Aktualitet/LajmeBotaKryesore

Avokatët e ish-presidentit Trump: E pamundur vendosja e një garancie financiare prej 454 milionë dollarësh

Avokatët e ish-presidentit Donald Trump i thanë gjykatës së apelit në Nju Jork të hënën se ai e ka të pamundur vendosjen e një garancie të plotë prej 454 milionë dollarësh për padinë civile për mashtrim me vlerën e pasurive.

Në një dokument të paraqitur në gjykatë, avokatët e ish-presidentit shprehen se vendosja e një garancie të plotë financiare nuk është e mundur në rrethanat aktuale.

Avokatët e zotit Trump i kanë kërkuar gjykatës së nivelit të mesëm që të rrëzojë vendimin e gjykatës së nivelit më të ulët, ku parashikohet që ai të depozitojë shumën e plotë në formë garancie për të ndalur ekzekutimin e vendimit, ndërkohë që vazhdon procesi i apelimit.

Së bashku me interesat, zoti Trump duhet të paguajë gjithsej 456.8 milionë dollarë. Në total, ai dhe të paditurit e tjerë, përfshirë kompania e tij, djemtë Eric dhe Donald Trump Jr. dhe drejtuesit e tjerë, duhet të paguajnë 467.3 milionë dollarë. Në këtë rast garancia e plotë financiare do të shkonte në një total prej 557 milionë dollarësh, thanë avokatët e zotit Trump.

Ish-presidenti Trump ka apeluar vendimin e marrë nga gjykatësi Arthur Engoron në muajin shkurt, ku thuhet se kompania e tij dhe drejtuesit kryesorë, përfshirë djemtë e tij, komplotuan prej vitesh për të mashtruar bankat dhe kompanitë e sigurimeve, duke fryrë artificialisht vlerën e pasurive në deklaratat financiare që u përdorën për të përfituar kredi dhe për të arritur marrëveshje të reja tregtare.

Ndër ndëshkimet e tjera, gjykatësi vendosi edhe kufizime të rrepta ndaj hapësirave për të bërë biznes të kompanisë së zotit Trump, “Organizata Trump”.

Ish presidenti Trump ka kohë deri në 25 mars për të paguar gjobën ose për të siguruar një urdhër nga gjykata që do të pezullonte ekzekutimin e vendimit gjatë kohës që po e apelon atë. Prokurorja e Nju Jorkut e zgjedhur nga radhët e demokratëve, Letitia James, është shprehur se do të përpiqet të sekuestrojë disa nga pasuritë e zotit Trump, nëse ai nuk do të jetë në gjendje të paguajë.

Zyra e prokurores James nuk pranoi të komentojë të hënën rreth pamundësisë së ish presidentit për të vendosur një garanci financiare.

Zoti Trump është shprehur se ka një vlerë pasurore prej disa miliarda dollarësh dhe tha gjatë dëshmisë në gjykatë vitin e kaluar se ka rreth 400 milionë dollarë rezerva në para të gatshme, krahas pronave dhe investimeve të tjera.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button