Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

GËZUAR MEVLAN SHANAJ!

Nga Pellumb Kulla-

Sa herë e shoh dhe komunikoj me Mevlanin kujtoj tim atë. “Ke lajthitur” më thotë Xhuli, ime shoqe. “Pse qas dy medaljone që nuk bashkohen në asgjë?!”
Ia zbërtheva arsyen.
“I quaj që të dy prindërit e mi! Më kanë lindur”.
U duk se atë arsye e mbërtheva m ë keq.
“Mevlan Shanaj, për nga vitet, mund të ishte biri yt, por jo ti bir i tij!”
“Është babai im publik, moooj! Është një lloj telebabai!”
Dhe, përtej shakave, kujtoj një ditë, i dashur Mevlan, kur më ke marrë në telefon në apartmentin tim të Fierit dhe më dhe një nga lajmet më të bukura, siç janë ata të lindjes të një fëmije.
Ishin ca vite rresht që në Rtsh, në televizionin e vetëm shtetëror, ju, regjisorët e Koncerteve të Fundvitit, më angazhonit dhe mua 2-3 muaj, si shkrimtar të humorit dhe regjisor në përgatitjen e atyre koncerteve të paharruara. Por emri im në ato vite ishte i zhytur në errësirë. Unë nuk e kisha të drejtën e publikimit. Nuk më lejohej emri në botime. Uë isha pajtuar me atë gjendje, por juve, miqve të mi, ju dukej e padrejtë dhe e vinit re me keqardhje.
Befas një ditë, pritej viti i ri 1978 dhe ne me ty, si regjisor kryesor, sapo kishim mbyllur koncertin e montuar dhe u kthyem nëpër shtëpitë tona që të festonim dhe pastaj, ballë aparateve tona televizivë të shikonim koncertin, atë që kishim bërë. Në vigjilje, te festës ti më more në telefon dhe më dhe sihariqin: Më tregove se me përpjekjet e tua të zgjatura, kishe arritur fitoren: Në Koncertin e Madh atë natë edhe emri im do t’u bashkohej atyre të shokëve, emrave tuaj!
Dola në dritë! E që atë ditë emri im nuk njohu më errësirë! Linda! Mirënjohja ime ndaj teje, Mevlan është e madhe është e pavdekshme. E kujtuam dje, që ti kishe Ditlindjen dhe që Xhuli dhe unë kemi rastin të ta urojmë gojëplot:
E kalofsh shekullin me vite të lumtura! T’i gëzoni tok me Natashën e dashur dhe me tërë njerëzit e tu të shtrenjtë!
Gëzuar, o Telebaba!

Artikuj të lidhur

Back to top button