
Nga Virion GRAÇI
…duke kullotur sytë nëpër rjete sociale komunikimi, sikurse të moshuarit e orientit numërojnë tespihet në dritë të diellit mëngjesor, më ra sërisht në sy tepria e shprehjes “na përfaqëson”.
Në monizëm, nuk ishim individë, nuk kishim mendime për të shprehur, nuk kishim kërkesa për ti shqiptuar, nuk kishim fjalë kundra apo prova që mund të ndikonin në mekanizmin e madh të arsyetimit kolektiv: ishim të thirrur të duartrokisnim lëvdatat apo mallkimet ‘hyjnore’ që na vinin nga lart, nga të deleguarit ose nëpërmjet atyre që “na përfaqësojnë”.
Në tollovinë e 35 viteve të fundit, pak organizata, shoqata apo institucione të fjalës së lirë, të fushave të krijimtarisë artistike-letrare, etj., u krijuan me statute të kristalizuar, me kritere antarësie, me programe a synime afat-gjata e të dites; për forume të përhershme të fjalës së shkruar, as që bëhet fjalë: sipas humorit të pronarëve/donatorëve, sipas interesave të ngushta të tipave pragmatistë, dominues, për të mos thënë dhe lekistë/manipulues.
Të mbetur udhëve në mëshirë të fatit, të mbetur në guaskat e tyre të prera ngushtë, sipas shtatit, bashkëvendësit e mi të bekuar, mezi presin ti përfaqesojë dikush. E këtu nuk kam parasysh ekipet pêrfaqësuese në sporte, shërbimet konsullore-diplomatike të shtetit, deputetët e zonave gjegjëse a burokratët vendorë. Nuk kam parasysh as avokatët dhe noterët të cilët rëndom na përfaqësojnë, mbrojnë intesat tona, artikulojnë me gjuhën e duhur çfarë jemi, çfare pretendojmë, çfarë meritojmë në çështjet e debatueshme.
Pjesa tjetër pretenduese-populiste: ‘na përfaqëson’ ose ‘ju përfaqësoj’, si mendësi është përzierje dinake ose infantile mes anakronizmit dhe monizmit.
Si mund të më përfaqësojë mua një shkencëtar i teknologjisë, një arkitekt i shquar, një violinist, një akrobat, një shkrimtar (tjetër), një
filozof?
Po çfare lidhjeje kam une inxhinierinë teknologjike, me arkitekturën, me violinën, me akrobacinë, me çdo shkrimtar tjetër që paraqet/ofron punën e tij, arritjet e tij, meritat e tij të shquara?! Po me filozofin e karierës akademike, si identifikohen pa pishman i madh e i vogël? Guxim i madh më duket. Filozofi përfaqëson punën tij, arritjet, pikëpamjet e tij, botkuptimin vetjak; nëse është hegelian, po, mund të përfaqësojë hegelianet, nëse është maoist, mund të përfaqësojë ndihmesën e tij në këtë segment historik e kaq.
Po ta kisha pyetur Sokratin, para se ta pinte me fund kupën e helmit: ‘Më mirë të jesh apo më mirë të të përfaqësojnë? – do të më përgjigjej: ‘Si familje, i kemi një gjel për ti paguar komshiut.’
p.s. me kodin e mëparshëm penal te R.Sh-së, fëmijët nën 16 vjeç përfaqësohen nga prindërit e tyre, në praninë e psikologut.



