
Nje tjeter refuzim per kerkesat ndaj gjyqesorit nga mbrojtja e kryebashkiakut ne detyre, por ne arrest me burg prej gati nje viti. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të vazhdojë të mbetet në qeli, pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e tij për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Kërkesa e Veliajt për heqje mase është e disata dhe njëra prej tyre ka kaluar në seancë në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa bazohej, mes të tjerash, në këto argumente: së pari nuk helmohen provat, hetimi ka mbaruar, nuk ekziston rreziku i ikjes, sepse e garanton garancia pasurore si dhe mundësohet njohja me aktin në dosje.
Hetimet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa Veliaj është arrestuar që më 10 shkurt 2025. Për gjykim janë dërguar gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë dhe shoqëri të përfshira në dosjen e njohur si “Veliaj”.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, përfshirë: korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv, në 9 raste që përfshijnë disa kompani, të cilat sipas SPAK kanë dhënë përfitime të parregullta në formën e parave dhe pasurive të paluajtshme, duke marrë më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, në të njëjtin kontekst si bashkëshorti i saj.


