
Qytetarët prej disa orësh para Kryeministrisë po vijojnë marshimin e tyre teksa këtë të shtunë shënohet dita e 28-të e protestës. Protestuesit shihen me pankarta dhe flamuj në duar.
Ata kanë vijuar protestën e tyre teksa bëjnë thirrjen e tyre të përsëristur prej ditësh për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
‘Rama në burg, Berisha në burg’, ‘Rama jepe dorëhqjen’, ‘Shqipëria nuk shitet’, janë disa nga thirrjet dhe pankartat që brohorasin qytetarët.
Edhe ditën e sotme nuk mungon prania e fëmijëve të mitur të cilët prindërit e tyre kanë vendosur ti marrin me vete në marshim. Në këtë marshim ka edhe shqiptarë nga diaspora të cilët kanë udhëtuar nga vendet ku punojnë dhe jetojnë për tu bashkuar në këtë marshim.
Grumbullimi i protestuesve si çdo herë tjetër, nisi në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej” për shkak të temperaturave të larta. Ata vijojnë thirrje për përmbushjen e kërkesave të tyre. E pranishme në protestë është edhe eurodeputetja italiane, Ilaria Salis. Ajo gjatë fjalës së saj theksoi se Europa nuk është në Bruksel, sipas saj Europa është në Tiranë.
Salis shtoi ndër të tjera se kjo protestë është një shembull për të marrë në dorë fatet dhe mos të lejojnë që oligarkët të vendosin për vendin pasi sipas saj Shqipëria nuk është në shitje. Pas disa orësh para Kryeministrisë ata kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës.
Ajo u shpreh se: “Ju po bëni histori, Europa është këtu në Shqipëri, vazhdoni misionin tuaj, rroftë revolucioni i flamingove”.



