
Nga Mira Hoxha-
Bëhet një vit që Arlind Kapllani u largua nga ne. Por për mua kujtimi më i fortë është sot — sepse sot, një vit më parë, ishte takimi ynë i fundit.
E mbaj mend qartë. Erdhi në zyrë dhe më dhuroi një libër të Orhan Pamukut ( Autor i tij i preferuar, si urim 8 Marsi).
Javë më vonë, kur u ktheva në zyrë pas ikjes së tij, kalova pranë tavolinës së Arlindit. Ishte bosh. Mbi të qëndronte libri “Xhevdet beu dhe të bijtë”. I hapur. Një stilolaps shërbente si ndarës, aty ku ai e kishte lënë leximin.
Sot e hapa librin e tij.
Dhe mendova se ndoshta kujtesa funksionon kështu: si një faqe e hapur, ku ata që kemi humbur vazhdojnë të jetojnë mes rreshtave të jetës sonë. Nuk e preka për një vit, e sot e hapa librin aty ku stilolapsi ndante….Dhe sytë më shkuan menjëherë te rreshtat ku ai kishte ndalur leximin:
“Atëherë thoja çdo gjë që më shkonte në mendje, por më beso se fjalët që kam thënë për poezinë dhe vetëvrasjen janë të sakta.”
“Mos, mos!” tha Omeri duke qeshur.
Muhitini i hodhi një vështrim si të thoshte: “Nuk je i detyruar të më besosh!”
Pastaj tha: “Qesh ti qesh, pa do ta shohim!”
Dhe pak më poshtë:
“Kurrë s’kam arritur të besoj se njerëzit e kuptojnë njëri-tjetrin plotësisht. Edhe kur flasim shumë, gjithmonë mbetet diçka që nuk thuhet.”
Që prej asaj dite shpesh e gjej veten duke menduar: Ah, sikur ta kisha ditur çfarë ndodhte në mendjen e tij. Ndoshta sot gjithçka do të ishte ndryshe.
Ne flisnim shumë për punën dhe historinë. Dhe kjo më bën të mendoj se vendet ku punojmë — ku kalojmë më shumë kohë se me familjet tona — duhet të jenë më njerëzore, më të kujdesshme, më miqësore. Sepse ndonjëherë një fjalë, një vëmendje, një pyetje e thjeshtë “si je?” mund të bëjë më shumë sesa mendojmë.
Arlindi ishte pjesë e një brezi të ri arkivistësh që i shërbyen punës me përkushtim dhe seriozitet. Por mbi të gjitha ai ishte përfaqësuesi më i mirë i gjeneratës së tij.
Dhe ndoshta mesazhi më i rëndësishëm që mbetet është ky: të jemi pak më të vëmendshëm me njëri-tjetrin, sepse jo gjithmonë e dimë çfarë beteje po kalon njeriu përballë nesh.
Arlind, kujtimi yt mbetet me ne.



