Aktualitet/LajmeBotaKryesore

Çfarë po ‘kurdisin’? Ministrja e jashtme e Koresë së Veriut viziton Moskën

Vizita e ministres së jashtëm Choe Son Hui në Moskë këtë javë dhe takimi i saj me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov vjen pas deklaratës së Pentagonit se Koreja e Veriut ka dërguar 10,000 trupa në Rusi për t’i dërguar në luftë në Ukrainë brenda “disa javëve të ardhshme”.

Ministri i jashtëm i Rusisë priti homologen e tij nga Koreja e Veriut të premten, mes njoftimeve që Pheniani ka dërguar mijëra ushtarë në Rusi për të ndihmuar ushtrinë ruse në luftën në Ukrainë.

Vizita e Ministres së Jashtme Choe Son Hui në Moskë këtë javë dhe takimi i saj me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov vjen pas deklaratës së Pentagonit se Koreja e Veriut ka dërguar 10,000 trupa në Rusi për t’i dërguar në luftë në Ukrainë brenda “disa javëve të ardhshme”.

Administrata e Presidentit Biden tha të enjten se rreth 8,000 trupa të Koresë së Veriut janë vendosur në rajonin Kursk të Rusisë, pranë kufirit me Ukrainën dhe po përgatiten të ndihmojnë Kremlinin të luftojë kundër forcave ukrainase gjatë ditëve të ardhshme.

Udhëheqësit perëndimorë e kanë cilësuar dërgimin e trupave të Koresë së Veriut si një përshkallëzim të rëndësishëm që mund t’i trazojë marrëdhëniet në rajonin e Indo-Paqësorit.

As Moska dhe as Pheniani nuk kanë njoftuar se cila është agjenda e vizitës së Ministres Choe në Moskë, por në një seancë me dyer të mbyllura në parlamentin e Koresë së Jugut, agjencia koreane e zbulimit tha se ka mundësi që Ministrja Choe është përfshirë në bisedime të nivelit të lartë për të dërguar trupa shtesë në Rusi dhe për të negociuar se çfarë do të marrë Koreja e Veriut si shkëmbim.

Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe zyrtarët perëndimorë kanë shprehur shqetësimet e tyre se Rusia mund t’i ofrojë Koresë së Veriut teknologji për programin e saj të armëve bërthamore dhe raketave.

Pas takimit me Ministren Choe në Moskë të premten, Ministri Lavrov lavdëroi marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Phenianit, duke thënë se ato “kanë arritur nivele të larta dhe të pashembullta gjatë viteve të fundit” dhe propozoi të diskutohet zbatimi i marrëveshjes së partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve, që është nënshkruar në fillim të këtij viti.

“Do të diskutojmë për një mori çështjesh sa i përket politikës dhe politikës së jashtme si dhe për çështjet të cilave Republika Popullore Demokratike e Koresë dhe Federatës Ruse duhet dhënë një përgjigje të përbashkët”, tha Ministrja Choe, duke iu referuar Koresë së Veriut me emrin e saj zyrtar.

Ajo përsëriti mbështetjen e Phenianit, siç u shpreh ajo, “për luftën e drejt të ushtrisë dhe popullit të Rusisë për të mbrojtur të drejtat sovrane dhe interesat e sigurisë së shtetit të tyre” në Ukrainë.

Moska dhe Pheniani u janë përgjigjur shkarazi pretendimeve të Koresë së Jugut dhe Perëndimit rreth dërgimit të trupave së Koresë së Veriut në Rusi, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre ushtarak është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, pa konfirmuar drejtpërdrejt praninë e forcave të Koresë së Veriut në Rusi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po ashtu e akuzuan Korenë e Veriut se po i jep miliona predha artilerie dhe pajisje të tjera Rusisë për të furnizuar forcat e saj në fushëbetejë në Ukrainë.

Rusia, së bashku me Kinën bllokuan përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të shtrënguar sanksionet ndaj Koresë së Veriut për shkak të provave të fundit me raketa, të cilat janë intensifikuar që kur Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2022. Rusia gjithashtu i ka vënë veton një rezolute të OKB-së për të zgjatur mandatin e vëzhguesve, një hap që në praktikë e shpërbën misionin mbikëqyrës të ekspertëve të OKB-së ndaj sanksioneve që Këshilli i Sigurimit i ka vendosur Koresë së Veriut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol muajin e kaluar përmendi mundësinë që të furnizojë Ukrainën me armë, duke shtuar se Seuli po përgatit masat si kundërpërgjigje, të cilat mund të shpalosen me faza, varësisht nga shkalla e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Phenianit dhe Moskës.

Koreja e Jugut, një eksportuese në rritje e armëve, ka ofruar ndihmë humanitare dhe joushtarake për Ukrainën dhe u është bashkuar sanksioneve ekonomike të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara ndaj Moskës. Deri më tani Seuli u ka rezistuar thirrjeve të Kievit dhe NATO-s për ta furnizuar Ukrainën drejtpërdrejt me armë, duke iu referuar një politike tradicionale për të mos u dhënë armë shteteve që janë të angazhuara në një konflikt aktiv.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button