Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Çmontimi i rrjetit ndërkombëtar të kokainës në Shqipëri, reagojnë Dumani dhe prokurori i SPAK Xholi

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, reagoi pas operacionit të madh të drejtuar nga SPAK që çoi në shkatërrimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të kokainës në Shqipëri.

Në analizën e brendshme të deritanishme të këtij hetimi, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron atë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”, tha Dumani.

Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti. “Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar”, tha ai.

Nga operacioni i drejtuar nga SPAK përfunduan në pranga 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 të huaj, shtetas nga Amerika Latine, të cilët kishin sjellë ekspertizën e tyre për të ngritur laboratorin e kokainës në Shqipëri. Në total u sekuestruan 6 kg kokainë si dhe materiale ndihmëse për përpunimin e saj.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button