Aktualitet/LajmeBotaKryesore

Britania, drejt rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Në Britani, konservatorët premtojnë se do të rikthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Plani në fjalë duket më shumë një përpjekje për të fituar votat që po shkojnë drejt Reformimit të Britanisë së Madhe dhe parashikon që çdo 18-vjeçar do të duhej të kalojë një periudhë kohe në ushtri ose një fundjavë në muaj si vullnetar i “rezistencës civile”.

Konservatorët thonë se vendi duhet të jetë “i hapur dhe i ndershëm” në lidhje me sfidat afatgjata me të cilat po përballet dhe skema në fjalë do t’u japë të rinjve “mundësitë që meritojnë”.

Plani shihet si një “model i ri i guximshëm i shërbimit kombëtar” për 18-vjeçarët që mund t’i bëjë ata të zgjedhin të kalojnë një fundjavë në muaj duke bërë vullnetarisht role të tilla si polici special, vullnetar RNLI ose përgjegjës i NHS. Kjo do t’u japë atyre “aftësi të botës reale, duke kontribuar për vendin dhe komunitetin e tyre“.

Një komision mbretëror duhet ngritur për të hartuar programin e ri të shërbimit kombëtar, i cili do të hapet për aplikime në shtator 2025.

Konservatorët britanikë referojnë si model një skemë të ngjashme në Suedi, e cila ka rezultuar e suksesshme.

Por laburistët e kritikuan idenë si një politikë tjetër pa kosto nga konservatorët.

“Ky nuk është një plan – është një rishikim që mund të kushtojë miliarda dhe është i nevojshëm vetëm sepse konservatorët i kanë zbrazur forcat e armatosura në numrin më të vogël që nga Napoleoni. Britania është mjaftuar me konservatorët, të cilët janë të falimentuar nga idetë dhe nuk kanë plane t’i japin fund kaosit 14 vjeçar. Është koha për të rindërtuar Britaninë me laburistët”.

Një program të ngjashëm e ka propozuar më parë edhe David Cameron në 2010, por ai nuk u realizua kurrë.

Kryeministri konservator, Rishi Sunak, është akuzuar për hipokrizi në skemën e tij. Në janar, Sunak e kritikoi shefin e shtabit të përgjithshëm, Sir Patrick Sanders, pas sugjerimit të tij se Mbretëria e Bashkuar mund të ketë nevojë për një ushtri qytetare për të luftuar Putinin. Zëdhënësi i kryeministrit tha në atë kohë se Sunak nuk ishte dakord me komentet e tij dhe këmbënguli se nuk do të kishte kthim në shërbimin kombëtar, i cili u shfuqizua në vitin 1960.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button