Ballkani po rikthehet në vëmendjen e politikës së jashtme të Turqisë, ndërsa në diskutimet diplomatike po përmendet edhe çështja e Kosovës dhe raporti i saj me Aleancën Veriatlantike (NATO).
Sipas analistit të çështjeve ndërkombëtare Sokol Brahaj, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po e sheh rajonin si një hapësirë me rëndësi strategjike për Ankaranë, veçanërisht në kontekstin e sigurisë dhe zhvillimeve gjeopolitike.
Brahaj vlerëson se Turqia, si vend anëtar i NATO-s, po përpiqet që çështja e Kosovës të mbetet pjesë e diskutimeve në nivele të larta ndërkombëtare, duke e konsideruar stabilitetin e saj si element të rëndësishëm për gjithë rajonin.
Një angazhim më aktiv diplomatik nga Ankaraja, sipas tij, mund të ndikojë në rritjen e mbështetjes për Kosovën në strukturat euro-atlantike, si dhe në fuqizimin e pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare.
Kjo qasje e Turqisë shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për Ballkanin, ku stabiliteti politik dhe i sigurisë mbetet prioritet./ Euronews Albania



