Aktualitet/LajmeBlogKryesoreOpinions

Gigët digjitalë janë duke shkatërruar gjithë shoqërinë njerëzore

Në veprën Shteti, libri i dytë, Platoni na e jep tregimin për Gigun.
Gigu ishte një bari që ruante bagëtitë në fushat e Mbretërisë së Lydisë. Një ditë ra një tërmet, toka u ça dhe Gigu në të çarat e hapura prej tij zbuloi një shpellë të panjohur më parë. Në të ndodhej një kalë prej bronzi dhe brenda tij një skelet njeriu. Në dorën e skeletit, Gigu pa një unazë. E mori atë dhe doli t’ua tregonte shokëve. Por unaza nuk ishte e zakonshme. Kur e rrotullonte në një mënyrë të caktuar, Gigu bëhej menjëherë i padukshëm. Bariu vendosi atëherë të plotësonte dëshirat e tij të fshehta kriminale duke përdorur unazën magjike. Ai hyri si i padukshëm në pallatin mbretëror, e joshi mbretëreshën, pastaj vrau mbretin dhe mori pushtetin për vete.
Përmes këtij tregimi, Platoni shtron pyetjen mbi thelbin e ligjit moral: a veprojmë ne moralisht nga frika e ndëshkimit, apo ligji moral është shprehje e mirësisë sonë të natyrshme?
Ajo çfarë bën bariu lë të kuptohet se njeriu u vë fre dëshirave dhe pasioneve të këqija vetëm brenda një rendi ligjor që ka fuqi ndëshkuese mbi të.
Sot, rrjetet sociale ua kanë mundësuar të gjithëve “unazën e Gigut”. Përmes llogarive të rreme, platformave mediale të rreme, njerëzit fshehin identitetin e tyre të vërtetë dhe kështu u mundësohet të shprehin të gjitha pisllëqet që mbajnë brenda vetes, e të cilat nuk i shprehnin dot me identitetet e tyre reale, nga shkaku i gjykimit të shoqërisë apo ndëshkimit ligjor. Ata fyejnë e njollosin të tjerët, përhapin gënjeshtra, shpifje e akuza, nxisin urrejtje mes njerëzve dhe bëjnë një mijë prapësi të tjera që u vijnë në mendje.
Njësoj veprojnë edhe grupet: partitë politike e përdorin “unazën digjitale të Gigut” për të sulmuar njëra-tjetrën në mënyrat më brutale, ndërsa grupet ekstremiste religjioze dhe populiste për të përhapur ideologjitë e tyre të urrejtjes.
Kështu, fshehja dhe padukshmëria digjitale ua mundëson atyre të shmangin përgjegjësinë për helmet që shpërndajnë mes njerëzve. Dhe në një botë ku zhduket përgjegjësia për të keqen, nuk priten ditë të mira.
Gigu i Platonit shkatërroi një mbret të ligjshëm, ndërsa gigët digjitalë janë duke shkatërruar gjithë shoqërinë njerëzore.

Artikuj të lidhur

Back to top button