BlogKryesoreKulture

Jashtë kavalier, në shtëpi beter

Nga Lis Bukuroca-

Në vitin 1993 kishim marrë një banesë të re dhe, afër saj, ndodhej një shitore – Penny Markt. Një ditë dola për të blerë diçka dhe, në të njëjtën kohë, nga shitorja po dilnin dy zonja të reja – njëra turke, tjetra gjermane.
Ishin fqinjet tona; e para banonte në pallatin tonë, e dyta përballë. Burrat e tyre, dy vëllezër – njëri punonte në bankë, tjetri ishte agjent i sigurimeve – u ngutën menjëherë për t’i ndihmuar gratë me çantat e rënda. Sa mirë thashë vet me vete, por ajo që ndodhi më pas më bëri të reflektoj thellë.
Të dy burrat vrapuan drejt zonjës gjermane, duke i marrë çantat e saj, ndërsa zonja turke u ndal dhe bërtiti: „Po mua?“ dhe i lëshoi ato përdhe.
E përcolla ngjarjen duke iu afruar hyrjes. Aty pashë një revoltë të drejtë, që më ndriçoi: shumë burra, sidomos ata që janë rritur në një kulturë patriarkale, duan të tregohen fisnikë dhe të sjellshëm jashtë shtëpisë, por jo brenda saj. Ata sillen si xhentëlmenë me të huajt, ndërsa në familje imponojnë autoritet, madje shpesh përmes dhunës verbale ose fizike.
“Pse kjo sjellje skizofrenike?” – pata pyetur veten.
Kisha ndihmuar edhe unë shumë herë të huaj, por nuk isha gjendur përballë një situate si kjo, ku ndihmoj një të huaj, ndërsa lë pas dore bashkëshorten. Disa muaj më vonë, do të më ndodhte dhe mua diçka e ngjashme.
Domethënë, mësimi që kishim marrë ishte hipokrizia – për t’u dukur të mirë, jo për të qenë. Me rëndësi ishte si na sheh bota, jo si jemi! Sepse ai që është vërtet i sjellshëm, nuk ka nevojë të shtiret – ai është i tillë kudo. Aty kuptova se urdhri kryesor duhej të ishte: të jemi të mirë, para së gjithash, në shtëpi.
Fqinji im u ngut për të ndihmuar të huajën, duke lënë pas gruan e vet, ndërsa vëllai i tij veproi drejt dhe ndihmoi bashkëshorten.
Pse nxitojmë të dukemi të sjellshëm dhe të kujdesshëm jashtë, por të ashpër brenda familjes sonë?
Jemi në shitje? Pse bëhemi hamall i një gruaje jashtë, por jo ndihmës i bashkëshortes në shtëpi? I nënës së fëmijëve tanë? Pse? Duhej një përgjigje!
Ajo bindje fikse e gabuar duhej zhdukur. Nëse ka një vend ku duhet të dëshmojmë më shumë dashuri, mirësjellje, mirëkuptim dhe respekt, ai vend është shtëpia jonë. Para së gjithash.
Gruaja turke fytyrëvrenjtur po priste të ndihmohej. Ndoshta ndihej e përbuzur para kunatës. Vetëm pasi burrat i morën dy çantat gjermanes, dhe pasi dëgjuan zhgënjimin e shprehur, burri i saj u kthye dhe i mori njërën çantë gruas së vet. Jo të dyjat. Gjermania nuk kishte asnjë.
Disa muaj më vonë, më ndodhi një ngjarje që më bëri të ndihem keq. Po dilnim nga Galeria Kaufhoff ndërsa shoqja ime po ecte pas meje. Në mes të nesh nxitoi një bukuroshe gjermane. Ia mbajta asaj derën hapur për të dalë dhe, në dalje, me përkulje koke dhe buzëqeshje më falënderoi, ndërsa derën e lëshova para bashkëshortes.
Ajo më pa me vetulla të ngritura dhe një vështrim të mbledhur. M’u kujtua zhgënjimi i zonjës turke dhe m’u duk se pashë rrudhat e saj në fytyrë. Atë mimikë e përktheva kështu:
„Një gruaje të huaj i mban derën, pse ishte e bukur, bashkëshortes jo!“ U ktheva me nxitim dhe i kërkova ndjesë bashkëshortes me një puthje.
Sigurisht, edhe sjellja ime ishte ajo bindje fikse, e trupëzuar brenda, jashtë kavalier, brenda derr. Respekto të huajin, por jo domosdoshmërish tëndin. Për dukje. Jo për të qenë. Kur isha në intervistë te zonja Rudina Xhunga vitin e kaluar, sjelljet e tilla i quajti “fasadë” dhe kishte të drejtë.
Edhe ai gabim, më bëri të reflektoj. E njëjta sjellje që kisha parë para shitores – një përpjekje për të treguar respekt dhe mirësjellje ndaj të huajës, por jo të njëjtin trajtim për bashkëshorten. E zura vetveten me presh në dorë!
Shumë burra nga kultura patriarkale, trajtojnë mirë gratë e huaja, por jo gratë e tyre. Nëse ndihmojnë bashkëshorten, besojnë se po shndërrohen në burrecë, ndërsa nëse ndihmojnë jashtë, ndihen kavalier, si burra të vërtetë. Skizofreni!
Faturën për këtë hipokrizi ua dërgojnë nesër fëmijët – me një çmim shumë më të lartë dhe shumë më të dhimbshëm. Fëmijët nesër nuk do të pyesin se sa gra ke ndihmuar jashtë, por do të pyesin:
“Pse babi nuk u rrite kurrë dhe nuk e ndihmove kurrë mamin tonë, por prisje prej saj si ne që ishim të vegjël?”
Ai burrë që sillet ashtu, është një vogëlush i madh. Burrat e tillë presin gotën me ujë, si bebja shishen me qumësht!
Edhe sjellja ime më bëri të kuptoj se ne që vijmë nga kultura patriarkale, përpiqemi të tregojmë një imazh të mirë jashtë shtëpisë, ndërsa brenda saj nuk i japim të njëjtën vlerë respektit dhe barazisë.
Nuk mjafton vetëm të flasim dhe të qajmë për tragjeditë që na kanë shkaktuar pushtuesit apo diktatura – ata nuk ishin pjesëtarë të familjes sonë. Duhet të shohim edhe dramat që kemi shkaktuar ne burrat në shtëpitë tona, apo që i shkaktojnë ende sot. Kundër grave, bijave dhe motrave tona. Kundër përparimit tonë. Kundër gjysmës së kombi tonë.
Etërit tanë ishin viktima, nuk kishin faj, jetonin në një realitet tjetër dhe nuk dinin ndryshe. Nuk i ndihmonin bashkëshortet, sepse kishin frikë nga prindërit dhe nga rrethi. Mund të shiheshin si të nënshtruar ndaj grave! Ai konstatim mund t’i zhburrnonte ata.
Në kohën e etërve tanë lejohej rrahja, madje edhe nëpër shkolla. Por nëse ajo dhunë përsëritet në shtëpi në ditët e sotme, ato nuk janë më thjesht pasojë e një tradite, por janë shkelje ligjore, kundërvajtje apo vepra penale. Ato janë sjellje të njerëzve me çrregullime personaliteti dhe kërkojnë trajtim nga psikologu.
Mësimet që kemi marrë nga familja patriarkale, rrethi dhe shkolla ndikojnë aq thellë sa bëhen pjesë e karakterit dhe identitetit tonë, sikur gjymtyrët e trupit. Megjithatë, ndryshe nga trupi, bindjet e gabuara mund dhe duhet të ndryshohen.
Ky riedukim i vetvetes nuk është gjithmonë i lehtë, sepse në momente tensioni shpesh kthehemi te modelet e sjelljes që kemi mësuar më parë. Më mirë. Ato ndodhin vetvetiu. Në situata të tilla, kontrolli bëhet i vështirë, sepse na mungon inteligjenca emocionale. Empatia. Nxitojmë në veprime, përsërisim të njëjtat gabime dhe më pas pendohemi për to.
Njeriu i përkryer nuk jam dhe nuk pres prej askujt… gabimet janë pjesë e procesit të mësimit dhe ndryshimit!
Fundjavë të këndshme!

Artikuj të lidhur

Back to top button