Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Forumi XI Global Baku, Presidenti Begaj: Roli i Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë, thelbësor

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka deklaruar në Forumin e XI Global Baku “Të stabilizojmë këtë botë të trazuar” në Azerbajxhan se bota është në një epokë me sfida të pashembullta: ndryshimet klimatike, paqëndrueshmëria politike, pabarazitë ekonomike, padrejtësitë sociale, dhe jo vetëm.

Begaj u shpreh se konflikti në pragun e Evropës ka sjellë në vëmendje rishikimin e përparësive lidhur me sigurinë e Bashkimit Evropian dhe fqinjëve të tij pasi ky konflikt dëshmon rëndësinë e stabilitetit, nevojën për bashkëpunim të gjerë lidhur me politikat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas tij në këndvështrimin e Shqipërisë, si një aleate e palëkundur në NATO dhe një vend kandidat për anëtarësim në BE, pasojat e këtij konflikti dhe roli në arkitekturën mbarë evropiane të sigurisë janë thelbësore.

Deklarata e plotë:

I nderuar President Aliyev,
Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për mikpritjen tuaj në Forumin Global të Bakut. Është nder dhe privilegj të jesh në prani të kolegëve të nderuar dhe mendjeve të ndritura. Do të doja të ndaja me ju disa mendime që lidhen me këndvështrimin e Shqipërisë mbi këtë botë të trazuar nga ndasitë.

Në një botë ku ndasitë duket se sa vijnë e thellohen nga dita në ditë, tema e forumit tonë nuk mund të ishte më urgjente. Jetojmë në një epokë me sfida të pashembullta: ndryshimet klimatike, paqëndrueshmëria politike, pabarazitë ekonomike, padrejtësitë sociale, dhe jo vetëm, janë çështje globale që nuk mund të trajtohen vetëm në nivel rajonal. Zgjidhja e tyre kërkon bashkëpunim. Prania jonë këtu, në zemër të Azerbajxhanit, shënjon një përkushtim të përbashkët tonin për të adresuar sfidat që janë më se urgjente, të cilat e kanë trazuar shoqërinë tonë globale.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kuadër të luftës që ende vazhdon në Ukrainë, e cila na e sjell në vetëdije brishtësinë e paqes dhe domosdoshmërinë për t’u bërë bashkë kundër agresionit.
Konflikti në pragun e Evropës ka sjellë në vëmendje rishikimin e përparësive lidhur me sigurinë e Bashkimit Evropian dhe fqinjëve të tij. Ky konflikt dëshmon rëndësinë e stabilitetit, nevojën për bashkëpunim të gjerë lidhur me politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe rolin kritik të zgjerimit të BE-së në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Në këndvështrimin e Shqipërisë, si një aleate e palëkundur në NATO dhe një vend kandidat për antarësim në BE, pasojat e këtij konflikti dhe roli ynë në arkitekturën mbarë evropiane të sigurisë janë thelbësore.
Shqipëria, e gjendur në udhëkryqin e interesave të mëdha gjeopolitike, është më se e vetëdijshme për rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit. Rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në BE nuk është vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, reformave ekonomike dhe shtetit të së drejtës, por, gjithashtu, një tregues i qartë i përkushtimit tonë për të kontribuar në mënyrë sa më të efektshme për sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit evropian.
Përballë sfidave të ndryshme në ditët e sotme, përkushtimi i Shqipërisë ndaj vlerave dhe sigurisë evropiane është i palëkundur. Si anëtarë të NATO-s, kemi qëndruar krah për krah me aleatët tanë. Pjesëmarrja jonë në masat e marra nga NATO për mbrojtjen kolektive, si dhe gatishmëria jonë për të kontribuar në kuadër të konceptit strategjik të Aleancës për parandalimin dhe mbrojtjen, dëshmojnë qartë përkushtimin tonë ndaj sigurisë rajonale dhe evropiane.
Shqipëria, gjithashtu, është përpjekur të kontribuojë për stabilitetin duke përkrahur dialogun dhe diplomacinë. E kemi më se të qartë se rruga jonë drejt anëtarësimit në BE gërshetohet me sigurinë dhe stabilitetin e mbarë kontinentit.
Në kuadrin diplomatik, ne kemi patur një rol konstruktiv si një anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ishte detyrë e vështirë në një kohë sfiduese, por reagimet nga partnerët dhe miqtë tanë ishin pozitive.
Gjithashtu, kemi bërë të mundur organizimin e disa takimeve të një rëndësie ndërkombëtare, si: Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i mbajtur për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, Samiti i Procesit të Berlinit, Samiti i Evropës Juglindore për Ukrainën dhe Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, i cili në fokus të tij kishte integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria vazhdon përpara në rrugën e saj evropiane dhe ne e bëjmë këtë me bindjen se e ardhmja jonë qëndron në një Evropë dhe botë të paqtë, të qëndrueshme dhe të begatë. Ne mbetemi të përkushtuar për të kontribuar në stabilitetin e kontinentit tonë, duke mbështetur Ukrainën dhe duke punuar së bashku me partnerët tanë të BE-së dhe NATO-s me qëllim adresimin e sfidave që lidhen me garantimin e sigurisë në ditët e sotme. Në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit, Shqipëria është e gatshme të japë ndihmesën e saj për garantimin e një fqinjësie të sigurt dhe të qëndrueshme evropiane, për të mirën e rajonit tonë dhe më gjerë.

Ndasitë me të cilat përballemi nuk janë vetëm midis kombeve, por edhe brenda tyre. Ato manifestohen në hendekun që krijohet midis të pasurve dhe të varfërve, të fuqishmëve dhe të pafuqishmëve, të përparuarve në teknologji dhe të prapambeturve. Ne duhet të përqafojmë një frymë bashkëpunimi, dialogu dhe sensibilitteti.

Stabilizimi i një bote të trazuar nga ndasitë nuk lidhet vetëm me adresimin e sfidave globale, por edhe me humanizmin tonë të përbashkët, vlerat tona të përbashkëta dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Së bashku, ne duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm dhe të promovojmë paqen dhe sigurinë. Udhëtimi ynë i përbashkët drejt shërimit fillon me hapat që ne ndërmarrim pikërisht sot.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button