Aktualitet/LajmePolitike

Hetimi ndaj Ballukut/ Kontrolle te biznesmeni Rrok Gjoka, pyetet edhe vartësja e saj

Prokuroria e Posaçme vijon hetimet ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Pjesë e kontrolleve ka qenë edhe biznesmeni Rrok Gjoka, fitues i disa projekteve infrastrukturore në vend, ndërsa është marrë në pyetje edhe drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku.

Kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme, me qëllim sigurimin e provave që mund t’i shërbejnë hetimit. Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur fillimisht për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe për të gjitha lotet e Unazës së Madhe në Tiranë, si dhe për koncesionin Thumanë–Kashar.

Emri i saj u përfshi në hetim pas përgjimeve të gjetura në telefonin e ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberi, i cili u arrestua gjatë vitit 2024. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar arrestimin dhe heqjen e imunitetit të Ballukut, kërkesë e dorëzuar rreth dy javë më parë në Kuvend.

Megjithatë, mazhoranca ka vendosur të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimin e kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra, duke i mundësuar Ballukut të vijojë ushtrimin e funksionit edhe për një periudhë tjetër.

Artikuj të lidhur

Back to top button