BlogKryesore

FOTOGRAFIA DHE ISLAMI

 
Nga Ben Blushi-

Më pëlqen shumë të bëj fotografi me njerëz të panjohur, sidomos me besimtarë të cilët vishen, sillen dhe mbajnë mjekra me ngjyra të ndryshme nga shumica e njerëzve që shikon nëpër rrugët monotone te Europës.

Qofshin burra apo gra, ata ndalojnë duke qeshur për të pozuar për mua, apo për të dalë në fotografi sic ishte dhe ky rast.

Ajo që më habit është mënyra si reagojnë muslimanët e Arabisë, vendit qe standartizon praktikat fetare të Islamit, kur një besimtari i drejton një aparat forografik.

Ata nuk ikin me vrap, nuk rrudhin buzët, nuk fshehin fytyrën, nuk acarohen, nuk bërtasin, nuk shajnë, nuk fyejnë dhe as kërcënojnë sic më ka ndodhur në dhjetëra raste me burra me mjekra të gjata apo gra të mbuluara në Shqipëri, të cilët e konsiderojnë kameran një armë të rrezikshme që mund tju marrë lirinë.

Cuditërisht një pjesë e muslimanëve praktikantë të Shqipërisë besojnë se Islami nuk e lejon fotografinë të cilën e quan idhujtari, pra adhurim të një imazhi tjetër, përvec Zotit.

Një mik i imi që jeton në Kavajë, duke respektuar këtë praktikë të vjetër, më tregonte para disa kohësh se ai nuk ka asnjë fotografi me gruan e vet dhe as me dy cunat dhe as do pranojë kurrë të ketë një të tillë.

Sado që u përpoqa ta bind të pozonte për mua, sepse kishte një mjekërr për tu pasur zili, ai nuk pranoi sepse nuk e pranon fotografinë si një kujtim që mund të varet në mur apo të mbahet në sirtar për të parë si ke qenë apo si kanë qenë dikur njerëzit që ke dashur.

Imagjino sikur të gjjthë të silleshin si miku im nga Kavaja.

Askush nuk do njihte gjyshërit, stërgjyshërit, kushërinjtë apo nuk do e mbante mend si ka qenë i vogël apo si ka qeshur kur ka shkuar në klasën e parë.

Bota pa fotografi duhet të jetë një gjë shumë më e mërzitshme se romani Verbëria, i Saramagos, ku brenda ditës gjjthë njerëzit e një qyteti mbetën pa sy.

Për fat nuk është kështu kudo. Islami nuk sillet në cdo vend njëlloj.

Në Arabi muslimanët mendojnë ndryshe.

Ata janë shumë më të hapur dhe nuk kanë asnjë kundërshtim kur i fotografon, përfshi edhe gratë e mbuluara që qeshin para kameras dhe madje pozojnë me shumë finesë dhe pa asnjë kompleks.

Një ditë më parë i bëra nja njëzet shkrepje një gruaje me burka të cilës i dukeshin vetëm sytë. Megjjthëse totalisht e mbuluar sytë e saj të bukur ndryshuan disa herë ngjyrat në diellin e dimrit dhe nuk kishin asnjë lloj frike nga kamera ime e kujdesshme.

Nëse kjo sjellje kaq miqësore e këtyre grave dhe burrave që gdhihen dhe ngrysen me Islamin në shpirt, nuk vjen për shkak të kulturës lokale, ateherë Islami dhe marrëdhënia e tij me fotografinë lexohet shumë më ndryshe se në Shqiperi.

Unë nuk kam asnjë të drejtë tu kërkoj muslimanëve të Shqiperisë ta ndryshojnë këtë sjellje, por duhet të jetë deshpëruese që mund të ketë ende njerëz të cilët nuk kane dalë kurrë në fotografi me fëmijët apo me prindërit sepse gabimisht besojnë se kjo nuk u lejohet.

Sa e padrejtë duhet të jetë që gjjthë jetën mos kesh një fotografi me ata që do dhe që të duan.

Fotografia bashkë me pikturat dhe librat është kujtesa e botës.

Ajo e ka bërë Islamin më të bukur dhe shumë më të kuptueshëm si cdo gjë tjetër në këtë botë me kaq shumë ngjyra të mrekullueshme, që duhen shijuar sa mundet dhe kur mundet.

Artikuj të lidhur

Back to top button