BlogKryesoreKultureOpinions

Intelektuali, korrupsioni dhe tundimi për t’u bërë turmë

Nga Rober Alia Dragoti-

Rastësia është e sinqertë. Nuk e kërkova.
Algoritmi ma propozoi dhe besoj se ka vënd për reagime, jo indiferencë.
Së pari, unë nuk jam intelektual, reagoj si artist, si qytetar kur konstatoj se si normalizohet ideja që intelektuali nuk ka më asnjë detyrim ndaj standardeve që dikur e përcaktonin si të tillë.
Nëse ai/ajo mund të adoptojë pa filtra gjuhën, sjelljen dhe logjikën e telerealitetit, atëherë çfarë e dallon nga çdo figurë tjetër e prodhuar nga industria e argëtimit?
Kur thotë “e bëj që të fitoj lekë” është të paktën e sinqertë, por sinqeriteti nuk e fshin dëmin. Ajo demonstron se vlera e vetme që i ka mbetur është vlera e këmbimit, redukton plotësisht rolin e intelektualit në një funksion tregu
Në këtë logjikë, çdo gjë bëhet e justifikueshme nëse ka një shpërblim ekonomik. Por pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: nëse intelektuali e mat veten me të njëjtat kritere si tregu i spektaklit, a mbetet ai ende intelektual?
Tridhjetë vjet pas rënies së regjimit monist, Shqipëria ka prodhuar një fenomen që asnjë teori tranzicioni nuk e parashikoi: zhdukjen e intelektualit si forcë autonome kritike.
Nuk po flas për mungesë diplomash që universitetet prodhojnë.
E kam fjalën për një formë jete që nuk ndahet nga forma e saj e të menduarit.
A duhet intelektuali, ai kapital simbolik i akumuluar, ti përshtatet prirjeve të turmave për arsye fitimi?
Nuk është morale, POR është funksionale thotë dikush.
Një shkrimtar që shkruan për një revistë komerciale por ruan zërin e vet nuk ka shitur asgjë esenciale.
Por kur hyn në një format televiziv i cili ka si raison d’être amplifikimin e instinkteve më primitive të audiencës, dhe aty jo vetëm që nuk kundërvepron, por kontribuon aktivisht, ke bërë diçka tjetër: ke shitur funksionin tënd, prodhimin e distancës kritike.
Pyetja që kam në rastin e Mimoza Ahmeti është një pyetje politike në kuptimin më themelor: Çfarë duhet të bëjë intelektuali kur realiteti përreth tij ka degraduar deri në pikën që turma e injorantëve nuk ka më nevojë për udhëzim, por për spektakël?
Dy modele të rreme i janë ofruar intelektualit shqiptar.
– I pari: përshtatja ndaj realitetit degradues të turmave.
– Modeli i dytë që në Shqipëri ka lulëzuar më shumë se kudo dhe ështê po aq i rremë, është përshtatja ndaj nevojave të propagandës institucionale të regjimit.
Të dyja opsionet janë gropë. Në të dyja rastet pushon së qeni intelektual në kuptimin e plotë të fjalës sepse ke pezulluar kapacitetin tënd gjykues dhe ke hyrë në modalitetin e thjeshtë të ekzistencës biologjike.
Dhe publiku shqiptar që vuan nga një deficit kronik i modeleve intelektuale, merr mesazh të qartë:
S’ka dallim mes Intelektualit dhe influencerit, mes poeteshës dhe personazhit analfabet të skandalit. Dhe kur s’ka dallim të dukshëm, turma zgjedh atë hierarki që i ofrohet më lehtë hierarkisë së audiencës.
Konkluzioni:
Një shoqëri që shtyp të drejtën për të reaguar, që humbet aftësinë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.

Artikuj të lidhur

Back to top button