Aktualitet/LajmePolitike

Gjermania kundër Greqisë: “Beleri” nuk mund të pengojë integrimin

Alfred Beleri nuk ka tensionuar vetëm marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe ndërmjet qeverisë greke me atë gjermane. A2 CNN iu drejtua me një kërkesë qeverisë gjermane sa i përket qëndrimit të shtetit grek, i cili paralajmëronte bllokimin e procesit integrues të Shqipërisë në rast se Beleri nuk kryente betimin si kryebashkiak i Himarës.

Përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Berlinit shpreh qartë se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve nuk mund të bëhen kurrsesi bllokadë në hapjen e kapitujve të negocimit mes Tiranës dhe Brukselit.

“Aspekti përkatës për procesin e anëtarësimit dhe pranimit të Shqipërisë në BE është përmbushja e kritereve të anëtarësimit, duke përfshirë edhe miratimin e “acquis” të BE-së. Është e rëndësishme që ky të mbetet parimi udhëzues që zbatojnë të gjitha shtetet anëtare kur vendosin për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit. Çështjet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë të papranueshme në procesin e integrimit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për A2 CNN.

Muaji dhjetor është vendimtar sa i përket procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku vetë Komisioni ka shprehur vullnetin që brenda këtij vitit të hapen grup-kapitujt e parë, por ky vullnet mund të mbetet vetëm dëshirë nëse nuk ka unanimitet mes vendeve anëtare.

“Shpresojmë që brenda këtij viti të hapen grup-kapitujt e parë”, tha nga Brukseli Varhely. Historia e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor ka treguar më shumë se sa një herë se rrugëtimi drejt Unionit mund të hasë pengesa të vështira. Maqedonia e Veriut u desh të ndryshonte emrin, që të pajtonte qëndrimet e Greqisë, e më pas të pranonte se do të ndryshonte Kushtetutën për të hequr veton Bullgare. Tanimë, me këto pengesa, po kërcënohet Shqipëria, edhe zyrtarisht, siç duket në përmbajtjen e letrës zyrtare që Athina i ka dorëzuar Brukselit, referuar pritshmërisë së vendit tonë për të hapur grup-kapitujt e parë të negociatave.

“Situata bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta europiane, kriteret e anëtarësimit dhe “acquis” të BE-së, të cilat janë të panegociueshme. Greqia pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës së Beleris si dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë.

Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit”, shkruhet në letrën zyrtare të Athinës që iu dorëzua Brukselit.

Tanimë, shpresat janë më shumë në dorë të diplomacisë europiane, e cila duhet të gjejë konsensusin për të cilën e shkuara ka treguar se ka qenë e vështirë. Mbi këtë situatë, A2CNN i është drejtuar Komisionit, si dhe Këshillit Europian, por ende nuk ka marrë një përgjigje. / A2 CNN

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button