Nga Sebastian Zonja-
Pjesa e tretë e një skice apo portreti
1.
Hegjemonia liberale – Intelektuali gramshian
“Klasat sunduese e ruajnë pushtetin jo vetëm përmes forcës, por edhe përmes konsensusit, duke kontrolluar institucionet kulturore dhe formësuar vlerat shoqërore”, shkruante rreth një shekull më parë, nga qelia e burgut, Antonio Gramshi. Filozofi po i bënte radiografi sistemit fashist që e kishte burgosur. Idetë e tij nuk i pëlqenin regjimit. Të rrallë janë filozofët me ide aq të kthjellëta, këndvështrime aq të qarta dhe të forta. Teoricieni marksist italian sot studiohet dhe përdoret si nga të majtët, po ashtu edhe nga të djathtët dhe mbetet një ndër mendimtarët më me ndikim në teorinë politike dhe çështjet kulturore. Koncepti i tij për hegjemoninë kulturore transformoi thellësisht mënyrën me kuptu pushtetin, ideologjinë dhe ndryshimet shoqërore. Ai e zhvilloi këtë ide gjatë periudhës së burgut, në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të shkuar. Pyetja që e çoi në këtë kërkim interesant ishte se pse revolucioni proletar i parashikuar nga Karl Marksi nuk ndodhi nëpër shoqëritë kapitaliste të avancuara, por në Rusinë bujkrobe dhe vende të tjera të pamodernizuara? Në tentativë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, Gramshi arriti në përfundimin se klasat sunduese (borgjezia) ruan dominimin jo vetëm përmes kontrollit ekonomik, por edhe duke manipuluar normat kulturore dhe ideologjitë. Institucionet (shkollat, kishat, mediet dhe kultura popullore) përhapin ideologjitë që përputhen me interesat e elitës sunduese, thotë Gramshi. Pjesa tjetër e gëlltisin këtë ideologji pa e kuptuar fare natyrën shtypëse të saj. Në këtë aspekt, “intelektualët tradicionalë”, siç i cilëson ai, janë në funksion të sistemit. Akademikët dhe klerikët i shërbejnë interesave të klasës sunduese duke legjitimuar vlerat dhe institucionet e saj. Ndërkohë, përballë këtyre qëndrojnë “intelektualët organikë”, sipas Gramshit, të cilët burojnë dhe gjallojnë prej grupeve të nënshtruara, ndërsa artikulojnë vizione alternative për shoqërinë. Duke qenë se nëpër shoqëritë kapitaliste, sipas Gramshit, shteti mbështetet nga një rrjet kompleks institucionesh civile, nuk mund të ketë lëvizje revolucionare me armë në dorë. Ai sugjeron se intelektualët organikë duhet të ndërtojnë institucione kundër-hegjemonike për të fituar opinionin publik. Për të majtën gramshiane apo marksiste, liberalizmi shihet si bashkëfajtor për shfrytëzimin që bëhet nëpër sistemet kapitaliste, pabarazitë sistemike dhe degradimi ekologjik në rang global. “Barazia formale maskon pabarazitë strukturore”, thotë Tomas Piketija. Në epokën tonë, të cilën të majtët e cilësojnë neoliberale, hegjemonia kulturore gramshiane funksionon përmes normalizimit të logjikës së tregut dhe individualizmit. Media, arsimi dhe industritë e argëtimit promovojnë idenë se suksesi është produkt i përpjekjes individuale, ndërsa barrierat sistemike injorohen. Sipas mendimtarëve të majtë, ky kuadër ideologjik dekurajon veprimin kolektiv dhe nxit pajtueshmëri me status quo-në. “Meritokracia” që është kryetema e sotme, sipas të majtëve gramshianë fsheh disavantazhet strukturore që duhet të përballen komunitetet e margjinalizuara. Po ashtu, në anën tjetër, politikat e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, shpesh shërbejnë për të legjitimuar praktikat shfrytëzuese në vend që t’i sfidojnë ato. Sot, të gjithë, korporatat dhe partitë politike, mediet dhe intelektualët flasin për progresin, ndërkohë mbështesin strukturat ekzistuese të pushtetit. Për shembull, të gjithë shkruajnë se diversiteti është i domosdoshëm, ndërkohë vënia e theksit te përfaqësimin pa adresuar pabarazitë themelore të sistemit është analiza gjysmake. Kësisoj ndodh depolitizimi i argumentit politik.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ShBA-të filluan të përhapin kudo në botë ideologjinë e tyre liberale. Sipas teoricienëve liberalë anglo-saksonë, kjo ideologji minonte në të njëjtën kohë komunizmin dhe nacionalizmin. Argumentet që dëgjoje shpesh dhe i lexon ende sot janë se nacionalizmi na çoi në nazizëm dhe komunizmin e pamë se ç’prodhoi në Bashkimin Sovjetik. Me logjikën e përjashtimit të çdo “izmi” tjetër, u pranua gjerësisht ideja liberale nëpër Evropë.
2.
Hegjemonia liberale e së majtës amerikane
E majta amerikane huazoi koncepte progresiste nga lëvizjet e ndryshme fashiste të viteve ’20. Fashizmi nuk është domosdoshmërisht një fenomen i ekstremit të djathtë, por ka ngjashmëri të rëndësishme ideologjike edhe me lëvizjet e majta. Tiparet kryesore të fashizmit – autoriteti i centralizuar shtetëror, kolektivizmi dhe rëndëisa e shtetit përpara individit – gjenden gjithashtu në brendësi të politikave liberale, me theks mirëqenien sociale, mbrojtjen e mjedisit dhe konformizmin kulturor (politically correct). Marrëveshja e Re (New Deal) e Ruzveltit (Roosevelt), zgjeroi kontrollin e qeverisë mbi ekonominë. Disa studiues e krahasojnë me korporatizmin e sistemeve totalitare. Politikat identitare që çon përpara e majta amerikane me anë të shkollave dhe mendimit akademik kanë të bëjnë me konformizmin ideologjik, i cili është një formë e butë autoritarizmi. Duke tentuar t’i fshehin dështimet e liberalizmit nën petkun e akuzave si antisistem apo komunist e fashist, vëmë re se ka një tendencë të gjerë në lëvizjet e majta amerikane drejt kolektivizmit, absolutizmit moral dhe intolerancës ndaj kundërshtimeve. Liberalizmi paskesh brenda edhe një impuls të fortë autoritar, ndërsa akuzat për autoritarizëm i bëhen gjithnjë vetëm kundërshtarëve ideologjikë – nacionalistëve apo konservatorëve.
Për të çuar përpara këto ide, e majta amerikane mori një koncept interesant siç është ai i “Shoqërisë së hapur” të Karl Poperit dhe e institucionalizoi nëpër katedra, duke implantuar me urdhër nga sipër, ideologjikisht, agjitatorët e vetë nëpër shkolla dhe universitete. Në thelb, ideja çon përpara idealet e lirisë individuale, mendimit kritik dhe qeverisjes demokratike, duke kundërshtuar me forcë çdo formë totalitarizmi dhe autoritarizmi, qoftë ai fashist apo komunist.
Transparenca dhe përgjegjshmëria shihen si virtyte morale, ndërsa shtohet pluralizmi, duke na thënë se asnjë ideologji e vetme nuk ka monopolin e së vërtetës. Politikat i nënshtrohen rishikimit të vazhdueshëm, duke shmangur ndjekjen dogmatike të ideologjive me “izma” nga mbrapa. Në themel vendoset mbrojtja e të Drejtave Individuale, teksa të drejtat e individëve marrin përparësi mbi kërkesat e entiteteve kolektive. Demokracia liberale është sistemi më i mirë për të nxitur një shoqëri të hapur.
Kjo ngjan kaq e bukur në letër. Por çfarë ndodhi në realitet?
Lëvizjet progresive moderne kanë etje gjithnjë e më të madhe për konformizëm ideologjik nga simpatizantët. Politikat identitetare (paradite grua dhe pasdite burrë), liria e fjalës (disa gjëra nuk i thua dot se janë kundër rrymës) dhe kultura e mohimit (e ke pasur gjyshin me Ballin) pasqyrojnë këtë tension mes konservatorëve dhe liberalëve. Theksi i së majtës tek ndjeshmëritë e çështjeve kulturore dhe drejtësia sociale hesht kundërshtitë, ndërsa progresistët argumentojnë se censura është e nevojshme në disa raste për të adresuar padrejtësitë sistemike.
Si ka mundësi që diçka që nisi si idal për një shoqëri më të mirë u kthye në instrument pushteti i së majtës amerikane?
Sepse të djathtët u bënë dogmatikë të tregut të lirë, ndërsa të majtët liberalë absolutistë moral. Dialogu dhe kompromisi dolën në rend të dytë.
3.
Disa linja kritikash ndaj liberalizmit
Kritikat ndaj liberalizmit dhe tregut, duke qenë se Bashkimi Sovjetik ishte përballë, kurdoherë futeshin nën rrogoz me akuzën se është komuniste. Sot s’ka mbetur asgjë nga komunizmi. Radikalët e majtë kanë prodhuar miqtë e tyre në të djathtë.
Komunizmi dhe liberalizmi janë dy ideologji të cilat kanë formësuar peizazhin politik, ekonomik dhe shoqëror të politikës moderne. Shqetësimet i kanë të përbashkëta për barazinë dhe lirinë njerëzore, por ndryshojnë në qasjet për arritjen e këtyre idealeve. Komunizmi, siç shkruan Marksi (Karl Marx) dhe Engelsi (Friedrich Engels), është ideologji revolucionare që synon të krijojë një shoqëri pa klasa dhe pa shtet, ku mjetet e prodhimit zotërohen kolektivisht. Komunizmi kërkon të eliminojë shfrytëzimin që bëhet nga sistemet kapitaliste, duke e parë historinë si luftë mes shtypësve (borgjezia) dhe të shtypurve (proletariati). Qëllimi përfundimtar i komunizmit është krijimi i një shoqërie ku pasuria dhe burimet shpërndahen në mënyrë të barabartë, duke zhdukur ndarjet klasore. Liberalizmi, në krahun tjetër, i cili e ka origjinën gjatë Iluminizmit, i jep përparësi lirisë individuale, tregjeve të lira dhe ndërhyrjes së kufizuar të qeverisë. Mbështet idenë se individët duhet të kenë lirinë të ndjekin ëndrrat e tyre, për sa kohë që nuk shkelin të drejtat e të tjerëve. Liberalizmi i pranon pabarazitë shoqërore dhe ekonomike si rezultat i natyrshëm i përpjekjeve dhe talentit individual brenda një sistemi konkurrues. Komunizmi i jep përparësi mirëqenies kolektive mbi autonominë individuale, duke argumentuar se liria e vërtetë mund të arrihet vetëm kur shfrytëzimi ekonomik dhe ndarjet klasore të zhduken. Nga kjo perspektivë, liritë personale që sjellin pabarazinë, si e drejta për të zotëruar pronë private, shihen si pengesa për çlirimin kolektiv. Liberalizmi është më i qartë në këtë pikë, pasi thotë se mbrojtja e lirive individuale është thelbësore për dinjitetin njerëzor dhe përparimin shoqëror. Një nga kritikat kryesore të Marksit ndaj liberalizmit është koncepti i alienimit. Në “Dorëshkrimet Ekonomike dhe Filozofike” të vitit 1844, Marksi argumenton se kapitalizmi alienon punëtorët dhe jetën e tyre. Liberalizmi, sipas tij, dështon t’i adresojë këto forma alienimi sepse i jep përparësi pronës private dhe lirisë së tregut mbi mirëqenien kolektive. Duke paraqitur lirinë si të drejtën për të zotëruar dhe shkëmbyer mallra, liberalizmi injoron mungesën e autonomisë që përjetojnë punëtorët nën kushtet e prodhimit kapitalist. Përmes institucioneve, medieve dhe arsimit, liberalizmi promovon vlera si individualizmi, konkurrenca dhe prona private, të cilat fshehin natyrën shfrytëzuese të kapitalizmit. Punëtorët, të ndikuar nga këto ide, shpesh dështojnë të njohin interesat e tyre kolektive dhe në vend të kësaj përvetësojnë vlerat e klasës sunduese, sipas Marksit.
Herbert Markuze, një nga figurat kryesore të Shkollës së Frankfurtit, argumenton se shoqëritë e avacuara industriale kanë krijuar një formë “njëdimensionale” të mendimit dhe sjelljes, ku individët kushtëzohen për të pranuar status quo-në dhe për t’u përshtatur me strukturat ekzistuese të pushtetit. Liberalizmi, në këtë kontekst, funksionon si një ideologji që forcon njëdimensionalen duke e paraqitur demokracinë kapitaliste si kulmin e progresit njerëzor. Një koncept që sjell ai është “liria e rreme.” Ndërsa individët mund të kenë lirinë për të zgjedhur midis mallrave ose kandidatëve politikë, këto zgjedhje janë kryesisht sipërfaqësore dhe nuk sfidojnë strukturat themelore të pushtetit dhe pabarazisë. Teknologjia, sipas tij, shpesh përdoret për të rritur efikasitetin, duke kufizuar kreativitetin dhe autonominë njerëzore, ndërsa konsumizmi kanalizon dëshirat drejt materializmit.
Sot kuptojmë se duke përqendruar vëmendjen vetëm te liria pa adresuar pabarazinë ekonomike, kemi shkuar në përçarje shoqërore dhe është dëmtuar kohezioni i nevojshëm për një demokraci funksionale. Në krahun tjetër, theksi i tepërt te barazia, ka penguar iniciativa dhe krijimtarinë individuale, kaq të rëndësishme për këdo.
4.
Presidenca e dytë Tramp
Trampi goditi, një nga një, të gjitha të këqijat që ka sjellë për qytetarët amerikanë çdo lloj “izme” dhe tha se do ta kthejë vendin në binarë. Agjenda e Trampit për vitin 2025 thekson qasjen “Amerika e Para”. Një nga shtyllat kryesore është zgjerimi i autoritetit presidencial, udhëhequr nga teoria unitare e ekzekutivit, e cila promovon konsolidimin e fuqisë së presidentit. Kjo qasje shihet themelore për çmontuar të ashtuquajturin “shtet i thellë”. Presidenti do të ketë fuqi t’i shkarkojë më lehtë punonjësit federalë. Po ashtu, agjencitë rregullatore të pavarura, si Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) dhe Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), do të vendosen nën kontrollin e drejtpërdrejtë presidencial, duke thjeshtuar proceset vendimmarrëse.
Shumë agjenci federale do të zhvendosen jashtë Uashingtonit, nëpër shtete të ndryshme, me synim decentralizimin e fuqisë federale dhe reduktimin e burokracive. Në fushën e arsimit synohet promovimi i vlerave patriotike dhe reduktimi i mbikëqyrjes federale. Propozimet përfshijnë mbylljen e Departamentit Federal të Arsimit, duke ia kthyer kontrollin shteteve dhe komuniteteve lokale. Për më tepër, në fokus është eliminimi prej teksteve i mësimeve për “teoritë e racave” (critical race theory) dhe “ideologjitë gjinore,” me qëllimin risjelljën e vlerave tradicionale.
Në këtë aspekt, Trampi po godet themelin e fuqisë së lëvizjeve liberale të majta. Mbështjella idelogjike e tyre nuk do të financohet më. Ai po synon të ç’montojë kapjen e shtetit që kanë bërë liberalët e majtë amerikanë. Por, në të njëjtën kohë, po synon që ta kap vetë duke theksuar se duhen risjellë vlerat tradicionale.
Si tek “Projekti 2025” dhe “Agjenda 47”, trampistët kanë një plan gjithëpërfshirës për të riformësuar qeverinë federale. Do të krijohet Akademia Amerikane — universitet falas, online, që synon të kundërshtojë shkollën liberale të mendimit.
Nëse në fillim kuptuam se Gramshi ndërtoi idenë se si të “kapej sistemi” për të çuar përpara një ideologji, Trampi po përdor këtë instrument për të çuar përpara ideologjitë e tij. Ndërsa akuzon elitën të korruptuar dhe diktatoriale, shkoi aty ku qëndron fuqia, në zemrat dhe mendjet e qytetarëve. I mori të gjithë dhe ua ktheu kundër, duke shkuar deri në dhunë maksimale në Kapitol, për të treguar se e ka seriozisht dhe nuk tërhiqet. Tashmë ka filluar një epokë e re. Jemi në agun e saj.