Aktualitet/LajmeKronikKryesore

Brenda një muaji dy gra shqiptare të vrara në Zvicër

Nga Enver Robelli-
Dje në Zvicrën franceze një burrë me origjinë nga Kosova, 42-vjeçar, vrau bashkëshorten e tij, 38-vjeçare. Dyshohet se ai, përveç armës së zjarrit, përdori edhe një granatë. Dorasi pas krimit të llahtarshëm ia vuri zjarrin banesës. Pastaj bëri vetëvrasje. Pas kanë mbetur 4 fëmijë jetimë.
Nga mesi i marsit në Zvicrën gjermane një burrë 60-vjeçar me origjinë nga Kosova vrau gruan e tij 55-vjeçare, po ashtu me origjinë nga Kosova.
Këto krime nuk duhet të mbesin statistika!
Këto krime duhet të ngjallim zemërimin e komunitetit shqiptar në Zvicër!
Këto krime duhet të alarmojnë të gjithë komunitetin!
Sepse këto krime nuk po ua marrin jetën vetëm grave të pafajshme, por po shpalosin edhe një mendësi primitive burrash pa pikë dinjiteti.
Për këto krime nuk duhet të heshtet!
Për këto krime duhet të flitet publikisht!
Debati duhet të përqendrohet në mbrojtjen e grave nga burrat e dhunshëm!
Në sigurimin e hapësirave të sigurta për gra!
Në shporrjen e mendësisë patriarkale!
Në edukimin e padhunshëm të djemve!
Duhet të merren seriozisht jo vetëm nga institucionet njoftimet e grave kur i nënshtrohen dhunës së burrave idiotë!
Gjendja është alarmante dhe reagimi duhet të jetë urgjent edhe nga komuniteti shqiptar në Zvicër.
Ndërsa çdo sukses i ndokujt në diasporë, madje edhe minimal, fryhet e zmadhohet tej mase nga platformat e ndryshme, krimet ndaj grave harrohen shumë shpejt. Kjo duhet të marrë fund!
Le të flitet hapur për helmin maskulin mes komunitetit shqiptar. Dhe duke folur e duke e shpalosur problemin, të gjenden rrugë për luftimin e të keqës më të madhe ndër shqiptarë sot për sot: dhunën familjare, në të vërtetë terrorin e burrave ndaj grave.

Artikuj të lidhur

Back to top button