
Nga Fahri Musliu-
Ka qenë mahnitës dita e votimit të qytetarëve më 9 shkurt kur u dëshmua kulturë e lartë e përgjegjësi qytetare dhe ishte dita më demokratike jo vetëm në Kosovë por në rajon.
Pas orës 19.00 kur përfundoi votimi nisi faza antidemokratike që do ta quaja edhe proces të anarkisë e cila po zgjatë plotë 5, dy muaj procesi i numërimit e rinumërimit të votave dhe tre muaj që parlamenti nuk po mund të konstitutohet. Kurse deputetët e pa ndërgjegjshëm dhe përgjegjshëm po e luajnë rolin e palaçove në cirkun në sallën e Kuvendit popullor.
43 seanca të kota (nga 46) , ku rivalët politikë, të ndarë në dy tabore për inate dhe interesa të caktuara e kanë bllokuar Kuvendin, e me këtë edhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
Si nuk ju vjen turp që për 43 seanca nga 80 sekonda, sa zgjat fjala e kryesuesit e përsëritur si pllaka e gërrithur e gramofonit, marrin 1800 euro në muaj. 15 seanca (në muaj) bëjnë 20 min që i bie rreth 90 euro për minut. A paguhet dikur në botë kaq para për 1 minut.
A duhet qytetarët e Kosovës ta pranojnë këtë paturpësi apo duhet të mendojnë mirë që ti bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme (me siguri do të mbahen në vjeshtë) , si ndëshkim dhe mesazh për subjektet politike që të vetëdijesohen dhe të mendojnë për ndërtimin e shtetet e jo ti kënaqin egot, arrogancën, fudullëkun dhe interesin personal a klanor/partiak. Kjo që po ndodh është anarshi me elemente të autoritarizmit nga një subjekt politik, respektivisht nga kryesuesi i seancave që ua mbyll edhe mikrofonin diskutuesve duke ua mohuar të drejtën e fjalës së lirë.



