Falë Inteligjencës Artificiale, realiteti është fshirë, kreativiteti është zëvendësuar. Nëse nuk e besoni, dëgjoni këto dy histori.
Një herë e një kohë ishte fotografia, e cila dokumentonte realitetin. Nuk mund ta mohoje të vërtetën, është fotoja që dëshmon të vërtetën. Por një ditë një artist nga Nju Jorku, Philip Toledano, porositi një mrekulli nga inteligjenca artificiale. Ai kishte krijuar projektin e titulluar We Are at War për një festival fotografie, me teste të sajuara në të cilat Robert Capa, fotografi i famshëm, dokumentoi D-day, ditën e zbarkimit legjendar në bregun e Normandisë. Gjithçka dukej e vërtetë, imazhet, fytyrat, telegramet. Por në fakt, asgjë nuk ishte e vërtetë, gjithçka ishte rezultat i një rindërtimi fiktiv të situatave dhe materialeve.
Iluzionizëm i pastër, vepër e të shkruarit në smartphone, me mbështetjen e Inteligjencës Artificiale, ose më saktë punë prej prestigjatorësh digjitalë. Toledano thotë: Ideja e fotografisë si e vërtetë humbet përgjithmonë. Një risi absolute, apo rikthim në epokën para fotografisë kur historia, përfaqësimi mitik, piktural, dëshmia gojore e dhënë duhet të provonte një ngjarje, pa asnjë vërtetim të pakundërshtueshëm. Jemi në surrealizëm historik, thotë artisti.
Tani e tutje imazhet nuk do të dëshmojnë më realitetin e gjërave, ato janë të lakueshme. Nga ana tjetër, mjerisht janë të njohura manipulimet që ndodhin në Internet, në rrjetet sociale, me fytyra dhe trupa, shpesh të të miturve, të cilat përdoren në skena të rreme erotike.
Edhe detyra e vëzhgimit prej policisë bëhet e vështirë, pasi pamjet kalojnë dorë më dorë dhe mund të rimodifikohen, shtrembërohen gjatë rrugës, derisa të humbasin gjurmët e fillesës.
Por duke iu rikthyer fotove false historike: një tjetër goditje vdekjeprurëse për kujtesën historike, për vërtetësinë e fakteve. Siç ka ndodhur tashmë në regjimet totalitare – Stalini bëri që figurat e regjimit të diskredituara dhe të eliminuara fizikisht të zhdukeshin nga fotot – ose siç ndodh në manipulimet e sotme të shërbimeve sekrete dhe dezinformatat filmike apo televizive, sot çdokush mund të manipulojë realitetin historik dhe të përziejë ngjarjet aktuale me ato fallco.
Fotografi është i emocionuar nga kjo mundësi e fshirjes së realitetit ose modifikimit të tij sipas dëshirës. Mund ta kthesh realitetin, thotë Toledano, të hysh në vende të paarritshme, të shohësh gjëra që askush nuk i ka parë dhe nuk mund t’i kishte parë kurrë. “Inteligjenca artificiale është tepër fleksibël, mund të jetë si një ëndërr apo një poezi”. Po, e bukur, por nuk është realitet, as e vërteta. A duhet të gëzohemi sepse realiteti po fshihet?
Meqë jemi tek poezia, Inteligjenca Artificiale arrin të simulojë edhe frymëzimin lirik, gjenialitetin poetik. Revista Scientific Report ka botuar kërkime të kryera nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Pitsburgut: një grupi prej 1600 personash iu dhanë të përziera, pesë poezi të shkruara nga poetë të mëdhenj, duke filluar nga Shekspiri, dhe pesë poezi të shkruara nga ChatGpt.
Qëllimi ishte të demonstrohej se lexuesit nuk e vërejnë ndryshimin, ata nuk dinë të dallojnë të vërtetën nga e rremja. Dhe sigurisht eksperimenti ishte i suksesshëm. Por mashtrimi është i dyfishtë. Jo vetëm ai i deklaruar nga vargjet e shkruara nga poeti dhe vargjet e shkruara nga Inteligjenca Artificiale.
Por mashtrimi i vërtetë është krijimtaria e rreme e makinës: ChatGpt gjeneron tekste përmes algoritmeve që mbledhin këngë nga një depo e madhe të dhënash. Ata peshkojnë për vargje në mare magnum-in e universit poetik, nuk ka fare frymëzim krijues.
Operacion matematik pa inteligjencë, montim i saktësisë së lartë teknologjike, por i pafrymëzuar nga një venë lirike dhe krijuese. Nuk ka asnjë poet të prekur pas atyre vargjeve, megjithëse nuk mund të përjashtohet që ato të prodhojnë emocione tek ata që i lexojnë.
Kemi treguar dy histori paralele ose ndoshta konverguese, në të cilat ndodh një gjë dhe ndodhin tre pasoja. Premisa është që kufijtë midis të vërtetës dhe të rremes, midis autentikes dhe falses, midis reales dhe të shpikurës kanë humbur.
Përdoruesi nuk di më të bëjë dallimin midis dy zonave, gjithçka është në mëshirën e Inteligjencës Artificiale. Pasojat që rezultojnë janë të tre llojeve. E para: realiteti, historia, faktet mund të zëvendësohen. E dyta: krijimtaria, frymëzimi poetik, gjenialiteti, mund të zëvendësohen. E treta: njeriu, si historia dhe si poezia, është i tepërt, ai mund të zëvendësohet. A duhet të gëzohemi apo të shqetësohemi për gjithë këtë, të festojmë apo të frikësohemi, të ekzaltohemi apo të dëshpërohemi? A është ky përparim për njerëzimin, apo një katastrofë?
Inteligjenca artificiale është e çmuar në shumë fusha, ndonjëherë na bën të jetojmë më mirë, zgjeron mundësitë tona të jetës dhe njohurive.
Megjithatë, me tre kushte. E para është se ne mund të dallojmë të vërtetën nga e gënjeshtërta, poezinë nga letrat tarot, poetin nga roboti; domethënë se ka ende mjete për të ndarë të parat nga të dytat.
E dyta është se fuqia e teknologjisë mund të balancohet me njohuri kritike, inteligjencë në shkallë njerëzore, një kulturë të aftë për të kompensuar rritjen e IA dhe njeriu mund të orientojë, filtrojë, kontrollojë dhe drejtojë Teknikën pa u drejtuar prej saj.
E treta është se zgjerimi i Inteligjencës artificiale mund të ndalet kur bëhet shqetësues dhe i rrezikshëm për njerëzimin dhe botën. Pra, njeriu të kalërojë tigrin dhe të mos tërhiqet zvarrë dhe në fund të dërrmohet. / bota.a