Nga Pellumb Kulla-
Për punët që kam bërë gjatë viteve më ka qëlluar t’u dal zot në shtyp, të shfaq opinione, të jap gjykime për të shkuarën dhe për hallet e ditës….
U kthehem leximit të tyre dhe i gjej të pëlqyeshme. Bile vitet që kanë rrjedhur mes shkrimit dhe leximit u kanë dhënë atyre një lloj aromë vjetërsie, por dhe një kënaqësi për rezistencën ndaj pluhurit kohor.
E tillë është dhe kjo intervistë, dhënë Elona Demollarit dhe botuar në gazetën “Shekulli”, më 2 qershor 2007, që po e risjell në fb për ju, miqtë e mij:
U BËRA REGJISOR,
QË T’I TREGOJ MË MIRË ATO QË SHKRUAJ
Intervistuesja: Nga sa kam folur me kolegët tuaj, para kësaj interviste, kam krijuar përshtypjen që nuk ju ka pëlqyer asnjëherë mënyra si ju a kanë përcaktuar raportin tuaj profesional me humorin.
Përgjigja: Unë ndihem i nderuar kur përcaktohem si i afërt me humorin. Sidomos jam i shquar si konsumator i tij. Tjetër gjë, pastaj, që vetë, në asnjë nga shkrimet e mia, asnjëherë, askund, nuk ve etiketën “humoristike”. Etiketimi si humorist, më shumë gënjen të tjerët, se sa mua. Kjo më sjell ndërmend të ndjerin Kujtim Spahivogli, të cilit nja tre-katër miq të tij, shoferë, i kishin kërkuar t’i shpinte në teatër “kur të shfaqej ndonjë komedi të lezetshme”. E meqë komeditë, rastësisht, në atë periudhë nuk patën qëlluar në repertor, Kujtimi ua plotësoi vetëm pjesërisht kërkesën: i shpuri miqtë e tij shofera taksish, në teatër! U preu biletat për tragjedinë “Mbreti Lir” dhe nuk guxoi t’u thoshte, që ajo nuk ishte komedi. Shoferët e ngratë u ulën në sallë me fytyra të qeshura dhe në çdo hapje perde i kishin gati buzëqeshjet. Sytë u ndrisnin sa herë hynte në skenë ndonjë personazh i ri dhe muskujt e fytyrave të tyre në gatishmëri gazi, në fund të shfaqjes ishin të lodhur. Ata ia thanë me marifet Kujtimit, se aty ishin dhënë gjithmonë komedi të mrekullueshme, por me atë që kishin parë atë natë, Teatri Popullor e pat prishur dorën fare!….” Unë, si të gjithë shkrimtarët e metodës së realizmit, pasqyroj jetën, njerëzit,fenomenet. E vërteta është se njerëzit dhe fenomenet qesharakë, më tërheqin më shumë, por unë sillem shumë seriozisht dhe shpesh dhemshurisht, me ta. Për “Rrëfenjat nga Amerika”, më të kërkuarin nga librat e mi, kam mjaft letra, emaile, shënime, recensione dhe analiza letrare mirëvlerësuese. Por, më besoni: kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur m’i etiketojnë rrëfenjat “prekëse”, kur shkruajnë “jam përlotur”, apo, siç më shkruan miku im, Vasil Vaso, se “ke aty pesë rrefenja, qe me trondisin dhe unë nuk i lexoj dot persedyti….” Dhe kjo e ka shpjegimin, unë nuk mund t’ia lejoja kurrë vetes, që të nisesha të bëja letërsi humoristike, për një fenomen aq dramatik e brengosës, sikurse është mërgimi.
– Përse Shqipëria vazhdon të jetë një vend ku tendenca për të ikur, për të emigruar, vazhdon të mbetet kaq e fortë edhe në radhët e artistëve?
– Shqetësuese është që duan të ikin dhe po ikin shumë shqiptarë, jo vetëm artistë. E kur mendon, se kjo tendencë, edhe pas shtatëmbëdhjetë vjetësh vazhdon të mos dobësohet, pikëllohesh. Njerëzit vijnë këtej të dëshpëruar, të lodhur. Ata janë njerëz që nuk iu përshtatën dot erës së re, edhepse përgjithësisht e patën ëndërruar përmbysjen e komunizmit. Ata nuk e prisnin paskomunizmin kaq të egër, rendin publik kaq të brishtë e të pasigurtë, drejtësinë kaq të pamundur e të manipulueshme dhe qeveritë kaq të pafokusuara në hallet e njerëzve. Papunësia, rritja e çmimeve, mungesat e iniciativave vetjake, retorika shurdhuese shterpë e politikës, i shtyjnë njerëzit të largohen nga vendi për të mbijetuar. Pa shumë sheqerosje turistike, njerëzit dalin këtej për bukën e gojës. Nuk mendoj se artistët, siç nënkuptohet në pyetjen tuaj, përbëjnë kategori dhe tendencë me vete. Ata largohen nga vendi si gjithë të tjerët, veçse me premisa më të pafavorshme. Një mekanik, një murator, apo një kuzhinier, janë më të kërkuar nga punëdhënësit, më shumë se ç’është një artist, sado vlera të ketë patur ai në vendin e tij. Në vend të huaj, buka bën rrugë më të gjatë për të ardhur në sofrën e tij. Të paktën në vitet e para.
– Shpesh thonë që kur krijon distancë nga diçka, arrin ta shohësh atë më mirë. Si një vëzhgues aktiv në distancë, si do ta përkufizonit Shqipërinë?
– Falë mjeteve moderne të komunikimit, fjala distancë e humbet rëndësinë…Ka premtime për qëndrim kritik ndaj historisë kriminale të komunizmit, flitet për shërime plagësh e plot ndreqje të tjera. Le të marrim kompensimet në lëmin e pushkatimeve të shumta, që kanë ndodhur. Falë i qofshim Zotit, shteti ka filluar te kompensojë ushtarakët, që bënin pjesë në skuadrat e pushaktimit! Por u fillua, të paktën! Sa te mbarojë me këta, do të fillojë menjëherë të kompensojë dhe të pushkatuarit!
– Ç’farë mendoni për klasën politike në Shqipëri?
– Ka pa dyshim mes tyre burra të zotë e të mençur, por po vonojnë të shfaqen dhe të lenë gjurmën. Në këtë vend, ku nuk bëhet asgjë, ku nuk përparon asgjë, duket se të gjithë burrat e mënçur e të pushtetshëm janë natë e ditë të zënë me zgjedhjet, me rezultatet, me përmbysjet, manipulimet dhe falsifikimet. Nganjëherë të duket sikur politikanët e paskomunizmit nuk kanë ndërmend të bëjnë asgjë e do të merren vetëm me zgjedhje: zgjedhje për deputetë, zgjedhje për pushtetarë lokalë, zgjedhje për Presidentin, për anëtarë gjykatash, për këshilltarë të drejtësisë, për këshilltarë të televizionit, për komisionerë, për vëzhgues. Dhe mes këtyre zgjedhjeve, zgjidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që i përgatit të gjitha zgjedhjet që thamë…. Zgjedhjet fillojnë një vit më parë se të votohet dhe vazhdojnë të kundërshtohen dy vite pas votimeve. E do kundërshtoheshin më gjatë, por nuk ka kohë, se fillon përgatitja e zgjedhjeve të reja. Është kjo veprimtaria më pasionale, për të gjithë klasën politike, e tërheqëse për të gjithë ne, shqiptarët. Si për ata që janë brenda, ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë vendit. Është një veprimtari drithëruese, interesante që të rrëmben. Nuk ma ha mendja që të gjendet vend tjetër në botë, ku zgjedhjet të sjellin kaq gjallëri, ngadhnjim, egërsi dhe entuziazëm.
– Kur shihni sot në TV, teatër apo në shtyp, përpjekjet për krijime të fokusuara te zhanri i humorit, ç’farë mendoni?
– Mendoj se kohët ndryshojnë, fytyra të reja nisin të bëhen të dashura… Kanë ndryshuar objektet e satirës dhe humorit, por nuk ka ndryshuar etja e përgjithshme popullore për komedinë e për artin e të qeshurës. Megjithatë, për fat të keq, unë nuk i njoh tërësisht spektaklet e humorit që kanë jetë atje.
– Përshembull a e ndiqni “Fiks Fare”? “Portokallinë”?
– Dy shout e Top Channelit, i kam ndjekur dhe mund të shfaq ndonjë konsideratë për ta… Më lart thashë për gjërat që ndryshojnë. I vetmi, që nuk më duket se ka ndryshuar është mjeshtri Filip Çakuli. Është po ai gjahtar i palodhur, që bënte mijëra kilometra në muaj me motoçikletën e tij, për llogari të revistës “Hosteni”. Tani më ngjan se “Hosteni” është bërë elektronik, televiziv e quhet “Fiks Fare”. S’është më revista, nuk është më motoçikleta, por është po ai zell gjuajtës i Filipit, po ai guxim, po ajo trimëri, po ai risk i prishjes me njerëzit, që Filipi nuk e përfill, ashtu siç është i devotshëm ndaj fesë së tij, satirës. Dy aktorët-gazetarë janë të jashtëzakonshëm dhe duhen çmuar maksimalisht për improvizimet, për ruajtjen e linjës kryesore të subjektit dhe për respektin, pothuaj të përhershëm, të sensit të masës.
– E për “Portokallinë” ç’mendoni?
– Thashë se nuk njoh shou të tjerë dhe është vështirë të flasësh për të vetmin mall që ka tregu i spektaklit. Veç të mirënjohurit Agron Llakaj, aty sheh aktorë të rinj premtues, me një zell të jashtëzakonshëm. Janë djem e vajza me një përshtatshmëri e sens humori për t’u patur zili. Spektakli ka dritë e vezullim, teknikë të mirë, paisje ndriçimi e makiazhi, orkestër e trupë baleti mjaft tërheqëse. Por unë kam disi vërejtje për varfërinë tematike, ose për pasurinë e temave jashtë fokusit të përditshëm. Publiku e ndjek me shumë interes, por mendoj se, meqë këtë gjellë ke, “do ta hash se s’bën”, nuk është e bukur që në një njësi kohe aq të ngushtë, të ketë në skenë aq shumë memecë dhe të sëmurë mendorë! Ku janë karakteret e ditës, ku janë pasanikët e rinj, politikanët fjalamanë, ata të korruptuarit, ku janë të gënjyerit nga përmbysja? Sinqerisht, nuk më vjen mirë të shoh aq artistë të mrekullueshëm, të shpërdorohen shpesh me tekste e sidomos me nëntekste të turpshëm, me suksesin e gënjeshtër, që e arrin aq kollaj fraza e përdhosur, fjalori banal. Epo, jo të gjitha gjërat e ndaluara në diktaturë, kanë kohën që të çburgosen tani! Ka prindër që zihen ngushtë para ekranit, në ca dialogë të “Portokallisë”. Është shpërdorimi i fjalës së lirë. E duket, se nganjëherë, aty, në Top Channel, askush nuk tërheq vërejtjen. Dhe është nga ato rastet e rralla kur Komitetet e Partisë që na miratonin shfaqjet, nuk na duken fare të urryer!
– Ka vdekur teatri ne Shqipëri?
– Nuk e them dot këtë. Them vetëm që udhëheqja politike që i është vënë shpesh mbi krye Teatrit Kombëtar, ka dëmtuar pa masë dhe ka sjellë ca praktika separatiste të dënueshme. Që kur ka marrë emrin Teatër Kombëtar, teatri i njohur i kryeqytetit është bërë më pak kombëtar se kurrë!. .
– Me kë jetoni në ShBA? Cila është familja juaj?
– Jetoj me bashkëshorten, shoqen dhe kolegen time të vjetër, Xhuljetën dhe me djalin më të vogël Ditbardhin. Dy të tjerët, vajza Era, dhe djali i madh, Flladi, jetojnë veçmas, me familjet e tyre.
– Si është një ditë e juaja në ShBA? Me se merreni më shumë atje?
– Edhe unë habitem se përse është kaq e ngarkuar! Nga pazotësia ime organizative, me siguri! Shkruaj, përkthej… Me një fjalë, nxjerr bukën e gojës!
– Keni njerëz në Shqipëri?
– Kam prindërit pleq, kam vëllezër, kushërinj, nipër, mbesa dhe shumë miq. Përveç njerëzve, kam dhe …prona!… Më ndjeni për ndonjë fjalë të pistë, si kjo e fundit, që herë pas here, mund të më shpëtojë!
– Cilët janë miqtë tuaj më të mirë?
– I kam të gjithë të mirë. Ju më shtyni të mendohem, a mund, vërtet, të ndërtoj një hierarki me ta!
– Ç’farë ju mungon më shumë nga Shqipëria?
– Hmmmm!… Sa faqe gazete do të më lini që t’jua listoj ? Ju paralajmëroj se lista është e gjatë!
– Mendoni të ktheheni një ditë…?
– Oh, pa tjetër! Patjetër, patjetër, patjetër!
– Si është raporti juaj me Shqipërinë…?
– Nga më të mirët. Dëshmi e dukshme është, se i di për mendësh, të gjitha vjershat që zenë në gojë atë
– … raporti me fëmijët tuaj?
– Raporti me tre fëmijët është i ngrohtë, miqësor. Qëkur ata pranuan, se unë edhe Xhuli i kemi prindërit tanë, më të mirë, se prindërit e tyre, harmonia është bërë më e plotë.
– … me Televizionin…?
– Raport lakmues. – … me politikën…? – Jam vëzhgues zevzek. – … me paranë…?
– Raporti i dashnorit të papërfillur. Unë e kam tërë kohën mendjen tek ajo. Ajo nuk më qaset.
-… me pijen…?
– Ndihem më i afërt me verën. Me rekomandim të mjekëve! Para tri vjetësh ata më rekomanduan, që unë të pi jo më shumë se dy në ditë. Por unë, i pavëmendshëm, nuk i saktësova këto dy, në duhet të ishin dy gota, apo dy shishe! Tani më vjen zor t’i pyes mjekët.
– … duhanin…?
– Zero!
– Kujt i’a detyroni suksesin tuaj, publikut të Fierit, aty ku dhe morët famën, apo..?
– Natyrisht që i detyrohem shumë publikut të mrekullueshëm fierak, por, po i le edhe ndonjë meritë vetes.
– Në një intervistë tuajën kur ju kanë pyetur se a do të ktheheni ndonjëherë, ju jeni shprehur: “Shumë burra të mençur thonë: asnjëherë mos u kthe atje, ku të mbajnë mend për mirë”! Kjo do të thotë që ju nuk do të ktheheni?
– Kjo do të thotë që ju më quakeni të mënçur! Belaja është se unë nuk jam!
– Për 60 vjetorin, Ministria e Kulturës organizoi një koncert festiv në nderimin tuaj. Mendoni se ishte e mjaftueshme?
– Ishte mjaft. Ishte një veprimtari prekëse dhe unë, sa herë gjej rast, i falenderoj ata që organizuan, ata që punuan dhe tërë artistët që morën pjesë në atë shfaqje malli.
– Ju shkruani libra, jeni aktor, dramaturg, regjisor… Ku e ndjeni veten më mirë?
– Kryesisht shkrimtar. Regjisor u bëra për t’i treguar më mirë historitë e mia!…