Aktualitet/LajmeBlogKryesore

Imazhi, binishi dhe gomari

Nga Çapajev Gjokutaj-
Njeriu është i ndjeshëm, ndaj s’e duron fjalën e rëndë. I thua gomar hidhet përpjetë, ia hipën në kurriz, të mba gjithë jetën e nuk bëzan.
Bukur, thashë me vete kur lexova këtë shpoti që thonë se e ka thënë Azis Nesini. Kullon ironi, në pamje të parë pohon se njeriu është i ndjeshëm, në nëntekst thotë se i është bërë lëkura shollë, më keq se e gomarit. Hidhet përpjetë për një fjalë goje të thënë në çast, po duron ta vjedhin e ta nëpërkëmbin gjithë jetën. Shqetësohet për etiketën, po s’ia ndjen hiç për uthullën që po ia shesin si verë.
Ndodh kështu, thashë me vete, ngaqë shumë njerëz nuk para e vrasin mendjen, veprojnë me intuitë e për hir të zakonit dhe jo me logjikë e arsye.
Kur u thellova një çikë më shumë, dmth kur vura në punë logjikën dhe jo paragjykimet, më erdhi në ndihmë psikologjia. Krejt e natyrshme, thashë, sharja ‘gomar’ perceptohet në çast dhe ngjall reagim reaktiv, ndërkohë që nëpërkëmbja e shfrytëzimi realizohen pak e nga pak, nëpër muaj e vite. Ajo që përjetohet në çast ngjall emocione dhe reagime të forta, ajo që përjetohet në rrjedhën e kohës bëhet zakon dhe nis e të duket e zakonshme.
Gjithsesi edhe ky shpjegim nuk po më dukej qind për qind bindës, ndaj po provoja t’i qasesha problemit ‘njeri vs gomar’ në rrafsh socialhistorik. Në shoqëritë tradicionale, ku oralja luan rol të madh dhe ku nami e namuzi vlerësohen shumë, doemos që etiketimi dhe fyerja në publik peshojnë e bëhen burim sherresh. Në shoqëritë moderne, vazhdova, marrin më shumë vlerë gjërat reale e pragmatike, s’të pyet njeri nga vjen e i biri i kujt je, ke veshur kostum apo xhinse, po çfarë je i zoti të bësh për vete e për të tjerët.
Kundërvënia ‘kostum – xhinse’ s’di pse më solli në mend anekdotën e Nastradinit që, kur vajti në gosti i veshur dosido s’ia varën, kur vajti me binish mëndafshi e vunë në krye dhe Nastradini nisi të ‘ushqente’ xhybenë e t’i thoshte ‘ha binish mish’. Për dreq menjëherë pas kësaj m’u kujtua parimi ‘imazhi është gjithçka’, parim që mbizotron kohën tonë dhe që është njësoj sikur Nastradini të ngrigej nga varri e të thoshte: më falni, binishi është gjithçka.
Meqë qasja social historike po më ngatërronte keq e po hiqte kufijtë e klonizuar mes tradicionales e modernes dhe sidomos kufijtë e stërshenjtë mes oksidentales dhe orientales, u ktheva të pleqëroj një gjë më të thjeshtë: gomari është kafshë fisnike, punëtor si ai, pa pretendime për shalë, fre, yzengji e tagji të fisme, madje edhe me goxha intelekt. Kur ka gjithë këto merita, pse e përdorim për të sharë e poshtruar tjetrin?
Dhe më tej akoma: kur një gjë të thjeshtë e konkrete si gomari nuk e njohim dhe vlerësojmë dot, merre me mënd se ç’katranosim kur gjykojmë orientalen dhe oksidentalen, modernen dhe tradicionalen, racionalen dhe intuitiven e të tjera gjëra që vështirë se mund të hyjnë në sirtarët e ngushtë të paragjykimeve tona.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button