BlogBotaKryesoreNdodhiPolitike

Edhe 4 vjet deri te lufta e madhe?

Nga Enver Robelli-
Për arsye historike shefi i armatës gjermane quhet inspektor i përgjithshëm i Bundeswehrit. Aktualisht këtë funksion e ushtron gjenerali Carsten Breuer. Më 19 mars ai mori pjesë në një debat në televizionin publik gjerman ARD. Bashkë me të diskutoi edhe profesori Carlo Masala, i cili ligjëron në Universitetin e Bundeswehrit në München. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e lavdëroi debatin si shumë thelbësor dhe shtoi se ka mundur të zgjasë edhe më shumë. Profesori Carlo Masala tha se Europës i mbeten edhe 4 vite për t’u përgatitur – sepse, sipas tij, goditja e radhës nga ana e diktatorit rus mund të pasojë në apo deri në vitin 2029. Po aq alarmante ishin informatat e gjeneralit Breuer. Ai tha se Rusia, për dallim nga europianët, e sheh luftën si “vazhdimësi”. Dhe përgatitjet për këtë luftë, sipas gjeneralit gjerman, Rusia tashmë i ka filluar – në mes të Gjermanisë! “Ne po shohim dronë mbi kazerma”, “po shohim dronë mbi parqet kimike”; “vërejmë se aktet e sabotazhit po rriten”, “shohim që spiunazhi po shtohet”.
Cilat janë synimet e Rusisë?
Janë dy, sipas gjeneralit Breuer. Nga njëra anë Rusia po përpiqet të krijojë qasje “për një luftë më të madhe” (“Si mund të sulmojmë?”. Qëllimi tjetër është përhapja e frikës në popullsi.
Pastaj Breuer tregoi një rast i cili në mënyrë ekzemplare dëshmon se deri ku ka depërtuar spiunazhi rus. Breuer tha: “Së fundi më telefonoi një kryetar bashkie, i cili më tha: ‘E dini çfarë ka ndodhur? Më ka telefonuar një punëtor, i cili është përgjegjës për stacionet e transformatorëve elektrikë. Dhe ai më tha: i dashur prefekt, kur të më dergosh herën tjetër njerëz që duhet të kontrollojnë këtë (transformatorët elektrikë), kujdesu të mos jenë të tillë që flasin vetëm rusisht”.
Dy rusët që inspektuan stacionin e transformatorëve nuk ishin punëtorë institucionesh gjermane. Ata me gjasë të madhe ishin spiunë – të veshur me jelekë ngjyrë portokalli me stemë dhe me toponim të qarkut përkatës gjerman. Natyrisht ata nuk e humbën rastin dhe bënë edhe fotografi të stacionit të transformatorëve. Punëtorit gjerman as që i kishte shkuar mendja se këta dy tipa mund të jenë të dyshimtë.

Artikuj të lidhur

Back to top button