
Nga Enver Robelli-
Para 25 viteve shkrimtari gjerman Max Goldt, i mllefosur me mënyrën e raportimit nga gazeta bulevardeske “Bild”, shkroi në një kolumne këtë mallkim epokal: „Gazeta Bild është një organ i poshtër. Është gabim ta lexosh atë. Kush kontribuon në këtë gazetë është absolutisht i papranueshëm në shoqëri. Do të ishte gabim të jesh miqësor apo edhe vetëm i sjellshëm ndaj ndonjërit prej redaktorëve të saj. Duhet të jesh aq i ashpër ndaj tyre sa e lejon ligji. Ata janë njerëz të këqij që bëjnë punë të gabueshme”.
Gjithmonë është thelbësore të dihet se kush me çka karahasohet. Për shembull: krahasuar me “gazetën” serbe “Informer”, e përditshmja gjermane “Bild” është gazetë normale.
Për të protestuar kundër “Informer”-it, u tubuan të shtunën në Beograd para redaksisë së kësaj fletushke dhe grope të zezë digjitale mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë serbë. Në shënjestër të kritikave të protestuesve ishte Dragan Vuçiçeviqi, kryeredaktor, pronar, propagandist dhe çka jo tjetër i kësaj “gazete”, i këtij mediumi tabloid që nëse dita i ka 24 orë, redaksia e tij i bën 25 orë propagandë për regjimin e autokratit Aleksandar Vuçiq.
Dragan Vuçiçeviqi pretendon se është gazetar, por çfarë u hedh ai “lexuesve” në sahanin digjital dhe në letër, nuk ka të bëjë asgjë me gazetari. Raportet e “Informerit” shpesh nuk e kapërcejnë nivelin e sharjeve në ndonjë kafene në provincën serbe, gjithsesi pasi është pirë shumë raki. Në këtë qymez të zhurnalistikës së varosh-hanës serbe kritikët e Vuçiqit etiketohen si fundërrina, përshkruhen si spiunë, baltosen si shërbëtorë të Perëndimit, njollosen si antiserbë dhe tradhtarë. Repertori i ofendimeve është i gjatë, dashakeqësia e pakufishme, helmi i pandalshëm, manipulimet jane zinxhirore. “Informer” dhe Dragan Vuçiçeviqi sulmojnë brutalisht edhe gezetarët e pavarur. Njërin prej tyre “Informer” e ka etiketuar si sadomazohist dhe spiun francez.
Pak para se Rusia të sulmojë Ukrainën më 24 shkurt 2022, “Informer” doli me titullin: “Amerikanët zhytin botën në kaos. Ukraina e ka sulmuar Rusinë!” Ky duhet të jetë njëri nga titujt më të rrejshëm në historinë e makinerisë së lajmeve të rrejshme (ndonëse konkurrenca është e madhe). Studentët serbë vendosën të shtunën në një mur të turpit para redaksisë disa tituj të “Informerit” të javëve të fundit. Mes tjerash “Informer” ka “zbuluar” se bllokadën e universiteteve dhe institucioneve të tjera në Serbi po e organizojnë “studentet nga destinacionet ekzotike”, se më 15 mars po përgatitet një “revolucion i përgjakshëm”, se studentët janë kacafytur për 5 minuta famë në mediat antiserbe, se zgjebja po përhapet në fakultetet e Beogradit për shkak të kushteve të këqija higjienike. Të gjitha këto lajme senzacionaliste nuk kanë bazë të qëndrueshme faktike.
Në vitin 2022 Dragan Vuçiçeviqi publikoi në tabloidin e tij një intervistë me përdhunuesin serik Igor Millosheviq, i cili përshkroi në hollësi krimet e tij të neveritshme dhe “këshilloi” gratë se si të sillen kur dikush i përdhunon “që t’ju dhembë më pak”.
Pas këtij (sh)krimi, rrjetet sociale në Serbi eksploduan nga zemërimi i masave, sidomos i grave. Disa gra të guximshme protestuan para redaksisë së “Informer”.
Krahas opozitës serbe, në shënjstër të sulmeve të “Informerit” janë kroatët (të cilët zakonisht etiketohen si “ustashë”) dhe shqiptarët (“Šiptari”). Më 2015 “Informeri” shkaktoi një skandal ndërkombëtar duke publikuar një video pornografike, ku gabimisht pretendohej se gruaja në të ishte presidentja e atëhershme e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq.
Sipas një analize të shoqatës së pavarur të studentëve të Serbisë, “Informer” është në krye të listës me numrin e lajmeve të rreme: rreth 700 brenda një viti, vetëm në faqen e parë! Aleksandar Vuçiqi mendon se “Informer” është gazetë e shkëlqyer, ndërsa Dragan Vuçiçeviqi e konsideron njeri të ndershëm.
Vuçiçeviqi ka punuar për gazetat ditore “Politika”, “Blic”, “Glas javnosti” dhe “Demokratija”. Pas vitit 2000, ai ishte një nga themeluesit e gazetave ditore “Nacional”, “Kurir” dhe “Pres”.
“Pres” u mbyll në nëntor të vitit 2012, pas njoftimit të biznesmenit Miroslav Mishkoviq se po tërhiqej nga pronësia e gazetës. Megjithatë, Vuçiçeviq nuk pati asnjë problem të drejtonte një fushatë politike kundër ish-mikut dhe bashkëpunëtorit të tij Mishkoviq, pasi kjo i përshtatej mentorit të tij të ri, Aleksandar Vuçiqit.