Nga Sebastian Zonja-
Së fundmi, presidenti serb Aleksandër Vuçiq njoftoi se ShBA-të do të sanksionojnë kompaninë serbe energjetike “NIS”. E privatizuar në vitin 2008 nga “Gazpromi” rus, kjo kompani mbetet një ndër instrumentet e rëndësishëm të ndikimit të Kremlinit në Serbi. Nëse administrata Tramp (Donald Trump) nuk ndryshon qasje, lidhja e Serbisë me Moskën do të mbetet thjesht kulturore në vijim, duke çuar drejt izolimit të fuqisë destabilizuese të të dyja vendeve në rajonin e trazuar nga lufta dhe gjenocidi.
Serbia merr armë nga Rusia. Merr gaz. Ka lidhje historike dhe përdor fuqinë e saj nëpër institucione ndërkombëtare për të avancuar interesat e veta. E ka në dorë Moska Beogradin apo ka një lloj shkëputjeje aktualisht?
Leximet e teksteve historike na mësojnë se marrëdhënia mes Rusisë dhe Serbisë është njëra nga aleancat e qëndrueshme diplomatike në historinë e Evropës në shekullin e fundit, rrënjosur në trashëgiminë e përbashkët sllave, Krishterimin Ortodoks dhe interesat e përbashkëta gjeopolitike. Sipas teksteve historike, aleati i Rusisë ka qenë Bullgaria në fillimvitet 1900, ndërkohë tekstet në Serbi na mësojnë se marrëdhënia Moskë – Beograd daton që nga periudha mesjetare, kur u krijuan lidhjet e para kulturore dhe fetare mes dy vendeve që i përkasin të njëjtit grupim gjuhësor dhe kulturor sllav, ndërsa ndjekin Krishterimin Ortodoks Lindor. Pas rënies së Kostandinopojës, në vitin 1453, Rusia, sipas teksteve serbe, filloi të shfaqej si mbrojtëse e të krishterëve ortodoksë në Ballkan, përfshirë Serbinë, e cila asokohe ra nën sundimin osman. Kryengritja e Parë Serbe (1804–1813); Kryengritja e Dytë Serbe (1815) dhe Traktati i Adrianopojës (1829), që i dha fund Luftës Ruso-Osmane, i dha Serbisë autonomi, duke forcuar rolin e Rusisë si aleate kryesore për pavarësinë e Serbisë. Ndërtimi i Katedrales së Shën Savës në Beograd, një nga kishat ortodokse më të mëdha në botë, u financua pjesërisht nga donacione ruse. Kisha Ortodokse Ruse ruan marrëdhënie të ngushta me Kishën Ortodokse Serbe, duke forcuar lidhjen shpirtërore mes dy vendeve.
Në shekullin XIX nisi fryma e Pan-Sllavizmit, një lëvizje ideologjike që promovonte unitetin e popujve sllavë nën udhëheqjen ruse. Kjo ideologji gjeti përkrahje në Serbi, e cila e shihte Rusinë si aleate natyrale kundër dominimit osman dhe austro-hungarez në Ballkan. Diplomatët rusë mbështetën ambiciet territoriale të Serbisë në Ballkan, veçanërisht gjatë luftërave Serbo-Turke (1876–1878) dhe Kongresit të Berlinit (1878), ku Serbia fitoi pavarësi të plotë dhe zgjerim territorial me mbështetjen e fortë ruse. Vrasja e arkidukës Franc Ferdinand, në Sarajevë, në vitin 1914, shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në Luftën e Parë Botërore (1914 – 1918), gjatë së cilës Serbia u gjend në qendër të konfliktit të madh evropian. Rusia mbështeti Serbinë kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë në fazat e hershme të luftës. Angazhimi i Perandorisë cariste Ruse për mbrojtjen e Serbisë na dëfton interesin e saj gjeopolitik për të ruajtur ndikimin në Ballkan duke kundërshtuar zgjerimin austro-hungarez dhe gjerman. Pas krijimit të Bashkimit Sovjetik, Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (më vonë ish-Jugosllavia) u distancua nga Bashkimi Sovjetik komunist, por u ruajtën lidhjet kulturore dhe politike. Ndërkohë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ish-Jugosllavia dhe ish-Bashkimi Sovjetik ishin aleatë kundër Gjermanisë naziste. Ushtria e Kuqe luajti rol vendimtar për çlirimin e Beogradit, në vitin 1944, duke forcuar më tej ndikimin rus në rajon. Gjatë Luftës së Ftohtë, pavarësisht dallimeve ideologjike dhe tensioneve (ndarja Tito-Stalin në vitin 1948), Rusia ruajti praninë e saj në ish-Jugosllavi përmes shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike. Serbia, si republika më e madhe dhe më me ndikim brenda ish-Jugosllavisë, mbeti pikë qendrore e interesit sovjetik.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë në fillim të viteve ’90, Rusia mbështeti Serbinë diplomatikisht, veçanërisht në luftën në Bosnjë (1992–1995) dhe luftën në Kosovë (1998–1999). Moska kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi dhe pavarësinë e Kosovës, duke u pozicionuar si mbrojtëse e sovranitetit serb në arenën globale.
Për ta mbajtur sa më afër vetes, Rusia ka shfrytëzuar burimet e saj energjetike me forcu lidhjet me Serbinë. Në vitin 2008, “Gazpromi”, kompania shtetërore ruse e energjisë, bleu një pjesë të madhe të aksioneve të kompanisë kombëtare energjetike serbe, “NIS”. Kjo i siguroi ndikim të rëndësishëm në tregun energjetik të Ballkanit. Po ashtu, Serbia furnizohet përmes gazsjellësve “South Stream” dhe “TurkStream” të Rusisë, duke ndërlidhur interesat ekonomike të të dyja vendeve.
Aktualisht, Rusia përdorur fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ushtarakisht, të dyja vendet zhvillojnë stërvitje të përbashkëta dhe Serbia blen armatim nga Rusia. Ky bashkëpunim në të gjitha nivelet – ushtarake, diplomatike, ekonomike dhe kulturore – nënvizon përkushtimin e Rusisë për të ruajtur ndikimin e saj në Ballkan dhe për të kundërshtuar zgjerimin e NATO-s.
Beogradi, ndërkohë, po mundohet që ta balancojë këtë aleancë. Ka nisur marrëdhënie ushtarake me SHBA-të, është afruar me Bashkimin Evropian dhe, në të njëjtën kohë, përdor fuqinë e Rusisë në OKB dhe institucione të tjera për të kundërshtuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Duke parë këtë dinamikë interesante të marrëdhënieve mes tyre, sot është e rëndësishme të izolohet fuqia destabilizuese e Beogradit në rajon, ndërsa projekton trazira në Bosnjë dhe Kosovë. Bashkë me izolimin e fuqisë destabilizuese të Serbisë, shuhet edhe fuqia e Milorad Dodikut në Bosnjë, në Republikën Serbe atje. Pak nga pak, kjo politikë e unifikuar e Brukselit dhe Uashingtonit për ta shkëputur Serbinë nga varësia e Moskës jep fryte duke e çuar rajonin drejt Bashkimit Evropian. Mbetet sfidë regjimi në Beograd, ndërsa e projekton veten të lidhur ngushtë me interesat strategjike serbomadhe në Ballkan. Pa ndihmën e Moskës, regjimi serbomadh në Beograd ka dy rrugë – të ç’montojë dalëngadalë veten, ose të kthehet në destruktiv. Koha do ta tregojë. Ajo që ka rëndësi është rruga e demokratizimit të Tiranës dhe Prishtinës për të çliruar sa më shumë energji në kuadër të stabilitetit ballkanik me fokus një treg të përbashkët dhe idenë e Bashkimit Kombëtar.