BlogEditorialKryesoreOpinions

Anëtari i KLP-së që vrau edhe hipokrizinë

Nga Irena Beqiraj-
Gruan, emrin e së cilës për herë të parë e mësoi nga ankesa që ajo bëri në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, anëtari përzgjedhur me kujdes nga reforma e drejtësisë, e përfshiu në spiralen e vet të favoreve seksuale.
Ky është vetëm një rast, por që duket i rëndë sepse ka prekur normat morale teorike të kësaj shoqërie, të cilat janë edhe pika më e lartë e hipokrizisë së saj .
Dhunimi që drejtësia në të gjithë kapilarët e saj ushtron çdo ditë mbi qytetarët merr forma nga më të ndryshmet, por të gjitha dehumanizuese.
Për këdo shqiptar të thjeshtë e pa pushtet, trokitja në dyert e institucioneve të drejtësisë është më e rendë sesa një sëmundje terminale. Është më torturuese se kimioterapia.
T’i dretohesh Ministrisë së Drejtësisë apo Organeve të Larta të Drejtësisë për të siguruar proçese të drejta, e të bazuara në ligj ngjan si tallje me veten. Sepse fytyra me të cilën do të përballesh duket edhe më e pa arsyeshme, edhe më mashtruese, edhe më dhunuese se dhunuesi për të cilin ke shkuar të ankohesh.
Sistemi ynë “i reformuar’ i drejtësisë në rastin më të sukseshëm të tij etiketon apo ndëshkon dhunën, shfrytëzimin, abuzimin, grabitjen kur dëmi është shkaktuar i plotë edhe pa mundësi rikuperimi.
Shumica e krimeve në këtë vend nuk janë një dështim i papritur moral, por shprehje e sistemeve nervore të patrajnuara, nevojave të paplotësuara relacionale, dinamikës së shtrembëruar të pushtetit, të formëzuara në fëmijëri dhe të përforcuara nga sistemet shoqërore që ngatërrojnë bindjen me rregullin dhe pajtueshmërinë me pjekurinë.
Në këto shoqëri drejtësia nuk kuptohet si duhet, ndaj trajtohet edhe ndërtohet vetëm si infrastrukturë reaktive, ndërkohë që është infrastruktura bazë zhvillimore e çdo shoqërie.
Kemi gjithmonë një viktimë kur plotësohen tre kushte: mungesa e vullnetit; dëmi fizik, financiar edhe psikologjik; si dhe përdorimi brutal i pushtetit.
Këto tre kushte nuk janë të rralla por janë normalitet në shoqëri si e jona ku njerëzit nuk janë mësuar si të rregullojnë emocionet intensive pa u shkëputur ose dominuar; si të tolerojnë frustrimin pa hakmarrje, si të riparojnë prishjen e marrëdhënieve pa turp, si të dëgjojnë “jo-në” pa humbur identitetin, si të mbajnë pushtetin pa abuzuar me të. Këto janë aftësi të cilat ose kultivohen herët ose mësohen me dhimbje gjatë jetës. Në shoqërinë tonë rrallë ndodh si njëra edhe tjetra.
Në një shoqëri ku njerëzit mësohen të shtypin emocionet, t’i nënshtrohen kontrollit ose të barazojnë vlerën me performancën, sistemet që krijohen ose shemben nga brenda ose kërkojnë pushtet nga jashtë duke mos prodhuar drejtësi.
Pas publikimit “të skandalit ” të gjithë jemi ndjerë keq, por të ndihesh keq është e lehtë, nuk kushton asgjë. Nuk kërkon ristrukturim, asnjë përballje me modelet ekzistuese, asnjë prerje të kalbëzimin që kemi lejuar të grumbullohet mbi shpatullat tona.
Ne si shoqëri jemi mësuar ta tërheqim pas vetes si një vello funerali zhgënjimin nga drejtësia. Për më tepër, spektakli i pastër “i distancimit ” të cilin e vendosim në dispozicion të ndërgjegjes sepse vetëm kështu mund të ndihemi të drejtë duke shmangur përgjegjësinë, errëson thjeshtësinë e asaj që refuzojmë të bëjmë, të përballemi me të vërtetën.
Të veshur me këtë kostum, madhështor edhe tragjik, shmangim përballjen me ashpërsinë e ndryshimit që nevojitet.
Antari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është një devijim, as një dru i shtrembët brenda drejtësisë. Ai është fytyra më përfaqësuese e korporatës së dhunës më të egër që ka ekzistuar në këtë vend, asaj të ushtruar në emër të ligjit.
Edhe ne nuk jemi të shqetësuar sepse këtë e mësuam të henën për herë të parë, por sepse publikimi shkallmon të vetmen mbulesë të dështimit tonë si shoqëri, hipokrizinë.

Artikuj të lidhur

Back to top button