KryesoreKulture

Hirushja e letërsisë shqipe

Nga Dashnor Kokonozi-
Nuk është se kam plane sistematike për radhën e librave që lexoj, aq më tepër kur mbi tavolinë më rri ende ndonjë libër që e kam blerë vite më parë. Megjithatë, një nga romanet e fundit të shkrimtares Rajmonda Belli, “Koha në mes” e kisha lënë mënjanë për ta marrë me vete gjatë një udhëtimi të afërt.
Dhe kështu do të ndodhte, sikur të mos e kisha hapur rastësisht dhe të mos kisha lexuar frazën e tij të parë (incipit): «Deri në njëfarë moshe kujtoja se gjyshërit ishin prindërit e mi.»
Një frazë aq e thjeshtë e spontane, që brenda natyrshmërisë së saj kishte një tingëllim të tillë që thuajse më shqetësoi.
Ishte një thirrje e butë, por e prerë, që të ftonte të hyje në një botë ku kujtesa dhe identiteti nuk janë kurrë të dhëna, por të fituara me dhimbje.
Pra, aq mjaftoi për t’u kredhur në faqet e këtij romani që kishte të gjithë përbërësit e një letërsie të mirë. Nëse do të përmblidhej në dy fjalë, ai trajton me hollësi historinë e familjes së Terzinjve. Nuk njoh detaje nga familja e autores dhe, rrjedhimisht, nuk di të ndërtoj paralele, por natyrisht as që është e nevojshme. Kur ulesh të lexosh një roman, as nuk është parakusht dhe as nuk lind nevoja për një gjë të tillë. Para lexuesit kalon një lëndë e rëndësishme jetësore që, pak nga pak, të tërheq në hullinë e ideve të autores, e cila analizon ndikimin e ngjarjeve historike, të politikës dhe ideologjisë, të thyerjeve të mëdha në jetën e individëve dhe të familjeve. E përkthyer në një gjuhë tjetër, kjo nënkupton përjetimin e traumave të thella psikologjike e emocionale që shenjojnë katër breza përballë ndryshimeve historike.
Në një dimension tjetër, romani eksploron vetë kohën si një dimension metafizik.
Ngjarjet shtrihen thellë në kohë dhe, me këtë rast, vlerësoj edhe evoluimin e gjuhës së romanit për të qenë në koherencë me periudhat historike disi më të largëta. Por shpejt nuk mungojnë as kadencat e një gjuhe tjetër, më të afërt me ne, që përcjell tingëllimën e ashpër të luftës së klasave me pasojat e saj, plagët që hapen, por edhe përpjekjet e personazheve për të mbijetuar, për të ruajtur dinjitetin, kohezionin familjar dhe atë lloj rezistence të heshtur që shfaqet në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë.
Përtej këtyre zhvillimeve të subjektit, që meritojnë një analizë shumë më të gjerë, nuk mund të mos vlerësoj elementët e rinj që, me rastin e këtij romani, prekin tërësinë e zhvillimeve tona letrare: “Koha në mes” paraqitet si një gjini letrare jo fort e rrahur. Në fakt, jemi para një sage të vërtetë familjare. Pikërisht kjo përpjekje e autores më ka tërhequr shumë vëmendjen gjatë këtij leximi: përmasa e saj kronikale. Kjo formë romanore, me një potencial të fuqishëm narrativ, ndoshta duhej të ishte zhvilluar më herët në letërsinë shqipe, dekada më parë. Por të gjithë e dimë se, për realizmin e thellë që kërkon, ajo nuk mund të shfaqej më parë.
Vetiu me kohë, akumulohen shumë gjëra që nuk janë thënë, ose janë thënë në mënyrë fragmentare. Duket se Gjençaj e ka ndjerë se duhej parë mundësia e një forme të tillë për të derdhur një material aq të madh jetësor, që shtrihet në kufijtë kohorë të thuajse një shekulli — dhe që rezultoi të ishte shekulli më dramatik në historinë e vendit.
Kjo është arsyeja pse Rajmonda Belli Gjençaj më është dukur si një Hirushe e letërsisë shqiptare: një zë që ka punuar në heshtje, me përkushtim dhe vullnet, duke sjellë romane që ndërtojnë afreske të plota të jetës sonë, me realizëm, me ngjyra, me një ndjeshmëri që nuk kërkon të bëjë zhurmë, por të mbetet.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button