
Nga: Augustin Palokaj–
Raportet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë temë në vete, por kësaj radhe nuk do të merremi me to. Fundi i fundit, të dy kanë të drejtë të zgjedhin partnerët e tyre dhe bashkëmendimtarët nëse janë të bindur se kjo është në interes të vendeve të tyre. Të tjerët kanë të drejtë që të mos pajtohen me ta apo të pajtohen. Do të merremi me idenë e tyre që të shkruajnë një Editorial të përbashkët në të përditshmen gjermane Frankfutret Allgemeine Zeuting.
Nuk kanë thënë asgjë të re, kanë kërkuar diçka që në një mënyrë ekziston, por kanë dhënë shenja se nuk besojnë në anëtarësimin e shpejtë në BE. Për Presidentin e Serbisë kjo është e kuptueshme, por është befasuese se si me të është rreshtuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit për një vit bëri më shumë sesa që Serbia ka bërë për dhjetë vjet në procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian.
Nuk është sekret se në BE ka hezitim. Sidomos ka në dy vendet kryesore dhe më të mëdha të saj, Francë dhe Gjermani. Por nëse shihet e gjithë BE-ja, atëherë vërehet se skepticizmi ndaj zgjerimit është zvogëluar dukshëm dhe mbështetja është shumë më e madhe sesa që ka qenë para disa vjetëve. Do të ishte e kuptueshme sikur një vend i tashëm anëtar të dilte me ide për alternativë të anëtarësimit të plotë. Por është e pakuptimtë, e panevojshme dhe e dëmshme që me ide të tilla të dalin liderët e vendeve kandidate. Kandidatët që synojnë anëtarësimin në BE nëse e kanë serioze këtë ambicie, duhet të bëjnë presion që kjo të ndodhë sa më shpejt e jo kaq lehtë të zvogëlojnë ambiciet e tyre.
Për sukses në zgjerimin e BE-së nuk ka nevojë për ide por për vullnet. Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq japin ide por nuk flasin për vullnetin e tyre për të përmbushur kriteret. Këta dy nuk është dashur të shkruanin së bashku editorialin ku kërkojnë diçka që pothuajse ekziston si alternativë e anëtarësimit në BE. Sepse dy vendet që udhëheqin Rama dhe Vuçiq janë në pozita të ndryshme, krejt të kundërta sa i përket orientimit politik, ndërsa në rrugëtimin drejt BE-së Shqipëria ka avancuar shumë e Serbia është ajo që ka ngecur vetëm me fajin e saj e jo të BE-së. Por duket se Rama ndjen se progresi i madh vitin e kaluar me hapjen e të gjithë kapitujve nuk do të ndiqet tash me mbylljen e tyre dhe Shqipëria tash do të ngecë në rrugën drejt BE-së.
Në Shqipëri mbështetja për BE-në është afër 97 për qind. Vetë kryeministri Rama me humor ka thënë një herë se këta 3 për qind që janë kundër ose kanë pasur problem me partnerët ose u ka ardhur anketuesi në kohën kur ishin duke shikuar futboll. Para disa vjetësh një diplomat i Shqipërisë kur e kishin pyetur se “si është e mundur që mbështetja për BE të jetë 97 për qind“ ishte përgjigjur se “me një fushatë të mirë mund t’i bindim edhe ata 3 për qind tjerë”. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, nuk dyshon në orientimin pro perëndimorë. Në Shqipëri për këtë ka konsensus politik edhe mes partive që për vite ushqejnë një përçarje në shoqëri dhe nxitje të përhershme tensionesh. Së paku rreth anëtarësimin në BE kanë pajtim të plotë. Ka konsensus edhe shoqëror, edhe kulturor.
Në Serbi është e kundërta. Opinioni është më shumë kundër sesa në favor të BE-së. Presidenti Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë përdorin gjuhën më të ashpër për BE-në dhe perëndimin. I quajnë “hipokritë”, “okupatorë” (sepse sipas tyre ua kanë marrë atë që për ta është më e shtrenjta “zemrën -Kosovën dhe Metohinë“). Dhe kjo fushatë e përhershme nga partia e presidentit Vuçiq dhe mediat e tij ka bërë që shumica e qytetarëve të Serbisë të jenë kundër BE-së. Ata do të donin që BE të përmbushë kushtet e tyre e jo Serbia kushtet e BE-së. Në Serbi, sipas një matjeje të opinionit të botuar në Eriobarometer në vjeshtën e vitit 2025 vetëm 38 për qind kanë mendim pozitiv për BE-në. Qytetarët e Serbisë shumë më tepër kanë besim në Rusinë dhe Kinën sesa në BE-në. BE-së i besojnë vetëm 38 për qind ndërsa Rusisë 59 për qind e Kinës 57 për qind.
Për dallim nga Shqipëria e cila ka bërë progres pasi i ka përmbushur kushtet e kërkuara Serbia ka refuzuar ta bëj një gjë të tillë. Serbia nuk njeh gjenocidin në Srebrenicë, nuk ka avancuar në normalizimin e raporteve me Kosovën, nuk dëshiron të ndërmarrë masa ndaj kryesve të sulmit terrorist në Banjskë, nuk përshtatet me qëndrimet e BE-së ndaj Rusisë, Iranit, Bjellorusisë, Kinës e vendeve të tjera, nuk pranon t’i mbështesë sanksionet ndaj Rusisë, nuk përfill kërkesat për rregullatorin e mediave elektronike, nuk respekton pavarësinë e gjyqësorit, nuk respekton lirinë e mediave dhe nuk ndërmerr masa ndaj atyre që kanë sulmuar dhe kërcënuar gazetarët, nuk reformon ligjin zgjedhorë, nuk dënon përgjegjësit për parregullsi zgjedhore.
Të gjitha këto thuhen qartë në raportin e progresit për Serbinë të Komisionit Evropian. Por është e tepër ndoshta të pritet që Rama apo dikush tjetër nga kabineti i tij ta lexojnë Raportin e progresit për Serbinë. Është pikëpyetje edhe nëse e kanë lexuar atë për Shqipërinë sepse do ta kuptonin se performanca e Shqipërisë në arritjen e standardeve evropiane nuk është aq impresive sa fitohet përshtypja nga prononcimet publike. Akoma Mali i Zi është shumë para Shqipërisë në këtë fushë.
Dhe këto janë arsyet që ka aq shumë shtete të cilat e mbajnë të bllokuar procesin e negociatave të BE-së me Serbinë, sepse për secilin hap duhet pajtim të të gjitha vendeve anëtare. Dhe sa për kuriozitet vendet që kanë bllokuar Serbinë janë shumë pro zgjerimit të BE-së e jo kundër. Pra për mungesë të progresit të Serbisë është gabim në këtë fazë të fajësohet “lodhja nga zgjerimi”. Sepse kjo “lodhje” nuk i pengoi Malin e Zi dhe Shqipërinë të arrijnë progres.
Do të ketë të tillë që do të kritikojnë Ramën pse ka bashkëshkruar një editorial me Vuçiqin në kohën kur lideri i Serbisë kërcënon Kosovën, fyen Kroacinë e Bosnjë-Hercegovinën, por edhe BE-në. Dhe mund të kenë të drejtë. Por vendimi i Ramës që në këtë moment me Vuçiqin të shkruajë editorial të tillë ka habitur edhe shumë njerëz në BE, sidomos mbështetësit e zgjerimit. Ata sikur kanë harruar se Shqipëria, Serbia dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit tashmë janë duke e realizuar integrimin gradual. Kanë marrëveshje Stabilizim Asocimit përmes së cilave e kanë pothuajse të hapur tregun e BE-së për të plasuar mallra pa dogana. Mjafton të kenë prodhime që përmbushin standardet evropiane. Kanë liberalizim vizash, marrin pjesë në programet e shumta të BE-së, ka bashkëpunim dhe takime të rregullta në çdo nivel, nga ai i ekspertëve, përmes ministrave e deri tek liderët. Një samit i tillë u zhvillua edhe në Tiranë. Anëtarë nga vendet e zgjerimit u pranuan edhe në Komitetin Ekonomik dhe Social si një pilot projekt i cili mund të pasohet dhe nga institucionet tjera të BE-së. Së shpejti do të përfshihen vendet e rajonit edhe në Romingun evropian. Paralelisht avanconin Procesi i Berlinit dhe ai do të ishte edhe më i suksesshëm sikur të mos ishin pengesat që bën Serbia dhe pjesa serbe e Bosnjë-Hercegovinës. Me sukses po vepron edhe Këshilli i bashkëpunimit Rajonal (RCC). Sikur të ketë vullnet të mirë shumë gjëra do të bëheshin edhe pa ide të reja me nismat ekzistuese.
Në BE vërtet po diskutohen idetë zgjerimit të madh.
Ndoshta e kanë shkruar Rama dhe Vuçiq këtë editorial për t’ia bërë qejfin dikujt. Ndoshta me motive të tjera. Por për Shqipërinë ka rrezik që të kuptohet si humbje e ambicies. Kjo do të përdoret nga ato qarqe, në rritje në BE, që mendojnë se duhet pranuar Malin e Zi në BE, e pastaj për të tjerët “shohim e bëjmë”. Shqipëria ka avancuar drejt BE-së pasi ka nisur të distancohet nga Serbia dhe nga aventurat e “Ballkanit të hapur”. Tash një afrim i ri mund ta çojë Shqipërinë përsëri në një proces më të ngadalshëm, duke iu përshtatur ritmit të Serbisë. E kjo do të shihet përmes ritmit të ngadalshëm të mbylljes së kapitujve. se si të pranohen vendet e reja anëtare dhe ndikimi i zgjerimit. Të gjitha analizat e bëra pa presion politik thonë se ndikimi i zgjerimit, edhe sikur të pranohen 10 vende përnjëherë, nuk do të ishte më i madh sesa që ishte në vitin 2004 gja



