
Nga Sebastian Zonja-
Pak javë më parë qarkulloi një lajm se Serbia kishte marrë armatim të avancuar kinez dhe e kishte modifikuar nëpër avionët e saj MIG. Aktualisht, Beogradi po zhvillon stërvitje ushtarake në kufi me Kosovën. Neutraliteti ushtarak i Beogradit – as me NATO-n, as me sino-rusët – është njëri prej elementeve që duhet theksuar. Ndërkohë, retorika e presidentit Aleksandër Vuçiq se boshti Tiranë – Prishtinë – Zagreb (NATO) përbën kërcënim duhet marrë seriozisht.
Armatimi me pajisje kineze dhe stërvitjet e përbashkëta serbe me Pekinin janë duke rikonceptuar arkitekturën e sigurisë ballkanike dhe të këtij cepi në Evropë.
Në shumicën e rasteve, sipas një mendimi të konsoliduar ekspertësh, arsyeja e luftërave është keqllogaritja e fuqisë dhe aftësia e rezistencës së armikut. Aktualisht, shumë ushtarakë thonë se rusët bënë në Ukrainë të njëjtin gabim që amerikanët kryen me Iranin. Ajo që do duhej të ishte fushatë ushtarake disa javore ka marrë udhën për të shkuar drejt një lufte.
Edhe në Ballkan, duke parë këto mitologjitë tona, shto shovinizmat serbe me fe dhe territore, mundësia që të ndizet ndonjë konflikt rajonal nuk është e pamundur. Por kjo, aktualisht, nuk është në interesin e asnjërës palë. Kuptojmë nga kjo që po ndodh nëpër botë se askush nuk do vijë të thotë ndonjë llaf për ta përfunduar konfliktin, veçse do i hedhin benzinë zjarrit me e zgjeru sa më shumë.
Aktualisht, teksa sytë i kemi nga lufta me Iranin dhe ajo në Ukrainë, një konflikt tjetër është ndezur, për të cilin flasim shumë pak. Është ai mes Pakistanit ( fuqi bërthamore ) dhe Afganistanit ( cilësuar varreza e perandorive ). Nuk i japim shumë vëmendje sepse s’ka asnjë ndikim në ekonominë botërore apo arkitekturën e madhe të sigurisë. Tek-tuk ka disa diplomatë indianë dhe kinezë që shkojnë në Islamabad dhe Kabul sepse nuk duan luftë në kufijtë e tyre, as flukse migratore.
Kështu edhe kjo puna e konflikteve në Ballkan. Shpeshherë lexon komente se ne kemi Amerikën, ata kanë Kinën; ne kemi Evropën, ata kanë Rusinë. Realisht, nëse nuk tregojmë maturi, asnjëri prej këtyre aktorëve s’e ka shumë mendjen se çfarë po ndodh këtej.
Jemi në autopilot.
Rajoni ynë s’ka asnjë rëndësi ekonomike për botën. S’kemi asnjë rëndësi demografike për botën. As prodhojmë ndonjë gjë, as treg nuk jemi. Jemi veçse një grup shtetesh të vogla që kemi në krye disa pushtetarë që llogaritë i bëjnë vetëm si të rrinë në pushtet sa më gjatë, me mafie, korrupsion, vjedhje e grabitje sistemike. Popullsia zvogëlohet përditë në çdo shtet ballkanik dhe perspektiva për integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian është duke u zbehur.
Nëse duam të ruhemi nga yshtjet e të mëdhenjve që të përplasemi me njëri – tjetrin është mirë të tregohemi të matur dhe diplomatë. Nëse duam të kthehemi në arenë beteje e megalomanisë dhe krenarisë boshe, siç na thonë disa të ashtuquajtur strategë në Prishtinë e Tiranë se “ne jemi kufiri i Perëndimit me Lindjen; ne Evropa dhe Amerika, ata Rusia dhe Kina”, kjo mund të ushqejë probleme më të mëdha rajonale. Nuk mungon kjo megalomani në Beograd që e përkthen veten si mbrojtëse e vlerave të mëdha të qytetërimit perëndimor dhe lindor njëkohësisht. Duhen marrë masa kundër shovinizmit serb, por kjo bashkë me diplomaci të rafinuar mos i dhënë shkas Beogradit t’i afirmojmë propagandën që po stis me armatimin që po merr, sikur ne po e fusim në cep, por ai është si luani që do na hidhet në fyt të gjithëve për të mbrojtur veten.



