
Ardian Kalija, avokati i zv.kryeministres Belinda Balluku ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të njihet me provat e SPAK që janë dorëzuar në Kuvend bashkë më kërkesën për autorizim për arrestimin e saj.
Prej orës 10:30 në Kryesinë e Kuvendit po mbahet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Për dy orë me radhë palët diskutuan aspektin procedural se si do zhvillohej mbledhja. PD kërkoi që mbledhja të jetë e hapur për publikun, por PS kundërshtoi me argumentin se duhet ruajtur sekreti hetimor. Edhe vetë SPAK ka kërkuar mbledhje me dyer të mbyllura, kërkesë e artikuluar edhe në mbledhjen e sotme.
Pas 2 orësh diskutime u vendos që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe prokurorët e SPAK po lexuan kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk është paraqitur në mbledhje, por ka dërguar avokatin Ardian Kalija. Ky i fundit ka kërkuar që të njihet me provat e SPAK dhe t’i vendoset në dispozicion USB-ja.
Edhe Partia Demokratike ka kërkuar që USB-në me prova ta marrin me vete për ta shqyrtuar, por PS kërkon që dokumentacioni të mos dalë nga mbledhja, por të hapet dhe të shqyrtohen brenda në mbledhje. USB-ja është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor.
Në kohën kur po zhvillohej mbledhja, Balluku shkoi në kryeministri për mbledhjen e qeverisë. Ndërkohë, SPAK përfaqësohet nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe prokurorja Dorina Bejko.



