Nga Aleksandër Çipa
Në javën e parë të janarit të vitit 2001 mbërrita në Prishtinë prej Tirane, për të nisur një përvojë të re në jetën ime, si kryeredaktor I një së përditshmeje të njohur, por më së shumti, për të fituar me vonesë, një njohje dhe dijeni për gjysmën e atdheut tim, Kosovën.
Ishte dimër i ftohtë. Temperaturat shënonin përditshmërisht nga minus 10, deri në minus 20 gradë celcius. Si mesdhetar i mbërritur në Prishtinën kontinentale, kjo ishte një përvojë e re dhe me mungesën e prakticitetit tim, për të jetuar në ngrica dhe sidomos në një qytet si Prishtina e asaj kohe, ku çlirimi i vendit kishte ardhur mbi godina të vjetëruara, me gjurmë breshërish të armëve dhe tankeve, goditjesh, me rrugë të përbaltura, njerëz të gëzuar, por me fytyra të mbushura me shprehje hallesh e dhimbjesh, me mungesë rryme elektrike dhe zhurmnaja të tmerrshme gjeneratorësh.
Redaksia ku do të punoja përditshmëriht ishte në të quajturin “Pallati i shtypit”, aktualisht një shumëkatësh i administratës së lartë shtetërore të Kosovës.
Hotel Grandi, i mbetur si monument arkitekture i ish Jugosllavisë, gjendej si i vetmi hotel i rëndësishëm, por në gjendjen e tranzicionit administrues. Në atë gjendjen e objekteve të ish Jugosllavisë që përjetojnë ndërmjetësinë e papërcaktueshme të së ardhmes për pronësim dhe administrim.
Në kafen e shumënjohur të Grandit, preferonim të pinim kafen dhe kapuçinon e përditshme në mëngjes dhe në mbrëmje.
Aty takoheshim përditshëm me një çift zonje dhe zotëri të shumënjohur, jo vetëm në Prishtinë, por në krejt Kosovën, e madje në hapësirën shqiptare.
Zonjën e njihnim prej shtypit, prej poezisë dhe sidomos prej historisë së jetës së saj. Bashkëshortin, i cili ishte i veshur me një qetësi intelektuale dhe që zotëronte shikim inteligjent kurdoherë, e njihnim më pak. Por qysh në ditët e para të qëndrimit në Prishtinë e zotëruam njohjen.
Ajri Begu ishte ekonomist me prejardhje nga Dibra. Ishte Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Ishte shkrimtar. Njeri shumë i lexuar dhe sidomos një intelektual pa protagonizëm, por shprehës i një elegance qytetse që të tërhiqte në simpatizim.
Zonja e thinjur ishte e famshmja Flora Brovina. Jeta e saj është pjesë e historisë së qëndresës femërore shqiptare në Kosovën e okupuar nga Serbia.
Në momentet më dramatike të okupimit serb të Kosovës, bija e Skënderajt, Flora Brovina, pasi kishte kaluar nëpër kalvare të ndryshme përndjekjesh, dhunimesh dhe keqtrajtimesh psikologjike e trupore, ishte përgatitur për të qenë mjeke, duke parë përherë matanë persekutimeve dhe rrethanave të mundimshme politike. Kishte lënë aq shumë gjurmë nëpër jetët e dhjetra njerëzve dhe sidomos në aq përballje me brutalitetin e militarëve dhe regjimit të diktatorit Millosheviç, sa gjithëherë më sillte në mendje imazhin real të poetes së famshme algjeriane Anna Greki, njëherësh mësuese, veprimtare algjeriane që në vitet 1950-1960, ishte burgosur e torturuar, por që shkroi poezi dhe triumfoi me shpirtin e vet për çlirim kombëtar.
Flora ishte mjeke pediatre, gazetare, aktiviste, poete dhe e tillë mbeti edhe në kohën e postçlirimit, në Prishtinë.
Kujtimet e saj familjare të burgosjeve në burgun e Pejës, rradhët e familjarëve për të takuar të afërmit e tyre, ishin dhe mbetën rrëfimet spikatëse të poetes e cila e konsideroi rrëfimin dhe kulturën shkrimore të ndodhive nën Serbinë e atëkohshme, si një detyrim për memorien dhe mos’harresën kombëtare të shqiptarëve nëpër brezat e ardhshëm. Flora Brovina la gjurmë nëntë vjeçare në redaksinë e më së famshmes së atëhershme “Rilindja”, të cilën ne të Shqipërisë e theksonim si “Rilindja” e Prishtinës.
Në kryeqytetin e Kosovës, në ditët e vitit 2001, poeten, shumica e banorëve e thirrnin “Doktoreshë”, pasi për shumë vite shërbeu në repartin e Pediatrisë së spitalit.
Në pasionin e vet shkrimor dhe atë të mjekes, Flora Brovina ishte një zonjë çehoviane, tek e cila bashkëjetonin organikisht edhe mjekja edhe shkrimtaria-poete.
Ndërsa ritakoheshim në kafen e zakonshme, kishim fituar dhe krijuar tashmë edhe dijeninë për rrethin dhe rrethanat familjare të njeri-tjetrit. Unë ju kallëzoja për Vlorën, Gjirokastrën, Labërinë dhe polifoninë e gazetarinë e Shqipërisë.
Guvernatori Begu, shpesh më rikujtonte se më konsideronte të vetin krahinarisht, pasi “ ishim të Shqipnisë”. Ndërsa ime shoqe-Klara, si përmetare e pati më të shpejtë miqësimin me Florën për shkak edhe të natyrës së njëjtë në karakterin komunikues.
Mjekja-poete fliste zëultë, shtruar, me sy të thellë dhe sidomos e vëmendshme ndaj çdo bashkëbisedimi.
Ishte një zonjë e dëgjimit dhe po aq e mendimit.
Kurreshtja jonë për historinë e saj nuk shterrte, pasi sa më shpesh ritakoheshim, aq më tepër ndodhi të tjera na rrëfente.
Flora Brovina mbartte në shtatin e vet: edhe legjendën, edhe historinë unike të një gruaje; të një luftëtareje, të një intelektualeje, të një veprimtareje dhe sidomos të një qytetareje të Botës që nuk njohu lodhje dhe sidomos ndalje për të qenë pjesëmarrëse në takime, forume, konferenca, tubime, festivale dhe manifestime e ligjërimë publike shumëkombëshe e kombëtare e rajonale. Flora Brovina është shqiptarja e urtësishme për krejt hapësirën dhe ekspresionin femëror shqiptar.
Si gazetare dhe shkrimtare, Flora Brovina shkroi në luftë dhe në paqe, duke mjekuar në luftë shpirtrat dhe shpresën që shpesh mbulohej nga drama dhe tragjedi jetësh të personave në mosha të ndryshme, por fatkeqësisht aq shpesh fëmijë.
Ndërsa në paqe, mjekoi plagë dhe lëndime të mbartura nga koha e luftës dhe periudha e pushtimit.
Forca dhe sidomos cilësitë njeridashëse të Flora Brovinës, janë gjurmë të shenjuara në kujtesa dhe ndërgjegje njerëzish të shumtë nëpër të gjithë Kosovën, janë shenja të paheqshme nga kujtesa e miqve dhe mikeshave të saj kudo nëpër troje.
Kapitujt e jetës së saj, përbëjnë sagën e pashëmbëllt të një zonje-legjendë.
Në shkurt të vitit 2023, së bashku me kolegë gazetarë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe shkrimtarë e poetë të ardhur nga vise të ndryshme europiane të emigracionit shqiptar, u gjendëm në një mbrëmje poetike në Bari. Kishim vizituar së bashku fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut.
Flora Brovina u ngrit dhe përshëndeti, mirëpo një pjesë e gazetarëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nuk po i jepnin qetësinë që meritonte fjala në atë tryezë të bollshme dhe me heterogjenitet njerëzor. Shto edhe faktin që Zonja e shtrenjtë që fliste si zakonisht, e pakzëshme nga pikëpamja vokale, por e urtë në brendinë dhe mesazhin e saj.
Heshta disi i skuqur prej kësaj zhurme kolegësh. Pasi përfundoi, kërkova fjalën dhe u mbërtheva nga urdhëri i ndërgjegjes sime, për të artikuluar në vëmendje të gati 100 kolegëve dhe shkrimtarëve një ligjëratë për madhështinë e jetës dhe historisë së saj si hise imponuese për krenim gjithëkombëtar.
Jeta kalvarike e Flora Brovinës, produkti krijues e mendor dhe aktivizmi qytetar i saj në shumë dekada, janë një pasuri dhe gjurmë europianiste e zonjës unike shqiptare në kohën tonë me disa kohë dhe disa shoqëri. Historia e saj është e denjë për gjithë çmimet e një kontributi femëror që rrallë e mbart aktualisht dhe ndoshta edhe më parë vetë Europa. Ajo zonjë, kishte përjetuar vuajtjet dhe torturimin më të egër në vitin vendimtar të luftës për çlirimin e Kosovës. Në vitin 1999, ajo u mbyll egërsisht në burgjet e Serbisë. Fati i diskutueshëm i jetës së saj saj, shqetësoi dhjetra organizata dhe forume botërore e kryesisht europiane të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe kryesisht të grave…
Për të mbërritur në atë ligjërim, unë kisha mbartur mbi 22 vite njohje nga afër me Flora Brovinën, kisha lexuar e dëgjuar dhjetra intervista, diskutime dhe librat e saj si dhe të të tjerëve për Atë. Kishim qenë së bashku në shumë takime letrare në Prishtinë, Gjakovë, në Prizren, Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë, Prishtinë, Pejë, Strugë etj.etj.
Në sytë e saj atë mbrëmje, pas fjalës sime, ishte drita e falenderimit, por unë ndieja borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes që i kemi dhe duhet t’ia mbartim nëpër të ardhmen e brezave tanë, asaj zonje anafrankiste të kombit.
Në katër-pesë takimet, në kohë të ndryshme gjatë tri viteve të fundit, shkëmbenim me zonjën Flora, dijen për krahinat dhe zonat tona. Ajo më kallëzonte për Skënderaj dhe unë për Bregdetin e Himarës. Kishte mësuar shumë më tepër për polifoninë dhe Labërinë, për raportet e mia familjare me këto dy njësi identitare të hapësirës sonë kombëtare dhe priste me kurreshtje dhe kënaqësi të shihte të realizuar sipërmarrjen time familjare për Muzeun e Fjalës “Lefter Çipa” në Pilur.
Mbetëm përsëritshëm në dakordësinë e të mosmunguarve në takime dhe sidomos në pritje të reja nga Prishtina- në Bregdet e Gjirokastër. Por, papritur…. Flora Brovina në atë ditë të shtatorit më 15 të 2026 në Prishtinë, e ndau shpirtin nga shtati dhe u strehua nën dheun e Kosovës, të cilës i blatoi si Ajo, një jetë sakrificash, përkushtimesh adhurimi dhe sidomos shërbimi, prej heroine dhe zonje.
Në qindra e mijëra ndërgjegje shqiptarësh imazhi i saj do të mbetet dhe mbartet me ndikimin dhe efektin e një gjurmëlënieje ikonike. Do të kujtohet dhe imponohet pambarimisht, si një ikonë e fetarisë kombëtare e qytetare, të cilën nuk ka kornizë që e gjithëpërfshin shterrueshëm.



