BlogKryesoreOpinionsRajoni

Gazetaria si identitet

Nga Agustin Palokaj-

Në Bruksel përditë përballemi me sfida të ruajtjes së këtij identiteti. Në qytetin ku akoma ka numër më të madh të gazetarëve të huaj në botë përditë vijnë në vizita grupe të kolegëve. Por nuk quhen gazetarë. Ata janë “Krijues të përmbajtjes“ (Content createres), “Influencerë“, “Tick – tockerë“,“ekspertë të komunikimit“ apo me emërtime të tjera moderne që tingëllojnë shpesh impresive: Ndërsa disa prej nesh pas 10, 20, 30 vjetësh kemi mbetur gazetarë, vetëm gazetarë dhe asgjë tjetër pos gazetarë

Ishte diku vjeshta e vitit 1990, një stinë në të cilën Zagrebi gjithmonë ka një sharmë të veçantë, çfarë nuk e kam parë në asnjë qytet tjetër në Evropë në këtë stinë. Qytetit i kthehet gjallëria pasi në të kthehen njerëzit që verën e kalojnë në bregdete, parqet e shumta të qytetit marrin një kombinim të jashtëzakonshëm ngjyrash, era e gështenjave ndihet nëpër qendër, ndërsa moti është akoma mjaft i ngrohtë sa të rrish nëpër tarracat e kafeneve. Për mua dhe shokët e mi të asaj kohe “kafenetë“ kufizoheshin në ato të qendrës së studentëve apo të komplekseve të konvikteve ku çmimet ishin të subvencionuara. Të pakapshme ishin çmimet nëpër kafenetë e qytetit, me përjashtim të ndonjë rasti kur të qerasin ata që nuk e jetonin jetën e studentit. Ishte koha kur numri i studentëve nga Kosova dhe shqiptarë nga Maqedonia kishte arritur kulmin. Akoma nuk ishte pavarësuar Kroacia dhe duke qenë në një shtet, ata nga Kosova që kalonin provimin pranues mund të regjistroheshin me kushtet e barabarta. Pasi në Kosovë nisi mbyllja e fakulteteve pas masave të jashtëzakonshme të shpallura nga pushteti i Millosheviqit, shumë studentë, sidomos të mjekësisë, arritën të transferoheshin në Universitetin e Zagrebit për të vazhduar studimet. Pos kësaj në disa fakultete tradicionalisht kishte shumë shqiptarë, pasi studime të tilla nuk kishte në Kosovë. Një numër i konsiderueshëm studionin veterinarinë, të tjerët gjeodezinë dhe një pjesë edhe komunikacionin. Por në gazetari isha i vetmi nga Kosova, krahas disa kolegëve që studionin politikologjinë në të njëjtin fakultet.

Një ditë të vjeshtës ishim mbledhur një grup studentësh nga Kosova. Njiheshim mes vete, mësonim se si sa më lirë të gjenim banimin, ku të ushqeheshim më lirë dhe si të vinim deri te skriptet dhe librat, mundësisht pa pagesë, pra falas.
Kur një student më pyeti “E ti çka studion?“, reagoi një student tjetër me përgjigje: “Augustini studion atë që unë e di pa studiuar hiç!“. Filluam të gjithë të qeshnim. Edhe unë. Pa zemërim. Sepse që në ditën e parë të fakultetit kishin debat se a duhet studiuar gazetarinë për t’u bërë gazetarë. Apo “a lindet apo krijohet gazetari“.

Ky debat me vite ka ekzistuar sidomos në vendet ish-komuniste. Sepse nuk ka pasur nevojë të studiohet shumë për një profesion, i cili definohej si “punëtor shoqëroro-politik“, e në disa raste kësaj i shtohej edhe “i edukuar në frymën marksiste“. Se si të shkruajë e mësonte gazetarin partia. Pikërisht fakulteti ku nisa studimet në Zagreb ishte edhe një prej selive të ndryshimeve në Kroaci. Profesorët nga ai fakultet nisën të formonin apo të jenë pjesë të partive të para jokomuniste që krijoheshin në Kroaci, që akoma ishte në Jugosllavi, por dihej se nuk do të jetë shumë gjatë. Kosova dominonte si temë pasi mënyra se si Beogradi u soll me Kosovën dhe ndaj saj përshpejtoi shumë edhe përpjekjet e intelektualëve në Kroaci dhe Slloveni për demokraci, e me demokraci vinte edhe dëshira për pavarësi.
Pas 34 vjetësh më kujtohen fjalët e atij shokut se unë kam studiuar diçka që ai e di pa studiuar. Sot gjithkush mund të bëhet gazetar apo të quhet i tillë, jo vetëm pa studiuar gazetarinë, por pa studiuar asgjë. Madje sot për të qenë gazetar nuk ka nevojë dikush të dijë as të shkruajë. Gazetaria ka qenë dikur pjesë e identitetit. Për disa ka mbetur akoma. Gazetaria, gazeta, na e jep edhe emrin gazetar. Gazeta-Gazetar, Journal-Journalist, Novina-Novinar, Periodico-Periodista dhe kështu me radhë në gjuhë të ndryshme. Dikush mund të thotë se më në Kosovë nuk ka gazetarë. Sepse më në Kosovë nuk ka gazeta. Dhe mund të ketë të drejtë. Sot “gazetari“ në kuptimin tradicional të emërtimit lufton për ruajtjen e identitetit të tij.

Sot në Bruksel përditë përballemi me sfida të ruajtjes së këtij identiteti. Në qytetin ku akoma ka numër më të madh të gazetarëve të huaj në botë përditë vijnë në vizita grupe të kolegëve. Por nuk quhen gazetarë. Ata janë “Krijues të përmbajtjes“ (Content createres), “Influencerë“, “Tick – tockerë“, “ekspertë të komunikimit“ apo me emërtime të tjera moderne që tingëllojnë shpesh impresive: Ndërsa disa prej nesh pas 10, 20, 30 vjetësh kemi mbetur gazetarë, vetëm gazetarë dhe asgjë tjetër pos gazetarë.

Dhe po, nuk ka nevojë dikush të ketë studiuar gazetarinë për t’u bërë gazetar. Ka shumë gazetarë të jashtëzakonshëm që nuk e kanë studiuar gazetarinë. Njoh shumë edhe të tillë që kanë diplomuar në gazetari dhe nuk janë bërë kurrë gazetarë. Por studimi i gazetarisë, jo doemos në fakultet, është i nevojshëm. Sepse kjo gazetarëve së paku u krijon një ndjenjë përgjegjësie, një respekt për profesionin, një kureshtje dhe ua mëson teknikat e mbledhjes, përpunimit dhe shpërndarjes së informatave. Ua mëson edhe ndarjen e domosdoshme të fakteve nga mendimet. Për më tepër, edhe lidhjen e fakteve me mendimet e më vonë me analizën. Sot gazetarë quhen ata që nuk kanë aspak respekt ndaj profesionit. Ata që kënaqen me një postim në ndonjë nga shumë rrjete sociale. Sot edhe lajmin për borën e parë në Vermosh të Shqipërisë mediat e botojnë duke e cituar një postim të kryeministrit se në atë pikë veriore të Shqipërisë ka rënë bora e parë. Sot plasohet më shumë ajo që duket interesant sesa ajo që është e vërtetë. Dhe e vërteta shpesh mund të jetë bajate, jo aq atraktive sa improvizimi apo gënjeshtra. Dhe në kohën e lajmeve të rrejshme e vërteta është viktima më e madhe. Tendenca e njerëzve të besojnë se “E vërteta është diku në mes“ e bën rrenën të jetë fituese nëse i besohet edhe gënjeshtrës, edhe të vërtetës njësoj.

Në kohën kur gazetarët kanë nevojë për ndihmë, për mirëkuptim dhe mbrojtje, kur ata kërcënohen dhe shpesh edhe linçohen, duhet menduar edhe anën tjetër. Duhet menduar edhe për përgjegjësinë që kanë gazetarët. Për fjalën e shkruar apo për fjalën e thënë. Ne gazetarët kemi shumë më tepër liri të shprehjes sesa që kanë për shembull politikanët. Kur ata kritikojnë mediat, dhe besa edhe kërcënojnë, ata bëjnë presion të papranueshëm ndaj mediave. E kur gazetarët dhe mediat kritikojnë politikanët, atëherë ata janë duke e kryer detyrën e tyre. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë këtu barazi. Sepse nuk jemi të barabartë në këtë. Edhe politikanët duhet të edukohen medialisht. Ata mund të përgënjeshtrojnë një lajm, por jo të sulmojnë gazetarët. Por është një liri që gazetarët nuk e kanë dhe nuk duhet ta kenë. Nuk ekziston liria për të shkruar apo transmetuar qëllimisht të pavërtetën. Kur gazetari qëllimisht e thotë të pavërtetën, ai nuk është më gazetar. Për të ditur këtë nuk është e domosdoshme të studiohet gazetaria. Mjafton të studiohet çfarëdo, të ndiqen ligjet, rregullat, standardet e etikës apo thjesht logjika e shëndoshë. Dhe sikur edhe me identitetet e tjera, edhe atë të gazetarit mund ta ruajmë më së miri vetë.

P.S.

Ai shoku nga studimet në Zagreb është veterinar i suksesshëm. Nuk besoj se ma ka lakmi. Veterina(rët) më shumë shërojnë, ndërsa ne gazeta(rët) së paku duhet të përpiqemi që të mos infektojmë 

Artikuj të lidhur

Back to top button