
Nga Thoma Gellçi-
Para disa kohësh pothuajse të gjithë portalet dhe gazetat online të Shqipërisë, duke përshkruar operacionin e forcave speciale amerikane për kapjen e Nicolas Maduro në Venezuelë, u ndalën në një detaj të veçantë. Në shumë tituj u përmend një “armë e re” që quhej Anthropic. Portalet shqiptare e paraqitën si një teknologji sekrete që po përdorej për herë të parë në një operacion ushtarak.
Në fakt, Anthropic nuk është armë.
Anthropic është një kompani amerikane e inteligjencës artificiale që zhvillon modele të mëdha për përpunimin e të dhënave dhe gjuhës. Këto sisteme nuk janë raketa, dronë apo sisteme artilerie. Por ato mund të bëhen pjesë e sistemit që analizon informacionin dhe ndihmon në vendimmarrjen për përdorimin e armëve.
Përdorimi i inteligjencës artificiale në konfliktet e fundit sot në botë është shtuar dhe për këtë nuk po themi asgjë të re.
Në luftërat moderne algoritmi nuk është predha dhe arma. Por shqetësimi i sotëm është se nga një mjet ndihmës për përpunimin e të dhënave sot ai po kthehet në komandë. Ai po kalon nga procesi i analizës së të dhënave, identifikimit të objektivave dhe planifikimit të operacioneve në një vendimmarrës.
Në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë të dyja palët po përdorin inteligjencën artificiale për të përpunuar të dhëna nga dronët, radarët dhe satelitët.
Ukraina përdor sisteme analize që identifikojnë pozicione artilerie dhe lëvizje trupash duke analizuar video dhe imazhe satelitore në kohë shumë të shkurtër. Për t’iu kundërvënë teknologjisë bllokuese të valëve nga ana e Rusisë, Ukraina po prodhon dhe përdor dronë plotësisht autonomë, të cilët nuk marrin më komanda nga qendra por veprojnë të pavarur.
Rusia ka zhvilluar sisteme të ngjashme. Dronët e saj të zbulimit përdorin algoritme për njohjen e objekteve dhe analizën e terrenit, ndërsa sistemet e luftës elektronike përpunojnë në kohë reale të dhëna nga radarët dhe komunikimet për koordinimin e operacioneve si dhe në marrjen e vendimeve.
Në praktikë, lufta në Ukrainë është edhe një garë mes sistemeve inteligjente.
Përdorimi i kësaj teknologjie po shfaqet qartë në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme, ku përballen Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nga njëra anë dhe Irani nga ana tjetër.
Debati që po zhvillohet sot rreth inteligjencës artificiale në sektorin ushtarak prek një pyetje shumë më të madhe se sa një konflikt i zakonshëm mes një kompanie teknologjike dhe një administrate politike. Pyetja themelore është: a po afrohemi drejt një momenti historik kur sistemet inteligjente mund të zëvendësojnë njeriun në vendimmarrje, madje edhe në vendime që kanë të bëjnë me jetën dhe vdekjen?
Shembulli më i fundit i kësaj përplasjeje vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe përfshin industrinë e teknologjisë së avancuar dhe aparatin ushtarak amerikan.
Në qendër të debatit ndodhet kompania Anthropic.
Anthropic ka deklaruar publikisht se nuk e konsideron teknologjinë e saj si pjesë të mekanizmit që merr vendime operative ushtarake. Sipas kompanisë, inteligjenca artificiale mund të përdoret për analizë informacioni, përpunim të dhënash apo për asistencë në planifikim, por vendimet për përdorimin e forcës duhet të mbeten ekskluzivisht përgjegjësi njerëzore dhe, konkretisht, përgjegjësi e strukturave ushtarake.
E thënë më thjesht: kompania refuzon që sistemet e saj të përdoren për të vendosur se kur dhe ku duhet të kryhet një goditje ushtarake.
Për këtë arsye, Anthropic ka vendosur dy kufizime shumë të qarta në përdorimin e teknologjisë së saj. Së pari, sistemet e saj nuk duhet të përdoren për armë plotësisht autonome , pra armë që identifikojnë objektivin dhe vendosin vetë për të qëlluar pa ndërhyrje njerëzore. Së dyti, teknologjia e saj nuk duhet të përdoret për sisteme të mbikëqyrjes masive të popullsisë.
Këto kufizime kanë hapur një konflikt të drejtpërdrejtë me administratën e Donald Trump, e cila, sipas raportimeve të mediave amerikane, ka pezulluar çdo bashkëpunim të agjencive federale me kompaninë për shkak të kësaj vije të kuqe që ajo ka vendosur.
Argumenti i Pentagonit është relativisht i drejtpërdrejtë dhe reflekton logjikën klasike të garës teknologjike. Sipas këtij këndvështrimi, nëse Shtetet e Bashkuara nuk përdorin teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale në sistemet e tyre ushtarake, atëherë këtë do ta bëjnë rivalët strategjikë. Në këtë garë, vonesa teknologjike mund të përkthehet shumë shpejt në humbje strategjike.
Në sfondin e këtij debati qëndron një frikë shumë më e madhe: gara globale për inteligjencën artificiale, ku fuqitë kryesore botërore ,veçanërisht United States dhe Kina, po përpiqen të sigurojnë avantazh teknologjik edhe në fushën ushtarake.
Kjo është arsyeja pse shumë strategë në Pentagon argumentojnë se inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një teknologji civile apo ekonomike, por një faktor i ri në ekuilibrin e fuqisë globale, në të njëjtën mënyrë siç ishte energjia bërthamore në shekullin XX.
Por pikërisht këtu lind dilema më e madhe etike dhe politike: nëse algoritmet fillojnë të luajnë një rol gjithnjë e më të madh në analizën e informacionit dhe në rekomandimin e veprimeve, sa kohë do të kalojë para se ato të fillojnë të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në vendimet për përdorimin e forcës?
Me fjalë të tjera, edhe nëse askush nuk dëshiron që makinat të vendosin për luftën, vetë logjika e teknologjisë mund ta shtyjë sistemin pikërisht në atë drejtim.
Historia e teknologjisë ushtarake ka treguar gjithmonë të njëjtin model: çdo teknologji që mund të përdoret në luftë, herët a vonë përdoret. Pyetja nuk është nëse do të përdoret, por në çfarë mase dhe me çfarë kufizimesh.
Në këtë kuptim, konflikti mes industrisë së inteligjencës artificiale dhe aparatit ushtarak nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Ai është një debat mbi të ardhmen e vendimmarrjes në luftë dhe mbi kufirin mes njeriut dhe algoritmit.
Dhe ky kufi, për momentin, mbetet ende i paqartë.
Megjithëse këto janë probleme të fuqive të mëdha, kjo çështje prek edhe vende të vogla si Shqipëria. Jo sepse Shqipëria zhvillon teknologji të tilla. Ne nuk jemi një vend që shpik algoritme për luftërat e së ardhmes.
Pyetja që duhet të bëjë ushtria shqiptare është: a jemi në gjendje t’i kuptojmë dhe t’i përdorim këto teknologji?
Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe teorikisht pjesë e një infrastrukture ushtarake që po transformohet nga inteligjenca artificiale, nga dronët autonomë dhe nga sistemet satelitore.
Por në vend që të diskutojmë seriozisht për këtë transformim, shpesh e reduktojmë debatin në propagandë politike.
Dekretimi i një ministreje të re si simbol i modernizimit teknologjik është më shumë propagandë sesa realitet. Modernizimi ushtarak nuk bëhet me emra dhe me slogane. Nuk bëhet me deklarata për “epokën digjitale”. Ai fillon me diçka shumë më të thjeshtë: me njohjen reale të teknologjisë dhe me përgatitjen e njerëzve që do ta përdorin atë.
Është e vërtetë që Shqipëria nuk do të shpikë algoritmet e luftërave të ardhshme.
Por një vend që është pjesë e një aleance ushtarake moderne duhet të paktën të fillojë t’i mësojë ato mirë.
Sepse lufta po ndryshon. Dhe bota gjithashtu.



