Aktualitet/LajmeInvestigimKryesore

Informaliteti gri, mijëra punonjës, “viktima” të nëndeklarimit të pagave

 

Autore: Eliza Gjediku

Punonjësit e sektorit privat po përballen me fshehjen e pagave reale nga bizneset, i njohur ndryshe si “informaliteti gri”. Ky fenomen përfshin mosdeklarimin e rrogave dhe përfaqëson 24.8% të shkeljeve të konstatuara nga Inspektorati i Punës. Fenomeni nuk ka prekur vetëm punonjësit e pakualifikuar, por edhe profesionistët, përfshirë mediat, ndërsa, sipas INSTAT, mbi 773 mijë punonjësve nuk iu janë paguar sigurimet.

Sabiha. P., një vajzë e re, nuk i vijoi studimet për arsye ekonomike, por u punësua së bashku me të ëmën në një fabrikë këpucësh në zonën e 5 Majit.

Gjatë 15 muajve që punoi në fabrikën “I&B Shoes” sh.p.k., e reja tregon se në bankë i hidhej vetëm një pjesë e rrogës.

“Më hidhnin 24 mijë lekë në bankë dhe pjesën tjetër, prej 22 mijë lekësh, e merrja në dorë. Kështu ndodhte edhe me mamin, edhe pse nuk i kishim rrogat njësoj”, – shprehet 23-vjeçarja, e cila rrëfen se nuk iu paguheshin as siguracionet.

Gjatë vitit të kaluar fabrika u mbyll dhe dhjetëra punonjës nuk morën dot as rrogat e prapambetura. Sabihaja ka ende 3 paga pa marrë.

“Rroga nuk m`u dha, për arsye se pronari u arratis, nuk u duk më”,- thotë ajo, e cila, së bashku mekolektivin e punës, ka bërë ankesë edhe në polici, por nuk ka marrë përgjigje.

Njësoj si Sabihaja, edhe profesionistët e kualifikuar, përfshirë edhe gazetarët, janë prekur nga “informaliteti gri”, duke u detyruar që të pranojnë kushte të papërshtatshme pune.

“Me pagë të nëndeklaruar kam punuar 1 vit e gjysmë. Në bankë më kalonin 30 mijë lekë të reja, ndërsa pjesën tjetër e merrja në dorë”, – shprehet për INA Median një gazetare e një televizioni informativ, që nuk dëshiron të identifikohet.

Të njëjtin problem ndan edhe S. GJ., 29 vjeç, që punon në një mobilieri në periferi të Tiranës.

“Paga e deklaruar në bankë ishte 25.000 lekë dhe në dorë merrnim 30.000 lekë”, – thotë i riu, që prej tre vitesh firmos dy bordero.

Në mbarë Shqipërinë punonjësit e sektorit privat po përballen me abuzime me kontratat e punës dhe deklarimin me pagë minimale, duke krijuar një klimë pasigurie. I njohur ndryshe si “informaliteti gri”, që ka kaluar nga puna në të zezë, te nëndeklarimi, fenomeni nuk ka prekur vetëm bizneset, që operojnë me punonjës të pakualifikuar, por edhe profesionistët, përfshirë mediat.

Bizneset dhe institucionet, që kanë për detyrë, që ta monitorojnë sektorin, shkelin një sërë ligjesh, përfshirë Kodin e Punës, i cili në nenin 118 thotë se, “paga duhet të jepet plotësisht në bankë”; nenin 119 të Ligjit për Procedurat Tatimore, ku parashikohen gjobat mbi këtë fenomen e deri te Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm në nenet 37 dhe 38 të tij.

Sipas INSAT, në Shqipëri deri në fund të vitit 2023 ushtronin aktivitetin e tyre 130.338 ndërmarrje ekonomike. Të dhënat publike ekspozojnë zyrtarisht abuzimet me kontratat e punës. Referuar shifrave të INSTAT, në fund të muajit mars 2024 në sektorin privat (përjashtuar bujqësinë), janë të punësuar 1.324.773 persona, por vetëm 551.610 janë me sigurime; që do të thotë se 60% e të gjithë të punësuarve ose 773 mijë punonjësve nuk iu paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore.

Shifra nga INSTAT mbi punësimin në Shqipëri

Pjesa më e madhe e këtyre punonjësve nuk e arrijnë as pagën mesatare që ka vendi, që, sipas INSTAT, deri në fund të muajit mars ishte 73.641 lekë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gati 1/3 e totalit të të punësuarve në vend kanë pagë minimale. Referuar shifrave zyrtare, 25.8% e punonjësve ishin me pagë minimale, 20% marrin nga 40-50 mijë lekë dhe 9.4% marrin nga mbi 50 mijë lekë deri në 60 mijë lekë.

Shifra nga INSTAT mbi nivelin e pagave në Shqipëri

Ekspertët e lidhin fshehjen e pagave nga bizneset me shmangien e tatimeve.

“Mendojmë se ulin kostot dhe shpenzimet, po ashtu kanë lehtësi për t`i ndryshuar pagesat; fshehin të ardhurat apo kanë të ardhura në të zezë”, – thotë drejtuesi i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha.

Efektet kanë filluar që të ndihen në skemën e pensioneve, ku për herë të parë këtë vit numri i atyre, që përfituan një pension të pjesshëm, ishte më i madh se i atyre me pension të plotë. Po ashtu, personat, që dolën në pension këtë vit, përfituan një shpërblim pleqërie më të ulët sesa pensioni mesatar, që ekspertët e lidhin me punën në të zezë dhe nëndeklarimin e pagave.

Mbyll fabrikën, mban peng pagat e punonjësve

Një nga sektorët më të prekur nga mosdeklarimi i pagave është fasoneria. Ky sektor deklaron rreth 65 mijë të punësuar në 700 sipërmarrje.

Vitet e fundit ky sektor po përballet me vështirësi të shumta, si pasojë janë mbyllur mbi 10 mijë vende pune dhe 40 fabrika kanë shpallur falimentin.

Sabihaja shpjegon se kishte kërkuar disa herë që paga t`i kalonte e plotë në bankë, por punëdhënësi i kishte vënë si kusht, që të gjitha taksat do të mbaheshin nga pjesa e punëtorit.

“Pronari më tha që duhet t`i paguaja vetë tatimet”, -thotë e reja.

Kreu i shoqatës “ProEksport Albania”, Edvin Prençe, thotë se për ta shmangur këtë fenomen duhet të krijohen politika sociale, mbështetëse.

“Kemi kërkuar ndërhyrjen e shtetit me një fond punësimi, që funksionon në të gjithë Europën dhe që do ta zgjidhte pikërisht këtë problematikë, por qeveria troket gjithmonë për të marrë, por nuk ka politika sociale/ekonomike për të mbrojtur sektorë të rëndësishëm dhe vendet e punës”,thotë Prençe.

Inspektorati i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore pranon se ka pasur ankesa për mosdhënien e pagave nga fabrikat e mbyllura, por sqaron se nuk është kompetencë e tyre trajtimi i rastit, kur subjekti mbyll aktivitetin. Bazuar në të dhënat e vëna në dispozicion nga Inspektorati i Punës, nga 800 ankesa të bëra një vit më parë, 177 ankesa ishin për mosdhënie page, nga këto ankesa 10 i përkasin sektorit të fasonerisë, ku në pjesën më të madhe fabrikat kishin mbyllur aktivitetin.

“Nga hetimi administrativ ka rezultuar se 15.5% e subjekteve fasoneri kanë mbyllur aktivitetin e si rrjedhim ISHPSHSH nuk mund t`i ushtojë kompetencat në subjekte të mbyllura”, – thotë Inspektorati.

Gazetaria në “kthetrat” e pagave

I konsideruar si pushteti i katërt, edhe punonjësit e sektorit të medias po përballen me paga të nëndeklaruara apo vonesa, që shkojnë në disa muaj.

Amela (emri i përdorur nga INA Media), e la vendin e punës një vit më parë pikërisht për shkak të vonesës me disa muaj të pagës.

“Kam 5 muaj pa marrë pagën dhe këto 5 muaj janë paga të plota; as pjesën e bankës nuk ma kanë kaluar. Kam tentuar disa herë të flas me pronarët apo me financën, por asnjëherë nuk më janë përgjigjur”, – thotë ajo.

Media, ku ajo punonte, u gjobit pas ankesës që e reja bëri tek Inspektorati i Punës, por ajo ende nuk i ka marrë pagesat e prapambetura.

Përgjigja e Inspektoriatit të Punës për gazetaren që nuk ka marrë pagat

Edhe në këtë kompani mediatike operohej me dy bordero dhe pagesat nuk bëheshin asnjëherë në kohë.

“Pjesa e dorës vononte edhe 2-3 muaj. Që në fillim kam kërkuar që të deklarohej e plotë paga në bankë, por përgjigjja ishte se, kështu funksionon”, – thotë gazetarja.

Mosdhënia e pagave nuk është një fenomen i panjohur për institucionet shtetërore.

Këtë vit, nga janari në korrik, janë bërë 389 ankesa, nga të cilat 95 ankesa janë për mosdhënie të pagave të prapambetura.

Punonjësit sezonalë, pa siguracione

I konsideruar një sektor prioritar edhe turizmi noton në informalitet. Për Ergi B., 20 vjeç, kjo ishte vera e tretë që punonte si kamerier në një hotel në bregdetin e Jonit. Atij, jo vetëm që nuk i është deklaruar paga e plotë, por ka pasur raste, kur nuk është deklaruar fare si punonjës.

“Me pagë të padeklaruar kam punuar për 3 vite. Një vit pagën ma deklaruan për gjysmë turni dhe ka qenë rreth 17.500 lekë, një vit tjetër m`u deklarua për turnin e plotë, diku te 50.000 lekë. Vitin e parë kam marrë në dorë 30.000 lekë, vitin e dytë, diku te 35.000 lekë dhe vitin e tretë, vetëm shtesën, që ishte 25.000 lekë”, – përfundon ai.

Kreu i Shoqatës së Bareve e Restoranteve, Enri Jahaj, thotë se bizneseve iu intereson që të deklarojnë paga të ulëta, por, nga ana tjetër, bën me faj edhe punonjësit, të cilët duan ta marrin pagesën bruto.

“Punonjësit sezonalë shohin vetëm që të marrin sa më shumë pagë për vete dhe në asnjë moment nuk e kuptojnë që kanë edhe ata detyrime karshi pagesës”,thotë Enri Jahaj.

Sipas tij, përballja me mungesën e fuqisë punëtore e ka detyruar këtë sektor që të rrisë pagesat. Në Tiranë, po sipas tij, pagat për banakierët nisin nga 60 mijë lekë, për kamerierët, 40 mijë lekë, shifra që dyfishohen në sezonin veror.

“Në sezon për një banakier paga fillon nga 1.000 €, kurse për një kamerier minimalisht është 800 euro. Për pjesën e pastrimit hotelet sezonalë ofrojnë rroga nga 1.000 euro e lart, por nuk ka staf”, – shpjegon ai.

Punësimi në të zezë dhe informaliteti në të gjitha format, që kulmon në hoteleri-turizëm gjatë sezonit turistik, e ka shtyrë Inspektoratin që ta bëjë pjesë të planifikimeve për monitorim këtë sektor. Vetëm në gjashtë muajit e parë të këtij viti janë ushtruar 278 inspektime në total nga inspektorët, ku janë identifikuar 195 punonjës pa kontratë pune dhe 116 të tjerë, tërësisht informalë.

Përgjigja e Inspektoriatit të Punës për INA media mbi inspektimet në sezon turistik

Punonjësit, të pafuqishëm

Drejtuesi i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha, thotë se problemet, me të cilat përballen sot punonjësit, nisin që nga mosdhënia në kohë e pagës, nga mospagesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ndërprerja e marrëdhënies së punës për shkaqe të padrejta, mospagesa e punës jashtë orarit, si dhe mosdhënia e lejes vjetore, të paguar në sektorin privat

Sipas tij, punonjësit e pakualifikuar janë më të diskriminuar nga informaliteti.

“Veçanërisht sektori i shërbimeve tregtare, baret, restorantet, turizmi, sidomos të punësuarit sezonalë, ndërtimi”,rendit ai.

Punonjësit pranojnë se fshehja e pagave nga bizneset është kundërshtuar nga ata, por, pavarësisht ankesave, nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Kemi kërkuar, që rroga të hidhej në bankë, por pronari na kërcënonte me ulje page për shkak të taksave”, – thotë S. G j.

Edison Hoxha mendon se ky fenomen do të zhduket, vetëm nëse punonjësit denoncojnë në Tatime, por këtë hap e sheh me skepticizëm për shkak të mungesës së besimit.

“Detyrohen nga punëdhënësit, që ta pranojnë këtë metodë, ndërsa, nga ana tjetër, refuzojnë që të denoncojnë, pasi s’kanë besim tek institucionet. Masivisht mendojnë se përfaqësuesit e tyre bashkëpunojnë me punëdhënësit për interesa korruptive”, – shprehet drejtuesi i Qendrës për të Drejtat në Punë.

Vetë punonjësit dëshmojnë se,“kur vinin kontroll, mbyllnim derën dhe ata pa sigurime i fshehim”.

“Tatimet vinin shumë shpesh, po gjatë kohës që ishin Tatimet të gjithë fshiheshim, ca iknin te çadrat në plazh dhe ca të tjerë ndërroheshin dhe dilnin si klientë në lokal”, – thotë për INA Median një kamerier.

Për Klodian Muçon, ekspert i ekonomisë, në shumicën e rasteve punëmarrësit vihen përpara presionit dhe e vetmja mundësi për të negociuar pagën, që kërkojnë, është vetëm në këtë formë, pra një pjesë në dorë e tjetra në bankë.

Inspektorati i Punës thotë se informaliteti gri (jo punonjës të padeklaruar), ku përfshihet edhe mosdeklarimi i rrogave, përfaqëson 24.8% të shkeljeve totale në subjektet e inspektuara.

Përgjigja e Inspektoriatit të Punës për INA media mbi inspektimet në biznese

Fenomeni i nëndeklarimit të pagave u pranua edhe nga vetë kryeministri, Edi Rama, në Asamblenë e Partisë Socialiste, më 8 shtator 2024, duke deklaruar se, do t`i trajtojë ata që fshehin pagat si “hajdutët e energjisë”.

“Rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistët në vitet në vijim nuk mund të jetë domethënëse, nëse nuk i japim të gjithë bashkë, si shtet, qeveri dhe shoqëri, si sipërmarrje, një goditje domethënëse fenomenit të fshehjes së pagave. Ata, që s’iu paguajnë sigurimet, sipas pagës, do t`i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”, – tha kryeministri, Edi Rama, më 8 shtator 2024.

Foto nga ‘Databaza e pagave Prill 2021’

Pas daljes së databazës së pagave gjatë vitit 2022, kur paga e një pedagogu ishte e njëjtë me një roje, u ngrit një task-forcë anti-informalitet. Si pasojë, më shumë se 150 mijë punonjësve iu rrit paga pas rreth 10 mijë letrave, që Tatimet iu dërguan bizneseve, por sërish biznesi ka ngecur në spiralen e mosdeklarimit të pagave të plota.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, thotë se nuk disponon shifra për numrin e punonjësve me paga të nëndeklaruar, “por në të gjitha nismat e ndërmarra ndiqet praktika me bazë risku për të identifikuar këto raste”.

“Nëndeklarimi i pagave mund të themi që prek nga pak të gjithë sektorët”, – thotë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Administrata Tatimore sqaron se përgjatë viteve 2020-2021 ka konstatuar 1094 punonjës të padeklaruar, ndërsa për të njëjtën periudhë deklaron se kanë mbërritur 404 denoncime për punonjës të padeklaruar dhe paga joreale.

Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të vetë Tatimeve, borxhet e bizneseve për mospagim të sigurimeve shoqërore arritën në 22,5 miliardë lekë nga 20.5 miliardë lekë, që ishin në vitin 2022.

Nga ana tjetër, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Sociale, që është organi përgjegjës për garantimin e legjislacionit të punës, thotë se, jo vetëm që nuk i ka mbërritur asnjë ankesë, por e ka të pamundur që ta “hetojë” nëndeklarimin.

“Nga verifikimi i dokumenteve haset shpesh që nuk është paga e dakordësuar në kontratën individuale të punës, por ajo e dakordësuar verbalisht, apo edhe raste kur nuk kanë pasur të lidhur kontratë individuale pune, të cilat rrjedhimisht e vështirësojnë verifikimin e pretendimeve”,pohon ISHPSHSH.

Për ekspertët, institucionet janë marrë vetëm me aksione të përkohshme, por nuk e kanë kuruar problemin që në burim.

“Është e vështirë që të identifikohet paga në dorë e në bankë, edhe nga Tatimet, edhe nga Inspektorati. Duhet të luftohet fillimisht informaliteti dhe më pas punësimi në të zezë”, – komenton eksperti, Muço.

Bizneset, pa staf

Sipas shifrave zyrtare, të siguruara pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), vetëm në gjashtë muajit e parë të vitit janë shpallur 13.300 vende të lira pune nga 5.330 subjekte në të gjithë vendin.

Profesionet më të kërkuara, thotë AKPA, janë në fushën e teknologjisë së informacionit, kryesisht për zhvillues software, inxhinierë IT, specialistë në sigurinë e informacionit;por pas nuk mbeten kërkesat e shumta për staf në hoteleri-turizëm, ku bizneset kërkojnë që nga punonjës pastrimi, kamerierë, banakierë, kuzhinierë e deri menaxherë hoteli etj.

Për punonjës vuajnë edhe sektorë të tjerë të marketingut, komunikimit, financës, inxhinierisë, ndërtimit e deri tek industria nxjerrëse dhe përpunuese, megjithatë tregu po vuan për krahë pune. Hendeku mes aftësive profesionale dhe pakënaqësive për kushtet e punës po rritet vazhdimisht.

“Problemet kryesore, që shfaqen në tregun e punës, lidhen me mospërputhjen mes aftësive dhe kërkesave. Shpeshherë, punëkërkuesit nuk i kanë aftësitë specifike, që kërkohen nga punëdhënësit, si arsimimi, eksperienca në punë, mosha etj. Ndërkohë, nga ana tjetër, punëkërkuesit nuk janë të kënaqur me kushtet e punës, pagën etj.”, – thotë AKPA në një përgjigje zyrtare.

Kreu i Shoqatës së Bareve e Restoranteve thotë se situata nisi të përkeqësohej menjëherë pas pandemisë dhe shpëtimi po shihet te punëtorët e huaj.

“Situatën po e përballojmë, duke marrë staf nga jashtë për punët bazike dhe duke e fokusuar stafin vendas në punë më specifike”, – thotë Jahaj.

Por, shifrat zyrtare, të siguruara nga INA Media, tregojnë se as të huajt nuk e shpëtojnë ekonominë nga kthetrat e mungesës së punonjësve. AKPA thotë se në 5 vitet e fundit janë pajisur me dokument pune 30.323 shtetas të huaj, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2024 kanë marrë miratim punësimi 2.337 shtetas të huaj.

  2019 2020 2021 2022 2023
Leje Pune 2210 2094 3438 6411
Vërtetime Punësimi 1608 1247 1596 1894
Miratime punësimi 9825
Total 3818 3341 5034 8305 9825
Shifra nga AKPA për punësimin e të huajve

Edhe pse të huajt janë kthyer në kërcënim për fuqinë punëtore në vend, pasi shpesh politika e biznesi po i përdor si presion për të mbajtur stafet ekzistuese, Edison Hoxha thotë se Shqipëria përdoret vetëm si trampolinë për të emigruar në Europë.

“Një pakicë e papërfillshme mbetet në vend në afatgjatë. Në një moment të dytë edhe ata synojnë largimin për të njëjtat arsye, që largohen edhe shqiptarët: paga të ulëta, mungesë të kushteve në punë, mungesë meritokracie e perspektive për të ndërtuar një të ardhme të sigurt në punë për veten dhe familjen”, – rendit disa nga shkaqet Hoxha.

Pensionet e pësojnë nga nëndeklarimi

Nëndeklarimi i pagës dhe puna në të zezë po i ndëshkon pensionistët. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), është rritur ndjeshëm numri i personave që dalin në pension të pjesshëm, duke përmbysur raportet.

Sipas ISSH, nga 590.649 persona me pension pleqërie, urban në fund të vitit 2023, kur janë edhe të dhënat e fundit, për herë të parë numri i atyre që marrin një pension të pjesshëm, pleqërie është më i madh sesa numri i atyre që marrin një pension të plotë, pleqërie. Më konkretisht, 293.277 persona ose 49.5% e atyre që kanë mbushur moshën e pensionit, përfitojnë një pagesë të plotë, pleqërie, ndërsa 50.5% marrin pension të pjesshëm.

Shifra nga Instituti i Sigurimeve për numrin e pensionistëve

Kjo situatë lidhet me informalitetin, pasi punësimi në të zezë bën që të mos plotësohen vitet e punës, për të marrë pensionin e plotë.

Një tjetër shifër e ISSH, që tregon për pasojat e rënda, është edhe vlera e pensioneve të reja, që lidhet direkt me deklarimin e pagës. Pensionet e reja, të lidhura vjet, ishin 15.5 mijë lekë, nga 15.1 mijë lekë që ishin në vitin 2022, ndërkohë që pensioni mesatar në vend përllogaritet në 18.341 lekë. Pra, pensionet e reja po dalin më të ulëta sesa mesatarja.

Shifra nga Instituti i Sigurimeve për vlerën e pensioneve

Për Klodian Muçon e gjithë kjo skemë rëndon xhepin e qytetarëve, por edhe buxhetin e shtetit. Sipas tij, nëse paguan kontributet e plota për çdo pagë 40 mijë lekë, 10 mijë lekë mbahen për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, nga ku një pjesë shkon për fondin e pensioneve.

“Tundimi për të paguar në të zezë është shumë i lartë. Ajo që po ndodh aktualisht në vendin tonë, është nëndeklarimi. Pra, punësimi në tregun e zi ndodh më shumë në nëndeklarim, pasi futet në lojë edhe tatimi mbi të ardhurat”, – thotë eksperti, Klodian Muço.

 


Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button