BlogEditorialKryesoreOpinions

Big Brother, shuplaka reale që po nxit një luftë virtuale

Nga Çapajev Gjokutaj-
Jozi nga Shqipëria i hoqi një shuplakë Gjestit nga Kosova. Po atë ditë në trojet shqiptare u grindën e u rrahën mijëra të tjerë si këndej edhe matanë kufirit, madje shumë nga këto grindje ishin ku e ku më të egra sesa ajo mes Jozit e Gjestit. E megjithatë të gjitha mbetën në hije.
Përkundrazi shuplaka e Jozit u bë temë e ditës, madje arriti të shkaktojë një luftë të egër, natyrisht virtuale. Mori kaq shumë vëmendje ngaqë ndodhi faqe të gjithëve, jo në ndonjë mejhane a oborr shkolle, po në Big Brother, mediumi ku një grusht bjerrakohësh mbajnë ngjitur pas ekranit qindra mijëra të ngeshëm që s’dinë si ta shtyjnë mbrëmjen. Siç e thamë, rasti e pruri që njeri të ishte nga Kosova e tjetri këndej kufijve dhe kjo e bëri incidentin edhe më joshës për sharje, ndarje e përçarje.
Kaq u desh dhe shuplaka u bë shkak për fillimin e një lufte të paparë, shqiptarë e shqiptarë (kosovarë) fytafytas me njeri tjetrin, kush ka merita më shumë e cene më pak. Jami a s’jemi popull luftëtar? Kemi bërë kurdoherë namin, po sot jemi shumë më të papërmbajtur, të marrim gjak në vetull ngaqë betejat zhvillohen në fejsbuk e gjaku virtual shkon deri në gju të kalit virtual.
Dhe s’di i gjori njeri si ta shpjegojë gjithë këtë mllef e tërë këtë urrejtje. Kemi vëllazëri e unitet lindur mbi histori, kulturë, vlera e interesa të përbashkëta, apo jemi komb i stërlashtë po gjithsesi në formim e sipër?
Mes tollovisë së diskutimeve tërheq vemendje edhe interpretimi se përmasat e tollovisë virtuale për mëritë mes shqiptarëve të këndej dhe andej kufijve nuk janë kaq të mëdha sa duken; është në natyrën e rrjeteve sociale t’i ndajnë njerëzit në grupe dhe nëpërmjet dukurisë së quajtur ‘echo chamber’ t’u fryjnë zjarreve të kundërvenies ‘ne vs ata’, se grupi nuk mund të ngjizet pa kontrastuar me tjetrin.
Bie në sy edhe një interpretim tjetër që e sheh gjithë këtë si vepër armiqsh të jashtëm. Lufta në ditët tona është bërë hibride, ndaj shërbime të huaja sekrete paguajnë zanatçinj interneti që krijojnë falanga personash të rremë, anonimë a me emra të çuditshëm dhe i hedhin në sulm për të minuar dashurinë vëllazërore ndërshqiptare.
Ah këta armiqtë e jashtëm, s’na u ndanë kurrë. Kaq të fuqishëm e tinzarë janë sa s’na lenë as të gjykojmë esëll për një thesar të kulturës kombëtare siç është Big Brother, t’i themi amatorizmit amatorizëm, mediokritetit mediokritet e budallallëkut budallallëk.

Artikuj të lidhur

Back to top button