
Nga Ylli Pata
Si gjithmonë kur sulmon një personazh politik, e sidomos diplomatik, Sali Berisha historikisht prodhon një fabul hiberbolistike të stërfryrë.
E cila me një logjikë normale, me shikim apo dëgjim të parë, jo më të analizohet me detaje, kuptohet se është një përrallë bulliste, e cila nuk ka këmbë ku të rrijë.
Mgjithatë, tashmë kjo është natyra e tij, metoda e tij, e qëllimi është të krijohet një re e madhe tymi sa më e dendur, e cila të mbulojë diçka që e frikëson, e shqetëson.
E njerëzit, të paktën një pjesë, përkatësisht fansat e tij, ta gëlltisin sadopak. Ose të mendojnë në koshiencën e tyre se doktori e ka shpikur këtë përrallë për një qëllim të caktuar politik. Me një fjalë, të kërkojnë kodet, password-in e aplikacionit që hedh në rrjet Berisha.

I cili duhet thënë se ka qenë një pararëndës të mënyrës së sotme të manipulimit të opinionit, ende pa u shpikur rrjetet sociale apo inteligjenca artificiale. Për këtë punë duket se është një usta nga më të vjetrit e më të zotët.
Megjithatë, duke ju kthyer atij përroi psiqik kundër ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, Berisha, tha se ai ka shpifur në Bruksel kundër tij.
Sipas Berishës, Gonzato ka thënë se Trump do të sjellë MAGA në Shqipëri nëpërmjet Lacivita-s nga Trump dhe për këtë ka paguar 7 milionë dollar amerikanë.
Një laps frojdian fantastik për milionat e paguar nga Sali Berisha për La Civita-n për këshillim e lobim, që duket nuk qenkan 6 por plot 7 milionë letra jeshile.
Një ambassador i BE-së nuk ka nevojë fare të merret me teori të tilla politike, pasi Komisioni Europian funksionon krejt ndryshe nga një diplomaci e një vendi të veçantë.
Një ambassador i BE-së, merret vetëm me zhvillimet që Brukseli është i lidhur me një vend në rastin tonë kandidat, në lidhje me marrëveshjet, fondet, kërkesat, pore dhe projektet që Brukseli zbaton në këtë vend.
Një ambassador i BE nuk ka përse të harxhojë energji apo të alarmohet se në një wend të vogël si Shqipëria po vjen MAGA e Trump, pasi atë Bashkimi Europian e ka brenda trupit të tij.
Hungaria e Viktor Orbanit është aleati më i ngushtë i Trump në Europë, Giorgia Meloni në Itali gjithashtu, partitë sovraniste dhe antieuropeiste kanë vite në këtë aleancë.
Kjo është detyrë apo objektiv i qarqeve politike, partive, grupeve parlamentare, apo mediatike etj etj. Në Shqipëri, aspektin e çështjeve të debatit politik dhe të problemeve mes klasës politike, përgjithësisht e ka ndjkur Parlamenti Europian.
I cili ka një grup të posaçëm për Shqipërinë, cakton një relator që merret gjthë kohës me ndjekjen e situatës, vijnë shpesh këtu, e politikanët shqiptarë shkojnë në Stasburg e Bruksel.
Ata, pra europarlamentarët, sipas ndarjeve politike që kanë, bëjnë edhe deklarata të lira sipas opinioneve dhe inteesave të tyre, ngaqë e kanë edhe natyrë. Një diplomat nuk interesohet fare për këtë punë.
Megjithatë, ambasadori i BE-së në Tiranë, prej më shumë se 10 vitesh tashmë ka një rol shumë të rëndësishëm. Kjo pasi në Shqipëri, BE-ja ka një rol kushtetues në drejtësinë shqiptaret nëpërmjet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Të cilët ndjekin vetingun, SPAK-un, prokuroritë e tjera, gjykatat, KLP-në dhe KLGJ-në.
Ambasada e BE merret me koordinim, raportim, diskutim dhe në mënyrë diekte edhe me sigurimin e mbështetjes së duhur që organet e drejtësisë marrin nga BE, vullnet politik që është vulosur nga liderët e të gjitha vendeve anëtare.
Po përse e fryu doktori sot tullumbacën e radhës me helium, me emrin e ambasadorit të BE-së në Tiranë të shkruar në të?
Gjasat janë që arsyeja të jetë thjesht për të përdorur spondën e tij të famshme. Pra t’i bihet pragut që ta dëgjojë dera, të sulmohet mbështetësi më direkt i SPAK-ut, me synimin që të frikësohen prokurorët që kanë çështjen e 21 janarit në duar, gjyqtarët që kanë Gërdecin e dosjet e tjera.
Përvjetori i 18 i katastrofës së Gërdecit, edhe pse thuajse u la në sordinë nga televizionet kryesore, Sali Berisha nuk ka mbetur pa kapur mesazhin e familjarëve të viktimave të tragjedisë, apo ato zëra mediatikë që e kujtuan atë lemeri të pahetuar e gjykuar.
Ndërkaq, nga ana tjetër, thjesht mjegulla e përhapur në mjedisin politik e mediatik, me një përrallë me Gozaton, kishte edhe qëllim që sot televizionet, të paktën ndonjëri, të mos i nisnin emisionet me tragjedinë e 15 marsit 2008, por të merreshin me gurin e radhës të hedhur në lumë…



