Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

“Athina ra në grackën e saj” – Analistët grekë: Mitsotakis e teproi me Belerin

Dënimi me dy vite burg i Fredi Belerit i ka zbehur komentet në Greqi për atë që tashmë njihet si “çështje Beleri”.

Megjithatë, në qarqet diplomatike greke vazhdojnë diskutimet për politikën që duhet të ndjekë Athina në të ardhmen me Shqipërinë.

Sipas analistëve të çështjeve politike në Greqi, Athina ka tre alternativa:

E para veton në ecurinë europiane të Tiranës, e dyta të vendosë sanksione dypalëshe dhe e treta të presë deri në vendimin e apelit.

Politika e ardhshme e Greqisë me Shqipërinë, pas vendimit të SPAK-ut e vendos atë përballë këtyre alternativave të mundshme me kosto diplomatike dhe politike, të jashtëzakonshme.

Dënimi Fredi Belerit ishte një vendim që Athina e priste, pavarësisht nga “presionet” politike që ushtronte me, apo pa takt.

Alternativa e parë është pak a shumë e njohur dhe lidhet me perspektivën anëtarësuese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kujtojmë se më 29 nëntor Athina në deklaratën e saj me shkrim, që u depozitua në BE, theksonte se “Greqia nuk është në gjendje që të bie dakord në stadet e ardhshme të procedurës anëtarësuese, në rast se Shqipëria nuk respekton marrjen e detyrës nga Beleri si kryetar bashkie, një gjyq të rregullt, përfshi respektimi i prezumimit të pafajësisë”.

Sipas burimeve diplomatike cituar në gazetën “Kathimerini”, alternativa e dytë për Athinën, vendosja e sanksioneve dypalëshe, është akoma më e vështirë.

Sipas prof. Angelos Syrigos, “shumica e diplomatëve grekë me përvojë, shprehin pikëpamjen se Edi Rama duket se beson se kontaktet e mira që ka në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera perëndimore i siguron epërsi kundrejt Greqisë. Ndaj, e vetmja gjë që mbetet është ruajtja e qëndrimit të ashpër nga ana e Athinës, për arsye prestigji, qoftë dhe pa përfitime reale”.

Sipas shumicës së analistëve të njohur (Papachelas, Ligeros, Nedhos, Pappas, Tsiarras etj, Athina duhet të ndjekë alternativën e tretë, domethënë “të pritjes së zhvillimit të gjyqit të shkallës së dytë dhe të vendimit përkatës”, që të gjithë parashikojnë se do të rivërtetojë vendimin e shkallës së parë.

Këtë Greqia mund ta përdorë për të fituar kohë të çmuar, për të qetësuar opinionin publik grek, për të testuar palën shqiptare dhe për të planifikuar politikën e ardhshme.

Nikos Kotzias, ish-ministër i Punëve të Jashtme:

“Athina duhet të peshojë me kujdes të madh masat që do të marrë pas vendimit të dënimit të Belerit, me qëllim që balanca të mos anojë nga pasojat negative për politikën e jashtme të Greqisë dhe, mbi të gjitha, të mos e shndërrojë në çështje parësore kombëtare greke në marrëdhëniet me Shqipërinë”.

Sipas pohimit të përgjithshëm të diplomatëve, pasojat e çështjes në fjalë janë tepër të rënda për Athinën, jo vetëm për imazhin e Greqisë si vendi më i vjetër dhe më i fuqishëm i NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Analistët në vendin fqinj arrijnë në përfundimin se me veprimet bllokuese ndaj Shqipërisë, Athina do të përballet me presione nga BE dhe NATO, për arsye gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Shumica dërrmuese e analistëve në Greqi, bien dakord se Edi Rama është kryeministri i vendit më anti-rus në Ballkanin Perëndimor, një rajon që konsiderohet tepër i ndjeshëm nga NATO.

Komentet e analistëve grek mbërrijnë në përfundimin se, Athina “ra në grackën që kishte stisur vetë”, pasi reagimet e para për rastin Beleri, ishin të tepruara dhe kujtonin komedinë e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”.

TCH

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button