BlogKryesoreKulture

Çështja Bojarski, (Njeriu që bëri të dridhet Banka e Francës)

Nga Dashnor Kokonozi-
Kishte vite, kishte shumë vite që nuk kisha dëgjuar duartrokitje në sallën e kinemasë. Ndodhi mbrëmë, te kinemaja e lagjes. Dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë premierë në prani të autorëve; pra nuk ishin duartrokitje mirësjelljeje.
Ishin duartrokitje të vërteta, të vetvetishme, që shprehnin admirimin e spektatorëve për filmin “Çështja Bojarski”, të cilin shkuam ta shohim ngaqë nuk kishte gjë tjetër më interesante, por edhe sepse binte një dëborë e madhe dhe na pëlqeu tek u mbyllem në sallën e ngrohtë.
Është historia e vërtetë e Jan Bojarskit, një inxhinieri polak që gjeti strehim në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë viteve të pushtimit gjerman, ai iu kushtua krijimit të pasaportave dhe dokumenteve të rreme për klandestinët e rezistencës, por edhe për hebrenjtë që kërkonin t’u shpëtonin përndjekjeve të Gestapos. Dhe nuk më la përshtypjen se e bënte më shumë për të luftuar pushtuesit sesa për të nxjerrë para.
Mbi të gjitha ishte një gjeni i vërtetë, plot talent. Por pas lufte, duke qenë se nuk ishte fort në rregull me dokumentet, pa t’i refuzoheshin të gjitha shpikjet mjaft interesante që u paraqiste autoriteteve. Ishte shumë fyese e frustruese për të.
Kështu ndodhi që ai pranoi propozimin e një banditi për të prodhuar kartëmonedha të rreme.
Filloi një histori krejt e pabesueshme. Kartëmonedhat që prodhonte ai ishin aq të përsosura, saqë shtypi nisi ta quante “Çezani i parave falso”.
Përballë tij është komisar Matei, me të cilin nis një duel psikologjik në distancë.
Regjisori i filmit është Rémi Jean-Paul Salomé, i cili është njëkohësisht skenarist bashkë me Bastien Daret. Rolin kryesor e mban Reda Kateb, aktori franko‑algjerian që ishte më i vërtetë se i vërteti.
Për një çast ndjeva kënaqësinë dhe atmosferën e filmave francezë të viteve ’70, që i shihnim me aq pasion, pa e ndjerë se si kalonte koha.
Ekrani i madh është vërtet i pazëvendësueshëm.

Artikuj të lidhur

Back to top button