Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhiPolitikeRajoni

Emigrantët shqiptarë në strukturat e PASOK – mbi 20 kandidatë në zgjedhjet e 15 marsit! në Athinë!

Nga Vladimir Selamaj
Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot me një nga aktivistët më të vjetër të emigracionit shqiptar në Greqi, Anastas Murati, u diskutua mbi një zhvillim të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në vendin fqinj: përfshirjen gjithnjë e më të madhe të emigrantëve shqiptarë në jetën politike greke.
Sipas Muratit, pas disa dekadash emigracioni dhe kontributi të vazhdueshëm në shoqërinë greke, një nga forcat kryesore politike në vend, PASOK, po hap më gjerësisht dyert për përfaqësues të komunitetit shqiptar. Ai thekson se ndonëse shqiptarët kanë qenë të pranishëm edhe më parë në aktivitete politike, këtë herë pjesëmarrja është më e dukshme dhe më e organizuar.
Në zgjedhjet e 15 marsit për përfaqësuesit në kongresin e PASOK, mbi 20 përfaqësues nga komuniteti shqiptar në Greqi do të jenë pjesë e garës. Sipas Muratit, kjo përbën një hap të rëndësishëm drejt përfaqësimit politik dhe integrimit më të plotë të shqiptarëve në jetën publike të vendit ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh.
Ai thekson se kandidatët vijnë nga fusha të ndryshme profesionale, si arsimi, drejtësia, biznesi dhe sektorë të tjerë të jetës shoqërore. Sipas tij, kjo shumëllojshmëri profesionesh pritet të ndikojë pozitivisht në performancën dhe cilësinë e përfaqësimit të tyre në strukturat e partisë.
Gjatë bisedës, Murati vlerësoi veçanërisht rolin e brezit të ri të emigrantëve shqiptarë, duke theksuar energjinë dhe vizionin që ata sjellin në angazhimin publik. Në të njëjtën kohë, ai nuk harroi të përmendë edhe kontributin e brezave të mëparshëm të emigracionit shqiptar, të cilët, sipas tij, hodhën themelet e integrimit dhe respektit që komuniteti gëzon sot në Greqi.
Në shenjë mirënjohjeje, Murati përmendi edhe disa nga kandidatet e komunitetit shqiptar që garojnë në këto zgjedhje, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre në komunitet: Zamira Doko, Lindita Kulla, Lefteri Metka dhe Argita Piperi.etj!
Një moment interesant i bisedës ishte edhe një përkim simbolik që Murati ndau gjatë telefonatës: krijimi i degës së Partia Socialiste e Shqipërisë në Athinë përkon me ditëlindjen time, një rastësi që ai e cilësoi domethënëse për komunitetin shqiptar në emigracion.
Në përfundim të bisedës, në shenjë respekti dhe miqësie, shfrytëzova rastin t’i uroj nga zemra mikut tim të vyer Anastas Murati edhe shumë vite të tjera jetë, shëndet dhe energji për të vijuar kontributin e tij në shërbim të komunitetit shqiptar në Greqi.

Artikuj të lidhur

Back to top button