InvestigationsInvestigimKryesore

Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës “mbetet rrugëve”, ndërsa ha fonde shtese pa garë

Punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë tejkaluar afatin, ndërsa shteti shqiptar ka marrë një tjetër kredi për punime shtesë. Kjo ka çuar në rritjen e kostos: nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A., tashmë kostoja ka arritur në 91.7 milionë, thuajse aq sa kërkuan dy kompanitë e tjera që u skualifikuan. Shtesat miliona eurosh për fonde janë zhvilluar pa garë, me justifikimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së punës. Një pjesë e punimeve kryhen nga kompania shqiptare “Prima Energy”, pa eksperiencë të mëparshme në këtë sektor.

Redaksia

Më 16 tetor 2024, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi mbërritjen në Shqipëri të një makinerie moderne të quajtur Tamping ose, thënë ndryshe, makina “rrahëse”. Sipas saj, kjo makinë do t’u jepte hov punimeve për rikonstruksionin dhe ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.

Ky njoftim për punimet e hekurudhës është i disati i bërë nga ana e ministres Balluku prej 3 shkurtit 2021, kur ajo, së bashku me përfaqësues të Delegacionit Europian në Tiranë; të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); përfaqësues të iniciativës Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), si dhe ambasadorin italian Fabrizio Bucci, ishte e pranishme gjatë nënshkrimit të kontratës mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane “INC S.P.A., që u shpall fituese e tenderit të këtij projekti që shpresohet të rijetëzojë segmentin kyç të rrjetit hekurudhor shqiptar.

Asokohe, Balluku deklaroi se hekurudha do të përfundonte për 30 muaj, në verën e vitit 2023, duke kursyer për çdo vit 55 milionë euro krahasuar me përdorimin e automjeteve. Por ndërkohë që po lëmë pas 2024-n, buxheti për këtë projekt është rritur ndjeshëm nga ai i përcaktuar në kontratën fillestare, ndërsa punimet kanë “mbetur rrugëve”.

Ky projekt u financua nga Bashkimi Europian (BE) me vlerën e 35.5 milionë eurove. “… do të kursejë kohë të çmuar për udhëtarët dhe studentët dhe do të nxisë rritjen e bizneseve në dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë”, – shkroi në rrjetet sociale zyra e Bashkimit Europian në Tiranë në datë 28 shtator 2020.

Veç sponsorizimit të BE-së, shteti shqiptar mori edhe një hua sovrane prej 36.87 milionë eurosh nga BERZH-i.

Tenderi ndërkombëtar për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore deri në aeroportin “Nënë Tereza” u njoftua më 11 qershor 2019, në faqen online të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ai u fitua nga kompania  italiane INC S.P.A., që paraqiti ofertën më të ulët në vlerën prej 69.6 milionë eurosh, ndërsa u skualifikuan dy kompanitë e tjera pjesëmarrëse që paraqitën oferta shumë të ngjashme me njëra-tjetrën: shoqëria STS-KALPATARU (KPTL) J.V, që kërkoi 92.2 milionë euro për kryerjen e punimeve dhe SINOHYDRO-EEB J.V.A me ofertë 92.5 milionë euro.

Procedura ndërkombëtare e tenderit, monitorimi i punimeve nga BE, BERZH, WIBF, si dhe nga qeveria shqiptare, nuk arritën të bëhen garant që ky projekt të realizohej, ashtu siç ishte parashikuar, në verën e vitit 2023.

Po ashtu, zbatuesit e projektit, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, përfituan pa garë një vlerë të konsiderueshme monetare, me justifikimin se ishin rritur çmimet dhe kostoja e punës, shumë që qeveria e siguroi sërish përmes një huaje nga BERZH-i.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen online të BERZH-it, ky projekt parashikon rehabilitimin e 34.7 km të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e 5.4 km deri në aeroportin e Rinasit. Ai është pjesë e rrugës së dytë të rrjetit kryesor të Ballkanit Perëndimor, që lidh qytetet e Podgoricës në Mal të Zi dhe të Vlorës në Shqipëri. Sipas BERZH-it, projekti do të mbështesë zhvillimin ekonomik kombëtar të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në integrimin rajonal të vendit, duke përmirësuar lidhjen e qyteteve kryesore me Portin e Durrësit dhe aeroportin “Nënë Tereza”.

BERZH shkruan në njoftim se i ka dhënë hua shtetit shqiptar në vlerën 77.5 milionë euro për realizimin e këtij projekti me kosto totale 140.8 milionë euro.

Vonesa dhe afate të tejkaluara

Premtimet për përfundimin e punimeve mbetën në letër dhe deklaratat e ministres Balluku duket se i mori era. Projekti ka pësuar ndryshime bazuar në ligje të reja, që serviren si justifikime për vonesat, duke sugjeruar për mungesë planifikimi nga institucionet shtetërore.

Hekurudha Shqiptare refuzoi të vendoste në dispozicion një kopje të kontratës së nënshkruar me kompaninë italiane INC S.P.A për zbatimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e linjës hekurudhore drejt aeroportit “Nënë Tereza”. I njëjti refuzim erdhi edhe për punimet shtesë, duke pretenduar se janë konfidenciale dhe përcaktimet në kontrata nuk lejojnë publikimin e asnjë elementi.

Mosrespektimin e afateve në realizimin e projektit, Hekurudha Shqiptare e lidh me vonesat në procesin e shpronësimit dhe me ndryshimet e projektit fillestar.

“Arsyet pse projekti hekurudhor ka pësuar shtesa në afat kanë qenë disa: Së pari, procesi i shpronësimit për ndërtimin e linjës së re hekurudhore nga Domja në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar te Tiranës (TIA). Së dyti, u vendos ndërtimi i të gjitha urave, pasi paraprakisht ishte vendosur rehabilitimi. Por me ndryshimet e ligjit të ri të sizmikës u vendos të ndërtoheshin të reja. Së treti, elektrifikimi i plotë i linjës hekurudhore si një alternativë miqësore me mjedisin”, – shpjegoi Hekurudha Shqiptare.

Në një përgjigje me shkrim, Hekurudha Shqiptare pretendon se tejkalimet lidhen vetëm me afatet, por jo me kostot. Sipas këtij institucioni, të gjitha ndryshimet e pësuara janë përfshirë në fondin prej 70 milionë eurosh të akorduar në kontratën fillestare.

Në vijim të përgjigjes sillet në vëmendje se financimi i projektit është i huaj, ku 50% mbulohet nga fondet e Bashkimit Europian me grant, 50% nga BERZH-i me kredi, ndërsa TVSH-ja paguhet nga buxheti i shtetit dhe marrëveshjet e grantit dhe kredive janë ratifikuar me ligj.

Hekurudha Shqiptare nuk vendosi në dispozicion as kopje të raporteve të inspektimeve të kryera, ndërkohë që në përgjigjen e parë të kthyer në muajin prill bëri me dije se projekti pritet të përfundojë më 21 shkurt të vitit 2025.

As Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës nuk iu përgjigj kërkesës së “INA Media”-s për vendosjen në dispozicion të kontratave dhe të dhënave për ecurinë e monitorimit të projektit, si dhe afatin e përfundimit të punimeve.

Rritje e kostove

Për tejkalimin e afateve në përfundimin e punimeve të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës nuk raportohen penalizime për askënd, ndërkohë që shoqëria italiane ICN S.P.A. ka përfituar fonde shtesë pa garë, me argumentin se janë rritur çmimet dhe kostot e punës.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Hekurudha Shqiptare bëri me dije se është miratuar financim shtesë në qeveri për projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës dhe pritet të vijojë me aprovimet në komisionet përkatëse parlamentare, si dhe ratifikim në Kuvend. Financimi është 100% kredi e butë nga BERZH-i.

Më konkretisht, Hekurudha Shqiptare informoi se ka siguruar financim prej 10.5 milionë eurosh nga BERZH-i për ndërtimin e 9 stacioneve të reja, duke përfshirë edhe stacionet përgjatë linjës së re që do të ndërtohet në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Ndërsa në një njoftim të BERZH-it në faqen online thuhet se do të ndërtohen afërsisht 8 stacione dhe ndalesa.

Po ashtu, nëpërmjet WBIF dhe BERZH-it është siguruar financim me vlerë 16.1 milionë euro për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore në zgjatimin 4 km, nga Terminali i Transportit Publik Tiranë te stacioni qendror te Bulevardi i Ri Tiranë. Gjysma e fondit do të jetë kredi e butë nga BERZH-i, ndërsa gjysma tjetër do të mbulohet sërish nga një grant i Bashkimit Europian.

Në vijim, Hekurudha Shqiptare sqaron se këta komponentë shtesë nuk janë pjesë e kontratës fillestare dhe si të tillë nuk do të zbatohen nga ana e kontraktorit të punimeve INC S.P.A. Duke sqaruar se shtesat janë subjekt tenderimi ndërkombëtar sipas procedurave të BERZH-it, Hekurudha Shqiptare sjell si shembull se sapo ka përfunduar tenderi i godinave dhe është në proces finalizimi të kontratës së re me një kontraktor të ri punimesh.

“Do të vijohet me procedurë prokurimi edhe për zgjatimin prej 4 km, edhe për elektrifikimin e linjës vitin e ardhshëm. Pra, nuk janë kontratë shtesë të kompanisë INC”, – thuhet në përgjigje, duke shtuar se arsyeja përse nuk ishin parashikuar më parë këto punime dhe kosto shtesë ishte mungesa e fondeve në atë periudhë.

Hekurudha Shqiptare sqaron se elektrifikimi i linjës hekurudhore është në fazën e finalizimit të projektimit nga ana e një kontraktori të huaj, të kontraktuar e financuar nga BERZH-i dhe se vitin e ardhshëm do të shpallet procedura ndërkombëtare e prokurimit. Në përfundim, bëhet me dije se punimet sipas planit të punës dhe kontratës ekzistuese në fuqi parashikohet të përfundojnë në mars të vitit 2025 për sa i përket linjës infrastrukturore hekurudhore. Për ndërtimin e godinave nuk u njoftua një afat se kur mund të përfundojnë.

“INA Media” i drejtoi BERZH-it pyetje të detajuara lidhur me fondet shtesë për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe për punimet. Nëpërmjet një përgjigjeje të përmbledhur, BERZH-i njoftoi se Shqipëria ka kërkuar fond shtesë në vlerën 40.7 milionë euro për projektin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, fond që është miratuar plotësisht.

Për ndërtimin e stacioneve hekurudhore u bë me dije se është nisur një procedurë e hapur tenderimi në përputhje me politikat dhe rregullat e prokurimit të BERZH-it, procedurë që është në vazhdim.

Ndryshe nga Hekurudha Shqiptare, që shprehet se kompania INC S.P.A. nuk do të përfitojë nga fondet shtesë, BERZH-i sqaron se pjesa e fondeve që i përket rritjes së kostos do të përdoret për financimin e punimeve në kuadër të projektit ekzistues, që po zbatohet nga kompania italiane INC S.P.A. Por vlera e kësaj pjese të fondeve nuk u bë me dije.

“Këto fonde do të financojnë rritjen e kostos si rezultat i rritjes së çmimit të materialeve dhe punës”, – shkroi BERZH-i, por pa dhënë më shumë detaje.

Nga përllogaritja e të dhënave të vendosura në dispozicion për vlerën totale të financimit prej 40.7 milionë eurosh dhe shumat e akorduara për dy projektet shtesë në masën 10.5 milionë euro dhe 16.1 milionë euro, ku gjysma e kësaj të fundit mbulohet nga një grant i BE-së, rezulton se pjesa tjetër e kredisë nga BERZH-i, e marrë me justifikimin e rritjes së çmimeve dhe kostove të punës, është më shumë se 22.1 milionë euro – vlerë që, sipas BERZH-it, kalon për projektin ekzistues që po zbatohet nga shoqëria INC S.P.A..

Nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A., tashmë ka arritur në 91.7 milionë, thuajse aq sa kërkuan dy kompanitë e tjera që u skualifikuan.

Kompania INC S.P.A nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve për koment që “INA Media” i dërgoi në adresën e email-it lidhur me tejkalimin e afatit, se kush e ka sjellë makinerinë Tamping që pritet të ndihmojë në përfundimin e punimeve, si dhe nëse ndiheshin të favorizuar nga qeveria shqiptare në këtë kontratë.

Edhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Hekurudha Shqiptare nuk iu përgjigjën pyetjeve për koment lidhur me këto rrethana.

BERZH në përgjigjen e vet pohon se Shqipëria ka paraqitur një kërkesë financimi për elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë, por se procesi i tenderit nuk ka filluar ende. Sipas BERZH-it, edhe shuma do të përcaktohet pasi të përfundojë analiza e duhur.

Në përfundim, BERZH-i shkruan se Hekurudha Shqiptare vlerëson se i gjithë projekti, përfshirë edhe elektrifikimin, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2026.

Punime nga kompania shqiptare

Bashkimi Europian financoi një vlerë të konsiderueshme për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës dhe u kujdes që tenderi të zhvillohej përmes BERZH-it. Megjithatë, kompania italiane që u shpall fituese, INC S.P.A., i ka besuar shoqërisë shqiptare “Prima Energy” realizimin e një pjese të mirë të punimeve.

Më 27 tetor 2022, një vit e gjysmë pas nënshkrimit të kontratës mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane INC S.P.A., në kantierin për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës u shfaq, nën shoqërinë e kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Patëm nderin për këtë vizitë të jashtëzakonshme në kantierin tonë. Faleminderit të gjithëve!”- shkruhet në një postim të datës 27 tetor 2022 në llogarinë në rrjetin social “Facebook” të shoqërisë nënkontraktore që po kryen punimet e hekurudhës, “Prima Energy”. Kjo kompani shqiptare shpërndau atëherë bashkëngjitur një postim të Hekurudhës Shqiptare në “Facebook”, ku gjenden edhe fotot e tre personaliteteve dhe personave të tjerë që i shoqërojnë.

Në faqen online të shoqërisë “Prima Energy” thuhet se është krijuar në vitin 2016, pas një analize në sektorin e energjisë. Sipas ekstraktit historik të kësaj shoqërie, që gjendet në të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në datë 10 shkurt 2021, një javë pas nënshkrimit të kontratës mes Hekurudhës Shqiptare dhe INC S.P.A., është ndryshuar objekti i veprimtarisë, ku ndër të tjera është shtuar edhe projektimi, ndërtimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale dhe aeroportuale.

Tri javë më vonë, më 1 mars 2021, në llogarinë e saj në “Facebook”, “Prima Energy” ka shpërndarë një postim të kryeministrit Edi Rama për projektin e hekurudhës. “Mbarë e mirë!” –  shkruhet në statusin e publikuar nga kjo shoqëri. Në vijim gjenden publikime të herëpashershme të punimeve që kryhen apo të vizitave nga funksionarët shtetërorë, si dhe shpërndarje të postimeve të këtyre të fundit.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen online të “Prima Energy”, kontrata e lidhur me INC S.P.A. për realizimin e rikonstruksionit të hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas është në vlerën 25.7 milionë euro dhe është në proces. Zërat e punimeve janë: prishjet, rrugët, strukturat kryesore dhe strukturat e vogla, kanalet, si dhe tetë ura të reja.

Po ashtu është publikuar edhe marrja në ngarkim e realizimit të pjesës së projektit për punimet civile për sinjalizimin dhe telekomunikacionin në këtë hekurudhë.

“Prima Energy” është e para kompani shqiptare që kryen punime të tilla. Të dhënat e ekstraktit historik dhe ato të publikuara në faqen online të kësaj shoqërie tregojnë se nuk ka pasur eksperiencë në këtë sektor. Më parë, kjo shoqëri ka pasur një aktivitet fitimprurës në fushën e ndërtimit të linjave të tensionit të lartë dhe stacioneve elektrike.

Aksionerët e kompanisë “Prima Energy” janë: Fation Hasani, i cili është themelues dhe Orik Shyti e Leart Shyti, të cilët zotërojnë 90% të kapitalit. Vëllezërit Shyti janë bërë aksionerë të kësaj shoqërie në vitin 2020. Ndërkohë, Hasani rezulton të jetë anëtar i këshillit mbikëqyrës në një kompani tjetër me ortakë vëllezërit Orik dhe Leart Shyti, vite para se këta të fundit të blinin kuotat në “Prima Energy”.

Orik dhe Leart Shyti u bënë të njohur në Shqipëri në vitin 1996, kur u akuzuan nga prokuroria si krijues të organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi” dhe si përgjegjës për 17 episode kriminale të ndodhura kryesisht në qytetet e Tiranës dhe të Vlorës, në harkun kohor të viteve 1993-1996. Ata u akuzuan për “Akte terroriste”; “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”; “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, “Vjedhje me pasojë vdekjen” në dy raste; “Vjedhje me armë” në tre raste; “Vjedhje me dhunë” në pesë raste; “Vjedhje të bankave dhe të arkave të kursimit” në dy raste; “Rrëmbim dhe mbajtje peng të personit në rrethana lehtësuese”, në bashkëpunim në formë të organizatës kriminale; si dhe për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”; “Falsifikimit të letërnjoftimit apo vizave”; “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile”.

Pas një sage të gjatë hetimesh e procesesh gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit, me vendime pushimesh, dënime të përjetshme e pafajësi, vëllezërit Orik dhe Leart Shyti morën pafajësi përfundimtare me një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2023, që nuk e pranoi rekursin e organit të akuzës me arsyetimin se prokuroria nuk arriti të argumentojë mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit penal material apo procedural nga ana e ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda që dha pafajësi në 2017-n. Kjo e fundit arsyetoi, ndër të tjera, se “Hakmarrja për drejtësi” nuk kishte ekzistuar. Të 17 episodet e rënda kriminale kundër jetës së personit, si vrasje, atentate, pengmarrje e grabitje me dhunë, si dhe akte terroriste, mbetën përfundimisht pa autor.

“Nuk rezulton që në lidhje me ngjarjet e cituara në kërkesën tuaj të jetë regjistruar ndonjë procedim penal”, – iu përgjigj SPAK-u një kërkese për informacion që “INA Media” i drejtoi lidhur me statusin aktual të hetimit të këtyre ngjarjeve.

Kur vëllezërit Shyti fituan tendera e punime publike nga fondet e buxhetit të shtetit dhe siguruan një kontratë si nënkontraktorë në projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës të financuar nga Bashkimi Europian, SPAK i qëndronte ende rekursit të ushtruar nga ish-Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda, kundër vendimit të pafajësisë së tyre të dhënë nga ish-Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në vitin 2017.

Megjithatë, sipas përcaktimeve ligjore dhe praktikave gjyqësore, ata ishin shpallur të pafajshëm me vendim të formës së prerë që prej 2017-s dhe legjislacioni shqiptar nuk parashikon asnjë pengesë ligjore që të ishin përfitues të fondeve publike përmes kompanisë së tyre, pavarësisht se SPAK i qëndronte rekursit duke kërkuar ndëshkimin e tyre.

Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës filluan pas nënshkrimit të kontratës 69.6 milionë euro mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane INC S.P.A në shkurt të vitit 2021, me premtimin se do të përfundohej në verën e vitit 2023. Punimet janë ende në proces, ndërkohë që janë akorduar fonde shtesë që së bashku me kontratën fillestare kapin vlerën totale prej rreth 118.3 milionë euro. Këtyre fondeve pritet t’u shtohen edhe kostot për elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë që janë duke u analizuar. Ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë një përgjigje për afatin përfundimtar kur udhëtarët do të mund të përdorin trenin e linjës Tiranë-Rinas-Durrës, BERZH bëri me dije se Hekurudha Shqiptare vlerëson se i gjithë projekti, përfshi edhe elektrifikimin, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2026. Megjithatë, për udhëtarët nuk ka ende një stacion ku të mund të presin trenin e linjës Tiranë-Rinas-Durrës. (Redaksia INA)

 


Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Artikuj të lidhur

Back to top button