
Nga Dashnor Kokonozi-
Pak kohë më parë ndoqa polemikën që ngjalli përkthimi në holandisht i poemës The Hill we climb, të cilën Amanda Gorman e shkroi, me gjasë sipas kërkesës së Joe Biden.
Një poemë patriotike e me tone uitmaniane ku nuk mungojnë edhe citime të Biblës.
Botuesi holandez Meulenhoff ngarkoi përkthyesën Marieke Lucas Rijneveld, një vajzë mjaft e talentuar, ta sjellê atë në gjuhën e vendnit. Por ndodhi që një gazetare, Janice Deul, edhe ajo afro-amerikane sikundër Amanda Gorman (autorja e poemës), ngrihet e proteston (pa dalë ende përkthimi) duke thënë se nuk e kupton pse një e bardhë duhet përkthejë një poete me ngjyrë. Sipas saj, Gorman është rritur nga një nënë beqare dhe ka patur mjaft probleme në fëmijërinë e saj dhe kjo sigurisht që ndikon te identiteti dhe krijimtaria, gjë që një përkthyese e bardhë nuk ka se si ta kuptojë.
Polemika shpërtheu gjithandej, por po sjell këtu pak nga ajo e André Markowicz-it, një « hebre laik » siç e quan veten, me origjinë ruse dhe padyshim, për mua, një nga përkthyesit më brilantë të kohës sonë. Më vjen ndëmend përkthimi prej tij i të gjitha veprave të Dostojevskit, gjë për të cilën ai argumentoi se përkthimet e mëparshme ishin të gabuara, meqë sipas tij, Dostojevski e urrente elegancën, sidomos atë të francezëve. Dostojevski, thotë ai, shkruante me këmbëngulje pa u shqetësuar fare për sintaksën dhe përsëritjet e shumta.
Rezultati i punës së tij është mjaft i vlerësuar nga specialistët.
Nga replika që bën te gazeta Tribune, e shoh Markowicz-in disi të tendosur. Argumentet e Janice Deul, thotë ai më kujtojnë vërejtjet e një kritiku rus që më tha se përkthimet e mia të Dostojevskit ishin të dyshimta sepse unë nuk isha ortodoks.
Thelbi ishte se një çifut edhe pse rus, përsëri nuk mund të kuptojë “shpirtin rus”.
Ky thyerje sipas ngjyrës së lëkurës, thotë ai, është e kundërta absolute e asaj që përcjell përkthimi. Askush nuk ka të drejtë të më thotë se kë duhet të përkthej. Përkundrazi, të gjithë kanë të drejtë të më gjykojnë ne rezultatin tim, nëse kanë aftësinë ta bëjnë. Pra, nëse unë nëpërmjet punës sime, nëpërmjet zërit tim, lëndës së fjalëve të mia kam dhënë apo jo zërin e një tjetri, pa e thjeshtuar në natyrën e zërit tim.
Pastaj kritikon rreptë edhe botuesin holandez që për t’ju përshtatur disa kërkesave identitare të kohës, tërheq përkthimin dhe kërkon falje…
Së fundi shoh se janë edhe kritikat e diskutimet e përflakura në rrjet, që shpesh, fatkeqêsisht, marrin edhe ngjyra raciste, por këtu dua të ndaj njërin prej tyre:
Po mirë, pyet ai, tani duhet të jesh hebre homoseksual dhe astmatik që të kesh të drejtë të përkthesh Proust-in?