
Nga Frrok Çupi-
Edhe pse ka profesionin inxhinier, Mark Zefi ka shkruar si një gjuhëtar ‘par excellence’. Sepse fjalëtorja është altari i fjalëve, jo i foljeve.
Por inxhineri nuk e ka përdorur në sensin e studiuesit të mirëfilltë. Ai shkruan: “Sonte për rreth 2 orë, kryetari i PD-s së mbetur Sali Berisha ishte në sallën e pallatit të kulturës “Gjok Beci” në Rrëshen, me fjalëtoren e tij nr 2’.
Edhe në fund të shkrimit, thotë: ‘Në këtë mënyrë “ASGJËJA” e Berishës në Mirditë mori atë që i takonte. Ndërsa Berisha që e msyni Mirditën me fjaltoren nr 2 për të gjetur lesh, iku i rruar dhe i qeth’.
Në këtë sens bëhet i plotfuqishëm varianti i fjalës ‘fjalëtore’, prurë nga inxhinieri.
‘Fjalëtore’ është një femnomen gjuhësor tipik në Mirditë. Fjalëtore, në të folmen krahinore vetëm Mirditë, nuk ka kuptimin e një stoli apo podiumi prej druri a prej metali ku del e flet dikush, qoftë politikan mashtrues ose edhe vetë Papa. Fjala ‘fjalëtore’, kuptimin e ka thuajse ajror, ose zanor, ose edhe qiellor për nga pesha emocionale që mbart. Kanuni i Lekë Dukagjinit e ka përdorur më specifikisht.
Në të folmen, edhe jashtë kanunore, fjalëtori është ai që ka marrë misionin të përhapë fjalë se çfarë ka ndodhur. Më së shumti, fjalëtori çon e merr lajme për vdekjet. Kur dikush vdes në një fshat prapa malit a prapa disa maleve, fjalëtori bën rrugë me orë e me ditë për të çuar lajmin te miqtë e të njohurit.
Me këtë sarkazmë e përdori fjalën Mark Zefi fjalëtoren, në vend të fjalës ‘foltore’. Marku, një profesionist i ndritur dhe burrë i drejtë e i sertë, ka qenë një nga aktivistët e parë për pluralizëm e demokraci. Por tani, vdekjen e Partisë Demokratike e shikon si një objekt për fjalëtorët.
Gjatë fjalëtores së Berishës në Rrëshen, ai e pa PD-në me fytyrë të zbehtë, pa jetë, shakllabane, kodra mbas bregut, mashtruese, me një lider që kishte ardhur të lutej në Rrëshen: ‘Më mbani mua, jo Salijanjin’.
-Siç përzumë Bashën, ashtu do ta përzëmë Salijanjnin!’, tha dikush që i rridhte nëpër hundë hajvanllëku dhe servilizmi. Ku e dinte ai se Basha e Berisha sot e kësaj dite i kanë punët më së bashku se kurrë, sidomos krimin e vrasjeve dhe të shërbesës ndaj të huajve që e e akuzuan kombin tonë për ‘trafik organesh’ te shtëpia e verdhë në Mat. Po aq dinte ai tipi, siç dinte armikun e klasës.
Saliu, pasi mbajti shënime mbi ‘perlat bajate’, nis të flasë…Njëkohësisht, që nga Korça, aktivisti demokrat Vrenozi, numëronte:
“E kemi dëgjuar këtë.., kaloje doktor… Edhe këtë e kemi dëgjuar disa herë…, kaloje. Eh, more Sali nga këto fjalime nuk vjen gjë!’.
Këtë pasazh Mark Zefi e quajti parti e vdekur, e denjë për fjalëtorë.
Dikush i tha Saliut se ‘ti ke në gji ata që hodhe në kanal. Sapo u ngordhi kali i Bashës, ata të erdhën ty’. Prapë del kali i ngordhur, ose parti e vdekur. Si për fjalorin kanunor ‘fjalëtor’.
-Largoje Flamurin, o Sali!’, thërriti njëri mes shamatës së admiruesve. Saliu tundi kokën; askush s’e di se kjo ishte me kuptimin ‘jepi ti, jepi…, vdes unë po largova Flamurin’. E gjitha ishte kuptim e moskuptim dokrrash.
Vetë Flamuri është një Sali prej dylli. Ka tiket e Saliut, ka mashtrimin e Saliut, ka lëvizjet dhe korrupsionin si të Saliut. Këta nuk e kuptonin se brenda broncit të monumentit Noka, fshihet i gjallë Berisha.
Si do ta rrëzonin njërin e të linin tjetrin?
Ndërsa për Edi Ramën vendosën se ‘nuk mund ta rrëzojnë as me vota, as me fjalë, as me pushkë’. Lere pra fare.
Marku, me siguri, e ka parë si skenë për fjalëtorin: “Shko e thuaju kan e kan se Partia demokratike ka dekë në Fushë- Lumthi’.
Ndoshta ishte fjalëtori i fundit.


