshëm për të sqaruar se nuk kishte bashkëpunëtorë: “Kam vepruar vetëm”. Sa i përket motivit të kësaj ngjarjeje, ai përmendi arsyet politike, duke theksuar revoltën e tij ndaj pabarazive të sistemit kapitalist, të cilat janë veçanërisht ekstreme dhe kanë pasojat më të rënda sociale në sistemin shëndetësor jopublik.

Mandej ai shtoi një motivim personal: një lloj hakmarrjeje për vuajtjet e disa të afërmve të tij, të cilët nuk ishin në gjendje të merrnin trajtimin e duhur. Me siguri këtu ai flet për veten e tij.

Ai nuk vjen nga një familje e varfër. Gjyshi i tij është një ndërtues i pasurive të paluajtshme dhe gëzon një pasuri të madhe. Ai ka në pronësi radio stacione dhe disa shtëpi për të moshuar, njëra prej të cilave është në pronësi të babait të Luixhit, i cili, kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, punoi si vullnetar në një nga këto objekte.

Në Baltimore Mangione ndoqi Gilman, një shkollë të lartë të shkëlqyer (ku një vit kushton 40 mijë dollarë). Ai u diplomua dhe doli i pari i klasës. Në fjalimin e tij publik ai tha se kjo shkollë i kishte dhënë një kurajo të pabesueshme për të eksploruar horizonte të panjohura, informon dritare.net.

Mandej ai u diplomua në universitetin e Pensilvanisë dhe nisi përvojat e para të punës si inxhinier. Nga të gjithë miqtë e tij njihej si një person i hapur, i shoqërueshëm, si një njeri që mendonte shumë. Promotor i klubit të librit, aktiv në rrjetet sociale ku ka komentuar 300 libra që ka lexuar apo synonte të lexonte.

Por gjithçka ndryshoi gjashtë muaj më parë, kur Luigi u zhduk papritur nga rrjetet sociale dhe nuk u shfaq më as me familjen dhe miqtë e tij. Një pikë kthese misterioze, sigurisht e lidhur me qasjen e tij ndaj filozofisë së terroristit anarkist Unabomber, të cilin ai e lavdëroi në janar duke komentuar një manifest të vjetër ideologjik të tij në faqen e internetit Goodreads.

Ndoshta ka një fakt traumatik, një traumë fizike, që kontribuon në shndërrimin e një studenti të shkëlqyer në një hakmarrës të menaxherëve të kujdesit shëndetësor. Luigi ka vuajtur që në fëmijëri nga lëvizja e disa rruazave në shtyllën kurrizore.

Pavarësisht kësaj, ai stërvitet dhe merret me sport. Bie, godet kurrizin, patologjia i përkeqësohet. Vitin e kaluar u operua. Miqve që e pyesin si shkoi operimi ai u përgjigjet se është një histori e gjatë. Në fillim ai thotë se shpesh ndihej i mpirë, i paaftë për të bërë një jetë normale shoqërore dhe për të pasur marrëdhënie. Pastaj ai zhduket. Ai i tha gjyqtarit gjatë marrjes në pyetje se nuk kishte probleme me drogën apo shëndetin mendor.

Arretimi i tij përmbysi përfundimisht teoritë e atyre që kishin menduar për një vrasës, ndoshta të paguar nga menaxherë të tjerë të kujdesit shëndetësor: United HealthCare është nën hetim dhe duket se Thomson, i cili gjithashtu ishte nën hetim, kishte filluar të bashkëpunonte me autoritetet. Misteri i mungesës së armës është zhdukur pas kërkimit në fund të liqeneve të Central Park. Është anuluar enigma e çantës së shpinës së gjetur në park, plot me kartëmonedha të lojës Monopoly. Mbetet për t’u kuptuar se si Mangione e dinte se në çfarë ore dhe nga cila anë do të hynte Thompson në Hilton.

Artikuj të lidhur

Back to top button