Aktualitet/LajmeBotaKryesore

Aleksandër Moisiu në Alpet e Zvicrës

Nga Enver robelli

1.

Kush shkon sot në Arosa, në njërën nga qendrat më të bukura të skijimit në Alpet e Zvicrës, mund të dëgjojë skiatorë duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit në pistat e gjata. Natyrisht në gjuhën shqipe! Kush shkon sot në Arosa mund të kalojë pranë një strehimoreje arinjsh; ata s’flasin shqip, por aty kanë gjetur strehë dy arinj nga Shkodra, të cilët i ka sjellë nga veriu i Shqipërisë një shoqatë zvicerane për mbrojtjen e kafshëve. Kush shkon sot në Arosa, mund ta bëjë këtë me një sebep krejt tjetër. Të ngjitet shtigjeve malore, të mbuluara me borë dhe të reflektojë. Për shembull: për vitin 1916. Është viti kur këtu arriti një aktor me origjinë shqiptare, tërësisht i deziluzionuar.

2.

“Para meje, pas meje, krahas meje kufoma gjysmë të djegura, s’dua t’i përshkruaj më imtësisht se si dukeshin, vetëm dua të të them se nuk kam ngrënë asgjë dhe kur uria më detyronte të merrja një kafshatë: sapo e kapërdija, më kthehej. Me gjasë kurrë nuk do ta heq nga hunda këtë erë, ajo më ndjek pa pushim”. Këtë letër aktori Aleksandër Moisiu ia dërgoi më 26 maj 1915 të dashurës dhe gruas së tij të mëvonshme Johanna Terwin. Moisiu në atë kohë ndihej gjerman, më saktë prusian dhe vullnetarisht ishte kyçur në ushtrinë gjermane. Mund të ndihej shqiptar (për shkak të të atit), italian (për shkak të nënës), austro-hungarez (për shkak se qyteti i tij i lindjes, Trieste, i përkiste Perandorisë Austro-Hungareze).

Po atë vit, më 6 shtator 1915, Moisiu ishte pjesë e një ekuipazhi që po trajnonte me avion në Francën veriore. Befas krahët e avionit u goditën nga plumbat e mitralozit dhe piloti qe i shtyrë të aterronte me urgjencë. Në tokë Moisiun e pritën ushtarët anglezë. E arrestuan! Pastaj Moisiu dhe shokët e tij u mbajtën në një kamp francez. Në përpjekje për të ikur nga burgu, ai u infektua me tuberkuloz. Një mision mjekësh zviceranë propozoi internimin e tij në Zvicrën neutrale. Kështu Moisiu arriti në qershor të vitit 1916 në fshatin e bukur alpin Arosa. Udhëtimin e tij në Arosa shtypi i kohës e përcolli hap pas hapi. Më datën 3 qershor gazeta “Vossische Zeitung” shkroi: “Me 25 të internuar të sëmurë gjermanë lejtënanti i aviacionit Aleksandër Moisiu kaloi Gjenevën”. “Tash jam në një truall mik”, i shkroi Moisiu nënës së tij. Arosa ishte qendër e njohur për trajtimin e njerëzve që vuanin nga problemet me mushkëri. Kur Moisiu arriti në Arosa, pacientët e pritën me lule dhe duartrokitje.

3.

Ndonëse i internuar i luftës, Moisiu sapo e mori pak veten, nisi të luante teatër. Nuk kishte më iluzione të mëdha, nuk dëshironte të kthehej në luftë, dëshironte të ishte më pak gjerman e më shumë socialist. Drejtori i Teatrit të Zürichut ia siguroi një leje pune dhe Moisiu në sezonin 1916/17 luajti në skenën e Zürichut disa role, mes tyre Hamletin. Luajti edhe në teatrot e Bernës, Luzernit dhe Schaffhausenit.

Bashkë me Moisiun, afër 40-vjeçar, në skenën e Zürichut luante Elisabeth Berger, një vajzë afër të njëzetave. Moisiu u dashurua. Dhe sipas biografëve të Moisiut, Elisabeth Berger është e vetmja grua që e refuzoi. Nuk bënë punë letrat e tij të zjarrta, buqetat me lule, telegramet, telefonatat. Citat nga një letër që Moisiu ia dërgonte Bergerit: “Edhe një herë mora penën dhe po të them: trup e shpirt i kam të sëmura, shumë, shumë të sëmura. Ndiej neveri të madhe. Me kokë të mpirë, shpirt të sfilitur, i vyshkur, i thyer, pa besim, pa pasion kryej punën time, që mos t’i hidhëroj njerëzit që varen prej meje. Zhgënjimi im mbi tradhtinë tënde është i pakufishëm, kënga ime mbeti e pakënduar. (…) Mbyll fort sytë dhe s’dua t’i shoh kurrë sytë. Opiumi, morfiumi, veronali më ndihmojnë dhe ngushëllojnë. Asgjësoji letrat e mia dhe kujdesu që kurrë më mos të të shoh derisa të jem gjallë. Shpresoj që fati të ketë mëshirë ndaj teje dhe të të kursejë nga vuajtjet që m’i shkaktove”. Dramë e madhe! Më 1919 Moisiu u martua me Johanna Terwin. Një vit më parë ishte ndarë nga gruaja e tij Maria Urfus. Në Arosa Moisiu do të kthehej shpesh. Ajri alpin e kishte kthyer në jetë dhe në skenë.

4.

Në shtator të vitit 1917 Moisiu u lirua nga internimi në Arosa. Kritiku i njohur i teatrit Alfred Polgar njoftoi publikun gjerman mbi rolin e Moisiut si Romeo në Vjenë (në Volksbühne): “Aleksandër Moisiu po luan sërish teatër. Askush nuk luan në mënyrë aq intensive sa ai, askush s’e ka këtë afsh të tipareve të bukura, askush nuk është aq i adhuruar (…) i dashuruar në fantazinë e skenës”. Mes viteve 1918-1933 Moisiu pushtoi skenat teatrore në Skandinavi, në Zvicër, në Holandë, në Çekosllovaki, në Poloni, në Hungari, në Rumani. Më 1929 luajti në teatrin gjerman në Buenos Aires. Dhe në fund u kthye në Zvicër. Sipas porosisë së tij u varros më 1935 në një fshat pranë liqenit të Luganos në Zvicrën italiane. Vjena, qyteti ku vdiq më 22 mars 1935, tre vjet më vonë u “integrua” në Gjermaninë naziste. Bota pastaj do të merrte flakë. Dhe flakët e saj ai i kishte parë pak vjet para së të vdiste. Nazistët e urrenin. Ai ishte i huaj për “botën e pastër ariane” të ithtarëve të Adolf Hitlerit. Ai ishte kundërshtar i nazistëve, madje i orëve të para. Më 13 nëntor 1919, Moisiu foli para 1200 personaliteteve gjermane të cilat ishin tubuar në sallën e parlamentit në Berlin për të kujtuar politikanin socialdemokrat Hugo Haase, të vrarë nga një person me të meta mendore. Atëbotë Moisiu ishte – socialist. Për këtë arsye autoritetet çekosllovake ia ndaluan hyrjen, por presidenti ia lejoi. Më 1 maj 1919 Moisiu mbajti fjalim edhe para punëtorëve të Zürichut.

5.

Në maj të vitit 2003 në rivierën e Francës jugore vdiq në shtëpinë e saj Sonja Wiberg. Ajo ishte aktore dhe valltare e njohur. Në gjësendet që la pas u gjend një letër. E dërguar nga San Remo në mars të vitit 1935. Dërguesi i letrës: Aleksandër Moisiu. Moisiu i shkruante Sonja Wibergut: “Mirë, e dashur, më bli 1 ose 2 kravata nëse të pëlqejnë për kostumin e kaltër dhe bojëkafe dhe sidomos për raste të veçanta… Të puth dhe gëzohem aq shumë!! Aleksandri». Pastaj ai i dërgoi lule Sonja Wibergut – dhe këtë shënim: «Pak lule të kam dërguar». Sonja Wiberg ishte e dashura e fundit e Moisiut. U njoftuan më 1931 në Salzburg, ai 51-vjeçar, ajo 19-vjeçare. “Menjëherë ramë në dashuri, nga distanca prej 40 metrash”, ia ka treguar Wiberg një publicisti gjerman. Në qafë ajo mbante një qafore argjendi, të cilën ia kishte blerë Moisiu. Më 1931. Në Venecie.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button