Fakulteti i Artevë te Bukura promovoi dje një monografi në formë katalogu dedikuar jetës dhe veprës së skulptorit të mirënjohur shqiptar Arben Bajo. Monografia është përgatitur nga pedagogu i FAB, dr. Ermir Hoxha, për skulptorin Arben Bajo, një nga emrat më të rëndësishëm të skulpturës bashkohore shqiptare, i cili u nda nga jeta gjatë pandemisë Covid 19. Bajo ndërroi jetë në gusht të vitit 2020, duke ndërprerë në mes karrierën e tij të sukseshme që shtrihej në mbi tre dekada.
Autor i 10 ekspozitave personale brenda dhe jashtë vendit dhe dhjetra të tjera në grup, Arben Bajo ishte një nga personalitetet më të rëndësishëm të kohës së vet. Me krijimtarinë e tij, shtrirë në mbi tre dekada, ai përbën një nga zërat më përfaqësues të skulpturës shqiptare bashkohore. Me realizimin e këtij botimi, vlerësohet jo vetëm krijimtaria e tij, por dhe vetë fizionomia e skulpturës shqiptare të dekadave të fundit.
Botimi voluminoz me 420 faqe, paraprihet nga një tekst prezantues dhe shpjegues mbi krijimtarinë e Arben Bajos, disa intervista të vetë autorit dhe disa tekste kuratoriale të realizuara nga miku dhe konsulenti i botimit prof. Gazmend Leka. Pjesa tjetër rreth 80 % e tij i takojnë krijimtarisë së tij në shtrirje kronologjike në formë katalogu. /ATSH/