Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka vënë një bast të guximshëm këtë të enjte, kur prezantoi emrat e 12 drejtorëve të rinj që do të drejtojnë policinë në 12 qarqe. Edhe pse SPAK nuk e ka përfunduar ende me zbardhjen e përgjimeve të SKY ECC, Hoxha u shpreh me superlativa për grupin e ri të policëve që emëroi në krye të drejtorive në qarqe.
“Ekip i ri”, “gjeneratë e re” dhe “ambicie drejt një niveli të ri të shërbimi” ishin fjalët me të cilat ministri nxorri nga xhepi listën ndërsa fliste për “vetëpastrimin” e policisë.
Emërimet në 12 qarqe vijnë pas një faze të gjatë stanjacioni të policisë, kur SPAK pati një punë voluminoze bazuar në bisedat e zbardhura të SKY ECC. Pas largimit të ish-drejtorit Muhamet Rrumbullaku dhe zhvillimit të një konkursi, grupi i ri i policëve që do të menaxhojnë edhe situatën e zgjedhjeve të reja parlamentare është gati.
Por cilat janë garancitë që ekipi i ri i policisë nuk ka lidhje me krimin?
Policët që rekrutoi krimi me SKY ECC apo Encrochat
Bisedat në SKY ECC janë dëshmi e një fuqie të madhe korruptuese që kanë arritur bandat kriminale në vitet e fundit.
Metamorfoza/ Përgjimet e SKY ECC nxjerrin fytyrën tjetër të Rilindjes
Në radhët e krimit u rekrutuan jo vetëm deputetë e kryetarë bashkish, por edhe prokurorë, gazetarë apo policë, që u bindeshin bosëve të krimit me të njëjtin zell dhe disiplinë, për të cilën ishin betuar të nderonin uniformën.
Efektivi i Operacionales, Jeton Lami
Një pjesë e përgjimeve që dolën nga dosjet e SPAK treguan se si bosi i kumarit i përfshirë në vrasjet me pagesë Vis Martinaj, deri ditën e fundit ruhej nga një efektiv i operacionales, Jeton Lami. Pas zhdukjes së Ervis Martinajt, efektivit të operacionales iu vunë prangat. Pas një takimi që pati me ish-drejtorin e përgjithshëm të policsë, Gledis Nano ky i fundit u shkarkua menjëherë pa i dhënë motiv.
Jeton Lami u gjykua me shpejtësi dhe sot është jashtë hekurave të burgut. Asnjëherë nuk foli për destinacionin e fundit të Ervis Martinajt.
Shefi i Operacionales, Oltion Bistri
Shefi i operacionales Oltion Bistroi i ka shërbyer prej vitesh të fortit të Shkodrës, Pëllumb Gjokës për biznesin e kazinove. Nga bisedat e SKY ECC kuptohet se ai paguhej rreth 1500 euro në muaj dhe e lajmëronte Gjokën për operacionet e sekuestrimit të makinetave gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë”.
Klodian Shahini shef i trafiqeve në Lezhë
Klodian Shahini, ish-shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë përdorte SKY ECC për të ndihmuar kushëririn e tij Elson Reçin në lokalizimin e hasmit të tij Preng Gjinit. Dy fiset mirditore ishin në gjakmarrje dhe Klodian Shahini përdorte sistemet e Policisë së Shtetit për të ndihmuar Elson Reçin.
Drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri
Henerigert Mitri ishte garant i biznesmenit Pëllumb Gjoka për makinat e kumarit në një pikë në Lezhë, Nga bisedat e SKY ECC ai dilte garant se policët e tjerë nuk do t’i ndërhynin Gjokës në biznes, ndërsa më pas zbulohet në bashkëpunimin që kishte me kultivuesit e kanabisit në Lezhë.
Altin Morina, efektiv i RENEA
Efektivi i RENEA-s Altin Morina u kap me më shumë se 100 mije euro në makinën e tij në Tiranë. SPAK e mbante nën vëzhgim pasi dilte nga bisedat në SKY se Morina ndihmonte Durim Bamin për vrasjen e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka.
Shefi i krimeve në Shkodër, Ardit Hasanbegaj
Nga bisedat që janë zbuluar në SKY ECC shefi i krimeve në Shkodër, Ardit Hasanbegaj ngjante më shumë një antar i bandës së Bajrave i veshur me uniformën e policsë. Ai ka rol kyç në vrasje dhe lokalizimin e kundërshtarëve të Bajrave, ndërsa është gjithë kohës në shërbim të Pëllumb Gjokës.
Shefi i komisariatit të Shijakut
Dedan Gjoni, shefi i krimeve të komisariatit nr 6, i arrestuar më 21 nëntor së bashku me Erzen Breçanin, ka shërbyer si informator për persona të lidhur me krimin. Mes tyre edhe për Dritan Rexhepin, një nga personat në listën e më të kërkuarve në Shqipëri dhe jo vetëm pasi akuzohet si mbreti shqiptar i kokainës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe celulari i sekuestruar nga SPAK
Në SPAK, është i ulët besimi tek policia. Disa nga operacionet kryesore mendohet se kanë dështuar pikërisht për shkak të dekonspirimit që i kanë bërë policët.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani pranoi disa muaj më parë se ka çështje për të cilat e ka të pamundur të punojë me policinë.
“Janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në” u shpreh Dumani.
Për një rast dekonspirimi është i dyshuar edhe drejtori aktual i policisë, Ilir Proda.
Bëhet fjalë për urdhër-arrestet që u lëshuan për kapjen e vëllezërve Çopja, një dyshe që kishte porositur disa vrasje me pagesë nga Dubai.
Në operacionin e 31 korrikut 2024 nuk u kapën as dy vëllezërit Franc e Hajdar Çopja, as biznesmenët që pastronin paratë e tyre, por as vrasësit me pagesë që merrnin porositë nga Dubai.
Pas operacionit, BKH sekuestroi telefonin e drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.
Në atë kohë, Proda ishte kandidat në garën e hapur për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes në Muhamet Rrumbullakut. Në tetor ai e fitoi garën dhe u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë.
Drejtorët e rinj në qarqe:
Tiranë – Elton Alushi
Durrës – Vilson Bala
Fier – Skënder Hitaj
Lezhë – Altin Mena
Gjirokastër – Altin Merizaj
Berat – Luigj Vathi
Dibër – Artion Duka
Elbasan – Fatmir Hoxha
Shkodër – Fatmir Lleshi
Korçë– Erion Ahmeti
Kukës – Gentjan Berberi
Vlorë – Elidon Çela
Nga Laps